Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: dëgjoje zërin e Zotit, për të dalë nga labirintet e gabuara

Françesku, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kujtoi të gjitha nënat, rojtare të vlerës së familjes. U lut, më pas, për meshtarët e sapo shuguruar, ndërsa besimtarëve u kujtoi: dëgjimi i zërit të Zotit të ndihmon të dalësh nga shtigjet e gabuara dhe sjelljet egoiste.

R. SH. - Vatikan

Ndërmjet shtegtarëve, ardhur nga Texas e Valencia, përveç romakëve, që nuk mungojnë kurrë, e një mori grupeve famullitare dhe meshtarëve të rinj, buzëqeshja e Françeskut, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, ishte kryesisht për të gjitha nënat, me rastin e Festës së tyre, ndërsa Sheshi e shoqëronte me një duartroktije të stuhishme:

 “Në shumë vende sot kremtohet ‘Festa e Nënës’. Dëshiroj t’u drejtoj një përshëndetje të përzemërt të gjitha nënave, duke i falënderuar - një duartrokitje për nënat, për të gjitha - për veprën e tyre të çmuar në rritjen e fëmijëve dhe mbrojtjen e vlerës së familjes. E, kujtojmë edhe nënat, që na shikojnë nga qielli dhe vijojnë të vigjilojnë mbi ne me lutje. Mendimi ynë shkon edhe tek Nëna qiellore, që do ta kremtojmë nesër, më 13 maj, me emrin Zoja e Fatimës. Në duart e saj lëshohemi, për ta vijuar me gëzim e bujari udhën tonë”.

Guximi përballë rreziqeve, për Jezusin

Nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa kujtoi Ditën e sotme Botërore të Lutjes për Thirrjet, përqendruar tek tema “Guximi përballë rreziqeve, për  premtimin e Zotit”. “Ta ndjekësh Jezusin është gjithnjë rrezik, por duhet guxim” - nxiti Papa, i cili ftoi pranë tij dy nga 19 meshtarët e sapo  shuguruar në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të dhënë, më pas, bekimin:

“Ndërsa i përshëndes me dashuri këta meshtarë të rinj, së bashku me familjarët dhe miqtë e tyre, ju ftoj t’i kujtoni të gjithë ata, që Zoti vijon  t’i thërresë me emër, siç bëri  me Apostujt, në breg të liqenit të Galilesë, për t’i bërë ‘peshkatarë njerëzish’”.

Larg egoizmit e shtigjeve të shtrembëra

Reflektimi i Mbretëreshës Qiellore vijoi të shtjellohej, duke u frymëzuar nga Ungjilli i sotëm, që na e paraqet Jezusin si Bariu i Mirë, i vërteti e i vetmi Bari i Popullit të Zotit, duke kujtuar se lidhja e Krishtit me grigjën është reciproke e shprehet përmes disa veprimeve: Ai flet, Ai na i njeh dëshirat e zemrës, na i njeh shpresat, dështimet e zhgënjimet, jep jetën e pasosur, na ruan, na mikpret, ashtu si jemi, me mangësitë e të metat tona. Por Ungjilli - vijoi Papa - përshkruan edhe si duhet të veprojmë, na tregon si duhet ta dëgjojmë e ta ndjekim pas Zotin, si duhet t’i përgjigjemi Bariut të grigjës, kur na thërret:

“Ta dëgjosh e ta njohësh zërin e Tij, domethënë të lidhesh ngushtësisht me Të, lidhje, që forcohet në lutje, në takimin zemër për zemër me Mjeshtrin Hyjnor e Bariun e shpirtrave tonë. Kjo lidhje e ngushtë na e fuqizon   dëshirën për ta ndjekur, duke dalë nga labirinti i shtigjeve të verbëra e duke i braktisur sjelljet egoiste, për të ecur në udhët e reja të vëllazërimit e të dhurimit të vetvetes, në përngjasim të Tij”.

Bashkëpunëtorë të Krishtit në kumtimin e Ungjillit

Nga intimiteti me Zotin - përfundoi Papa - gurron gëzimi i ndjekjes, duke e lënë të na prijë drejt plotnisë të jetës së pasosur. Së fundi, Françesku ia besoi Marisë të gjithë meshtarët dhe rregulltarët:

“Ajo, që iu përgjigj menjëherë thirrjes së Zotit, i ndihmoftë posaçërisht të gjithë ata, që janë të thirrur në udhën e meshtarisë dhe të jetës rregulltare, për ta pritur me gëzim e gatishmëri ftesën e Krishtit e për të qenë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Tij në kumtimin e Ungjillit e në shërbim të Mbretërisë së Zotit, në kohët tona”.

12 maj 2019, 14:31