Kërko

Papa, në audiencë: Maria e bekoftë Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut

Në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar plotësisht shtegtimit apostolik në Bullgari dhe në Maqedoni të Veriut, Papa Françesku i falënderoi të dy popujt për pritjen e ngrohtë dhe ripërshkoi etapat kryesore të vizitës. Shtegtarëve të gjuhës franceze u kujtoi figurën e Jean Vanier, që ndërroi jetë dje.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku u rikthye mbrëmë në Vatikan, në përfundim të shtegtimit të tij apostolik në Bullgari dhe në Maqedoni të Veriut e katekizmin e audiencës së përgjithshme të kësaj së mërkureje, siç bën zakonisht pas shtegtimeve apostolike, ia kushtoi kësaj përvoje, ende të freskët.

Hapa përpara në dialogun me ortodoksët e Bullgarisë

Françesku nënvizoi se në Bullgari, në takimin me një popullsi-menteshë ndërmjet Evropës Qëndrore, Lindore e Jugore, i priu Shën Gjoni XXIII, ish-Delegat Apostolik në këtë vend.

“Me moton ‘Pacem in Terris’, i ftova të gjithë të ecin në udhën e vëllazërimit; e, në këtë udhë, posaçërisht, pata gëzimin të bëj një hap përpara në takimin me kreun e Kishës Ortodokse Bullgare, patrikun Neofit dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë. Si të kishterë, thirrja e misioni ynë është të jemi shenjë dhe mjet i unitetit, e mund të jemi, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, duke ia kundërvënë çka na bashkon, çdo gjëje, që na ndan”.

Bota ka nevojë për ungjillëzues të apasionuar

Ishin Shenjtorët Çirili e Metodi ata, që e sollën Ungjillin në Bullgari, aq sa Shën Gjon Pali II - kujtoi Françesku - i shpalli Pajtorë të Evropës, së bashku me Shën Benediktin. Në Katedralen e Sofjes - pohoi - u ndalova një copë herë para figures së dy vëllezërve, të cilët sot i kujtoi përsëri me shumë admirim:

“Ata, me origjinë greke, ditën ta përdorin në mënyrë krijuese kulturën e tyre, për t’ua transmetuar mesazhin e krishterë popujve sllavë; krijuan, pastaj, një alfabet të ri, me të cilin përkthyen Biblën dhe tekstet liturgjike në gjuhën sllave. Edhe sot ndjehet fort nevoja për ungjillëzues të apasionuar e krijues, për ta çuar Ungjillin edhe tek njerëzit, që nuk e njohin akoma e për të vaditur toka të reja, ku rrënjët e krishtera, të thara nga koha, mund të kërthndezen përsëri”.

Maqedonia e Veriut, vend mikpritës

Nëse gjatë vizitës në Bullgari Papës i priu shpirtërisht Shën Gjoni XXIII, në Shkup pati prijëse Shën Nënë Terezën, të cilën e quajti  “ikonë e Kishës në këtë vend dhe në periferitë e tjera të botës”. Atje e priti një bashkësi e vogël që, për hir të Zotit, bëhet strehë mikpritëse, nën të cilën gjejnë prehje një mori njerëzish. E pikërisht këtë mikpritje, të ndjerë në gjithë vendin, Papa e nënvizoi fort gjatë audiencës:

“Me vizitën time desha të inkurajoj posaçërisht aftësinë tradicionale të këtij vendi për mikpritjen dhe ndihmën që i dha një numri të madh migrantësh e refugjatësh gjatë periudhës kritike ndërmjet viteve 2015 e 2016. Atje kanë traditë të madhe mikpritjeje. Sepse kanë zemër të madhe!  Migrantët u krijojnë probleme të mëdha, e megjithatë, ata i mikpresin, i duan. E i zgjidhin edhe problemet. Virtyt i madh ky, për këtë popull”.

Motrat e Nënë Terezës

Gjithnjë lidhur me vizitën në Maqedoninë e Veriut, vend i ri, i etur për horizonte të gjera, pa i humbur rrënjët, Papa kujtoi takimin me të rinjtë, të cilët i nxiti të  ndjekin shembullin e jashtëzakonshëm të Nënë Terezës, që nuk pushoi kurrë së ëndërruari e s’u përpjekuri për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe, Jezusin. E pastaj kujtoi edhe meshtarët e rregulltarët:

“U preka thellë, kur shkova të vizitoj Motrat e Nënë Terezës, Ishin me të varfërit e tyre. Më mrekulloi dhembshuria ungjillore e këtyre grave. E kjo dhembshuri lind nga lutja, nga adhurimi. Ata i mirëpresin të gjithë, ndjehen nëna e motra të të gjithëve, ia dhurojnë dashurinë e tyre të gjithëve. Shpesh ne, të krishterët, e humbasim këtë përmasë. E, kur na mungon dhembshuria, bëhemi tepër seriozë, tepër të thartë. Këto motra janë të ëmbla e bëjnë vepra të ëmbla bamirësie. Bamirësi me dhembshuri, jo me hipokrizi. Ndërsa kur bën mirë pa dhembshuri, pa dashuri, është njëlloj si të hedhësh një gotë me uthull të thartë sipër veprës së mirë.  Jo! Bamirësia e tyre është gazmore. Nuk është e athtë!”

Zoja i bekoftë të dy popujt!

Në Meshën e Shkupit - kujtoi akoma Papa - u përsërit, në një periferi të Evropës, mrekullia e Zotit që, me pak bukë e me dy peshq, të thyer e të ndarë bashkërisht, pati shuar urinë e turmave. Provanisë së Tij të pashterrshme - përfundoi - po ia besojmë të sotmen dhe të ardhmen e popujve që vizitova gjatë këtij shtegtimi. E për ta Françesku e bëri Sheshin të ushtojë nga lutja korale, drejtuar Zojës së Bekuar, e thënë nga mijëra zëra, që shoqëronin zërin e Papës.

Gjatë fluturimit Shkup-Romë, Papa Kujtoi Jean Vanier

Gjatë përshëndetjes së shtegtarëve të gjuhës franceze, Papa Françesku e kujtoi përsëri Jan Vanier, që ndërroi jetë dje:

“Ai punoi për më të varfërit, më të flakurit, edhe për të dënuarit me vdekje që në bark të nënës, duke u përpjekur t’i bindte prindërit t’ia dhuronin atij, e jo t’i vrisnin. U hapi prehërin e mohuar nga nënat e u dha jetë. Qoftë shembull për ne të gjithë e na ndihmoftë nga qielli”.

Përshëndetja shtegtarëve  

Gjatë përshëndetjes, drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi akoma se, të shtunën e kaluar, në Qytetin e Meksikos, u shpall e Lume Maria de la Concepsion Cabrera, nënë familjeje, që dëshmoi vlerën shëlbuese të Kryqit të Krishtit.

Kujtoi edhe se sot në mesditë thuhej Lutja drejtuar Zojës së Pompeit, duke theksuar se në drekë do të bashkohej me të gjithë besimtarët e mbledhur në kremtimin e përbashkët, për t’iu lutur Zojës t’i sjellë sytë e Saj të mëshirshëm mbi botën,  të ndërmjetësojë për mbarë Kishën e, sidomos, për të gjithë ata, që vuajnë në korp e në shpirt.

Së fundi, një lutje për Atdheun e tij, Argjentinën, ku sot kremtohet Solemniteti i Zojës së Lujanit.

08 maj 2019, 14:14