Cerca

Vatican News
 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa: Dialogu me hebrenjtë; shqetësues, ashpërsimi i antisemitizmit

Mesazh i Papës drejtuar International Catholic Jewish Liaison Committee (Iic), mbledhur në Romë: “Gjë e mirë që merreni me çështjet aktuale, si ashpërsimi i antisemitizmit dhe persekutimi i të krishterëve”.

R. SH. - Vatikan

“Nuk gabon kurrë, kur kërkon dialogun” - ky, pohimi i Papës në përshëndetjen drejtuar, sot paradite, pjesëmarrësve në takimin të 24-t të Komitetit ndërkombëtar të lidhjes katoliko-hebraike, që vijon në Romë. Ju inkurajoj - nënvizon Papa - sepse dialogu është udha për t’u njohur më mirë e për të bashkëpunuar në krijimin e klimës jo vetëm të tolerancës, por edhe të respektit ndërmjet feve. “Forca jonë është kjo e buta, e takimit, jo ekstremizmi, që sot ndjehet fort në të katër anët e botës e që çon vetëm në ndeshje. Nuk është kurrë gabim të kërkosh dialogun”. Këtë pohon Papa Françesku në tekstin e përshëndetjes, që ua dorëzoi sot, në përfundim të audiencës së përgjithshme, pjesëmarrësve në kuvendin e 24-t të  Komitetit ndërkombëtar të lidhjes katoliko-hebraike.

Që nga shpallja e “Nostra aetate’ e deri më sot, dialogu hebraiko-katolik ka dhënë fryte të mira. Kemi të përbashkët një trashëgimi të tërë shpirtërore, që mund e duhet vlerësuar gjithnjë më shumë, me frymën e rinjohjes më të thellë reciproke, të vëllazërimit e të angazhimit në favor të të tjerëve - shpjegon Papa. - Në këtë kuptim - vijon - takimi juaj dëshiron të kontribuojë në thellimin e përkimeve e të promovojë një bashkëpunim më të shpeshtë. “Është gjë e bukur, që po merreni edhe me problemet aktuale - shton Françesku - siç është qëndrimi ndaj refugjatëve dhe kërkimi i mënyrave me të cilat mund të ndihmohen, ashtu si edhe lufta kundër ashpërisimit të antisemitizmit, reflektimi mbi persektutimin e të krishterëve në vise të ndryshme të botës, situata e dialogut hebraiko-katolik në Itali e në Izrael si dhe perspektivat tij në shkallë më të gjerë”.

15 maj 2019, 14:42