Kërko

 Papa, në audiencën e përgjithshme Papa, në audiencën e përgjithshme 

Papa Françesku: Ati qiellor nuk është autor i së keqes!

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa shpjegoi thirrjen e parafundit drejtuar Atit tonë qiellor: “E mos na lër të biem në tundim”. Prej tekstit, përkthyer nga greqishtja, kuptojmë se duhet përjashtuar çdo mendim, i cili mund të na shtyjë të besojmë se Zoti është protagonist i tundimeve, që i kërcënohen njeriut gjatë udhës së jetës.

R. SH. - Vatikan

Ishte thirrja e parafundit e Atynës: “E mos na lër të biem në tundim” zemra e katekizmit të sotëm,  i 14-ti, që Papa ia kushtoi lutjes, të mësuar nga vetë Jezusi. Në Sheshin e Shën Pjetrit, larë me rreze dielli e mbushur me tinguj festivë, Papa kujtoi se me këtë thirrje të parafundme, dialogu ynë  me Atin qiellor hyn, në se mund të shprehemi kështu, në zemrën e dramës, domethënë, në  fushën e mejdanit, ku ndeshet liria jonë - me dredhitë e Djallit.

Ati qiellor nuk është autor i së keqes

Në këtë pikë, shpjegimi i Papës merr një rëndësi të veçantë, lidhur me përkthimin e Ungjillit nga greqishtja - në italisht, që nuk është i saktë, ndryshe nga përkthimi i saktë në gjuhën shqipe. Mund t’i ballafaqojmë: italisht: “Non ci indurre in tentazione”(Mos na shtyjë në tundim) - shqip: “Mos na lërë të biem në tundim”. Papa, duke u ndaluar tek përkthimi italisht, sqaron:

“Shprehja origjinale greke, që e lexojmë në Ungjijtë, është shumë e vështirë të pëkthehet me saktësi e të gjitha përkthimet moderne çalojnë nga pak në këtë drejtim. Por ama për njërin nga elementet, mund të  shprehemi njëzëshëm. Sido që të kuptohet teksti, duhe ta përjashtojmë plotësisht se Zoti është protagonist i tundimeve, që e kërcënojnë njeriun gjatë udhës së jetës”.

Për të vërtetuar se jemi para një interpretimi shumë larg nga figura e Zotit, që na e zbuloi Jezusi, Papa citoi letrën e Jakobit (1,13), në të cilën pohohet: “Askush, kur të tundohet, nuk duhet të thotë: ‘Më tundoi Zoti’; sepse Zoti nuk mund të tundohet nga e keqja e as të tundojë ndokënd’”:

“Është Zot, që lufton gjithnjë për ne, jo kundër nesh. Është Atë! E në këtë kuptim e themi Atynën”.

Ngushëllimi ynë në çaste prove

Në jetën e Birit të Zotit - vijoi Papa Françesku - prova dhe tundimi ishin misteriozisht të pranishme:

“Në këtë përvojë, Biri i Zotit u bë plotësisht vëllai ynë, në një mënyrë që gati-gati tingëllon si shkandull”. E janë pikërisht këto fragmente ungjillore që na dëshmojnë se thirrjet më të vështira të ‘Atynës’, ato që mbyllin tekstin, u  dëgjuan:

“Zoti nuk na la vetëm por, në Jezusin dëftohet si Zot-me-ne, deri në pasojat më  të skajshme”.

 Na ngushëllon, prandaj, prania e Zotit, edhe në çastet më të errëta, kur njeriu ndjehet aq keq, sa nuk është më në gjendje as të lutet:

“Në kohën e agonisë, Zoti i kërkon njeriut të mos e braktisë, kur njeriu fle. Ndërsa në kohën kur njeriu vihet në provë, Zoti  e ruan. Pse? Sepse është Atë. Kështu e nisëm  lutjen ‘Ati ynë!’. E një atë nuk i braktis kurrë bijtë e vet. Nata e dhimbjes së Jezusit, nata e luftës, është vula e fundit  e Mishërimit. Zoti zbret për të na gjetur në humnerat tona e në trazirat tona, që vijojnë në historinë njerëzore. Është ngushëllimi ynë në provë, tashti që e dimë se kjo luginë lotësh, qysh kur e përshkoi Jezusi, nuk është më e shkretë, por e bekuar nga prania e Birit të Zotit”.

Besim në dashurinë e Atit

“Ai nuk na braktis kurrë!”. Kjo, siguria, që Papa ia përsëriti në audiencën e sotme secilit prej nesh. Nuk na braktis as në orën e tundimit e të provës, sepse, përfundoi Ati i Shenjtë: “Krishti e mori mbi vete edhe barrën e kryqit e na bën thirrje ta mbartim me Të. Të lëshohemi, prandaj, plot besim, në dorë të Atit! T’i besojmë dashurisë së Tij”:

“Është me ne, kur na jep jetën, është me ne gjatë jetës, është me ne në gëzim, është me ne në provë, është me ne në trishtim, është me ne në disfatë, kur mëkatojmë. Eshtë me ne gjithnjë, sepse është Atë. E ati nuk mund t’i braktisë kurrë bijtë!”.

01 maj 2019, 12:51