Cerca

Vatican News

Papa: dashuria e Jezusit hap horizonte shprese

Jezusi na kërkon të duhemi jo aq me dashurinë tonë, por me të Tijën, që na bën njerëz të rinj. Dashuria e Krishtit hap horizonte shprese, na aftëson t’i falim e t’i duam armiqtë, krijon ura e ndihmon për kapërcimin e mureve!

R. SH. - Vatikan

“Zoti na do shumë më tepër, sesa e duam ne vetveten, e pikërisht kjo dashuri na bën ‘njerëz të rinj’: kështu mund ta shpërndajmë kudo farën e dashurisë, që i përtërin lidhjet ndërmjet njerëzve e hap horizonte të reja shprese”. Fjalët e Papës, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, jehuan me forcë sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një qiell vjeshtarak, ngarkuar me re e shi, por, si gjithnjë, përplot me besimtarë. Papa foli për dashurinë e Jezusit që - pohoi - “bën nga ne Popullin e ri të Zotit, Kishën, në të cilën të gjithë jemi të  thirrur ta duam Krishtin e, në Të, ta duam fort njëri-tjetrin”:

“Dashuria, që u duk në kryqin e Krishtit e që Ai na thërret ta jetojmë, është forca e vetme, e cila e shndërron zemrën tonë prej guri, në zemër të ndjeshme njerëzore! E vetmja forcë, e aftë për ta shndërruar zemrën tonë, është dashuria e Jezusit, nëse ne duam me këtë dashuri. E kjo dashuri na bën të aftë t’i duam armiqtë e t’i falim fajtorët tanë. Po ju bëj një pyetje të gjithëve - tha Papa, duke iu drejtuar besimtarëve - e secili le të përgjigjet në zemër të vet. Unë, a jam aq i aftë, sa t’i dua armiqtë? Të gjithë e kemi dikënd - nuk e di në se mund ta quaj armik - po që nuk na shkon për shtat, që është në krahun e kundërt; ose dikënd, që na e gandon shpirtin…A jam i zoti t’i dua këta njerëz, këtë burrë a këtë grua, që më bën keq, që më fyen? A jam i aftë ta fal? Secili të përgjigjet në zemër të vet!”.

Dashuria për Jezusin na bën ta shikojmë tjetrin si anëtar i sotëm ose i ardhshëm i bashkësisë së miqve të Jezusit, na nxit të dialogojmë e na ndihmon ta dëgjojmë tjetrin e të njihemi reciprokisht. Është dashuri që, duke të ndihmuar t’ia hapësh zemrën tjetrit, shndërrohet në bazë të marrëdhënieve njerëzore e të bën të aftë t’i kapërcesh pengesat e ligështive  e të paragjykimeve tua. Dashuria e Jezusit në shpirtin tonë krijon ura, na mëson udhë të reja, ushqen vëllazërimin – pohoi Papa Françesku.

Urdhërimi i ri

Reflektimi i Papës u nis nga “urdhërimi i ri”, që Jezusi ua dha dishepujve para Mundimeve, siç na e kujton edhe Ungjilli i sotëm: “Sikurse unë ju desha ju, duajeni edhe ju njëri‑tjetrin!”. Që në Besëlidhjen e Vjetër, Zoti kishte urdhëruar të duhej i afërmi si vetvetja. Krishti sjell një risi. E reja është pikërisht tek shtesa, që i bën këtij urdhërimi: “Sikurse unë ju desha ju”, domethënë, duke dhënë edhe jetën për ju! “Është dashuria e Zotit, universale, pa kushte e pa kufij, që arrin kulmin mbi kryq” – vijoi Papa - duke nënvizuar, më pas, se pikërisht në këtë çast të përuljes e të braktisjes nga Ati, Biri i Zotit i dhuroi botës dashurinë e përkryer.

Zoti na do shumë më tepër, se e duam ne vetveten

Jezusi “na deshi i pari”, pavarësisht nga kufizimet e ligështitë tona, duke vepruar në një mënyrë, që ne të bëheshim të denjë për dashurinë e Tij, e cila nuk njeh kufij e nuk ka të sosur:

“Duke dhënë urdhërimin e ri, Ai na kërkon të duhemi ndërmjet nesh jo vetëm e jo aq me dashurinë tonë, por me të tijën, të cilën Shpirti Shenjt e dikon në zemrat tona, nëse i lutemi me fe të gjallë. Kështu - e vetëm kështu - ne mund ta duam tjetrin jo vetëm si duam vetveten, por si na deshi Ai, domethënë, pambarimisht më shumë. Zoti na do shumë më tepër, sesa e duam vetveten. E kështu do të mund ta përhapim kudo farën e dashurisë, që i përtërin lidhjet ndërmjet njerëzve e hap horizonte të reja shprese. Jezusi hap gjithnjë horizonte shprese!”.

Lumnimi i  Maria Guadalupe Ortis de Landázuri

Pas lujtes mariane, Papa kujtoi se dje, në Madrid, u lumnua besimtarja laike e Opus Dei, Maria Guadalupe Ortis de Landázuri. E, në vijim, u kërkoi besimtarëve një duartrokitje për të Lumen e re, që iu kushtua njëkohësisht “mësimdhënies dhe Ungjillit”. Dëshmia e saj - theksoi -" është shembull për gratë e krishtera të angazhuara në veprimtarinë shoqërore e në kërkimin shkencor”.

Gjatë përshëndetjeve, Ati i Shenjtë kujtoi të gjitha grupet e pranishme e, posaçërisht, skautët, shoqëruar nga ipeshkvi ushtarak, mbledhur me rastin e 75-vjetorit të betejës së Montekasinos.

 

 

19 maj 2019, 13:59