Kërko

Puna në bujqësi Puna në bujqësi 

Papa, FAO-s: bujqësia familjare, humus për njerëzimin

Në një mesazh për FAO-n, që u bë i njohur sot, Papa Françesku na fton ta kuptojmë hapjen e Dekadës së Kombeve të Bashkuara për bujqësinë familjare si rast për “çrrënjosjen e urisë” dhe për “ta bërë shoqërinë më të vetëdijshme për nevojat e vëllezërve dhe të motrave tona”.

R.SH. - Vatikan

“Familja është vendi ku mësojmë të jetojmë me të tjerët dhe ku jemi në harmoni me botën”. Këto fjalë i drejton Papa Françesku, në një mesazh, që u bë i njohur sot, drejtorit të FAO-s (Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë), José Graziano da Silva, me rastin e fillimit të Dekadës së Kombeve të Bashkuara për bujqësinë familjare (2019-2028). “Nismë - shkruan Papa - që synon të arrijë objektivin “Zero Uri 2030”, si edhe qëllimin e dytë të zhvillimit të qëndrueshëm në Agjendën e vitit 2030: zhdukjen e urisë, arritjen e sigurisë ushqimore, përmirësimin e ushqimit dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme”.

Familja, model për bujqësinë e qëndrueshme

         Papa kujton se “familja formohet nga një rrjet marrëdhëniesh”, është “humus i frytshëm”, “model sjelljeje për bujqësinë e qëndrueshme, e cila ka pasoja pozitive jo vetëm për sektorin bujqësor, por edhe për gjithë njerëzimin e për mbrojtjen e mjedisit”. Në të zbatohet parimi i subsidiaritetit, “që i rregullon marrëdhëniet”, prandaj familja - shpjegon Papa - mund të bashkëpunojë me autoritetet publike “për zhvillimin e zonave të fshatit, pa lënë pas dore objektivat e së mirës së përbashkët dhe duke i dhënë përparësi kujt ka më shumë nevojë”.

Kontributi i grave dhe i të rinjve

Françesku nuk harron të përmendë “kontributin e veçantë të gjenisë femërore në bujqësinë familjare”, kontribut i rëndësishëm ky, veçanërisht në vendet në zhvillim, për shkak se gratë përfshihen “në të gjitha fazat e prodhimit ushqimor, nga mbjellja në vjelje, nga kujdesi për bagëtinë në punët më të rënda”. Papa vë në dukje mundësitë e të rinjve për punë në sektorin e bujqësisë, i cili “po bëhet strategjik për interesin kombëtar të shumë vendeve”.

Të rishikohet sistemi edukativ

Papa fton “të rishikohet sistemi arsimor, për ta bërë më të përgjegjshëm ndaj nevojave të sektorit bujqësor, në mënyrë që t’i integrojë të rinjtë në këtë treg pune”. “Sistemi arsimor - shpjegon ai - duhet të shkojë përtej transferimit të thjeshtë të njohurive dhe të përfshijë një kulturë ekologjike, e cila duhet të ketë një këndvështrim të ndryshëm, një mendim, një politikë, një program edukimi, një stil jetese dhe një përshpirtëri të ndryshme, që i bën ballë paradigmës teknokratike”, siç theksohet në “Laudato si’”.

Të çlirohemi nga uria

Të pajisen njerëzit me mjete për të çrrënjosur urinë: kjo është nxitja e Françeskut, që fton të bashkohen përpjekjet, të punohet në kohë, me “një qasje, që ka si bazë të drejtat themelore të njeriut dhe solidaritetin ndërmjet brezave”. “Ky rast reflektimi dhe pune për bujqësinë familjare që të çrrënjoset uria - shkruan së fundi Papa - është një arsye më shumë për ta bërë shoqërinë më të vetëdijshme për nevojat e vëllezërve dhe të motrave tona”.

29 maj 2019, 16:03