Kërko

Pope Francis visits Bulgaria Pope Francis visits Bulgaria 

Papa: paqja të përhapet në mbarë tokën, të gjithë janë ndërtues të saj

Të gjithë duhet të bashkëpunojë në realizimin e paqes. Me zjarrin e dashurisë ne duam të shkrijmë akullin e luftërave. Kështu u shpreh Papa në Takimin për Paqe, që u mbajt pasdite në zemër të Sofjes

R. SH. - Vatikan

U lutem për paqen, me fjalët e frymëzuara nga Shën Françesku i Asizit, të dashuruarit të madh me Zotin Krijues e Atë i të gjithëve. Dashuri, që e dëshmoi me të njëjtin pasion e respekt të sinqertë për krijimin dhe çdo njeri, që takonte për udhë. Dashuri e respekt, që e bëri ndërtues të madh të paqes!

Paqe, për të cilën duhet të lutemi! Duhet të punojmë. Dhuratë e detyrë. Dhanti e përpjekje e vazhdueshme, e përditshme për të krijuar një kulturë, në të cilën edhe paqja është e drejtë themelore. Paqe aktive, “e fotifikuar”, e aftë për të përballuar të gjitha format e egoizmit dhe të indiferencës,  që na nxisin t’u kundërvëmë interesave meskine të disave, dinjitetin e pacënueshëm të njeriut! Duke ecur gjithnjë në rrugën e dialogut.

“Ne sonte jemi këtu për t’u lutur para këtyre pishtarëve, të sjellë nga fëmijët tanë. Simbolizojnë zjarrin e dashurisë, që u ndez në zemrat tona e që duhet të bëhet fanar mëshire, dashurie e paqeje, kudo e kurdoherë”.

Po e jetojmë këtë lutje për paqen mbi gërmadhat e Serdikës, Sofjes, zemrës së Bullgarisë. Mund t’i shikojmë që këndej viset e kultit të disa konfesioneve fetare: Shën Nedelian e vëllezërve tanë ortodoksë, Shën Jozefin e katolikëve, sinagogën e vëllezërve tanë të mëdhenj hebrenj,   xhaminë e vëllezërve tanë myslimanë, e, pranë tyre, kishën e armenëve.

Në këtë vend, për shekuj, takohen bullgarët, që u përkasin grupeve të ndryshme.

Qoftë ky vend simbolik dëshmitar i paqes!

Paqja u përhaptë në tokën mbarë e posaçërisht në këto vise, ku  shumë zëra u  detyruan të heshtin nga lufta, u shuan nga indiferenca, u injoruan nga bashkëpunimi dërmues i grupeve të interesave!

Të gjithë  duhet të bashkohen, për ta realizuar këtë aspiratë!

Secili, aty ku ndodhet, duke kryer detyrën, që i takon. E aty ku ndodhet, mund e duhet të thotë: “O Zot, më bëj mjet të paqes sate”. E unë uroj të realizohet ëndrra e Papës Gjoni XXIII, për një tokë ku paqja ndjehet në shtëpinë e vet. Ta realizojmë dëshirën e tij e të themi, me jetën tonë: “Pacem in terris!”. “Paqe mbi tokë të gjithë njerëzve, që Zoti i do!”.

06 maj 2019, 15:31