Kërko

Papa 19 meshtarëve të rinj: gjithnjë pranë Popullit të Zotit

Papa Françesku kryesoi sot, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën Shenjte me ritin e shugurimit meshtarak. Ishin 19, meshtarët që shuguroi. Kremtimi i Eukaristisë - u kujtoi - është dhurata më e lartë e Zotit. “Ju lutem, mos e njollosni me interesa meskine”.

R. SH. - Vatikan

Është e Diela IV e Pashkëve. Ungjilli na paraqet figurën e Bariut të Mirë, që u prin deleve të veta në kullota të blerta. Në këtë të Diel, kur Kisha kremton Ditën e 56-të Botërore të Lutjes për thirrjet, Françesku kryesoi Meshën Shenjte, gjatë së cilës shuguroi 19 meshtarë të rinj. Papa shqiptoi homelinë rituale, të parashikuar nga botimi italian i Pontifikalit Romak për shugurimin e meshtarëve, duke i shtuar kësaj homelie edhe disa mendime personale.

Pjesëtarë në misionin e Krishtit

Françesku nënvizoi se të gjithë ata, që ushtrojnë “detyrën e Doktrinës kishtare”, marrin pjesë në misionin e Krishtit, të vetmit Mësues. Kjo - shtoi duke folur lirisht - nuk është shoqëri kulturore, nuk është sindikatë. Ju do të jeni pjesëmarrës në misionin e Krishtit! E theksoi këtë, për t’i  nxitur më pas meshtarët e rinj ta lexojnë e ta meditojnë vazhdimisht Fjalën e Zotit. Nuk mund të bëhet kurrë një homeli, një predikim, pa shumë lutje e gjithnjë me Biblën në dorë. Mos e harroni kurrë këtë. “Qoftë ushqim për Popullin e Zotit - uroi Papa - doktrina juaj. Kur vjen nga zemra e lind nga lutja, është gjithnjë plot fryt”.

Zoti shpëton falas

Papa tregoi, më pas, udhën që duhen të ndjekin meshtarët e rinj në jetë: duhet të jeni njerëz të lutjes - i porositi - të flijimit, në mënyrë që, me Fjalën e Krishtit e me shembull, të mund të ndërtoni shtëpinë e Zotit, që është Kisha. Jini të vëmendshëm - shtoi, duke folur lirisht - sidomos në kremtimin e Eukaristisë:

“Zoti deshi të na shpëtonte, pa na kërkuar kurrfarë shpërblimi. Ai vetë ka thënë: ‘Jepeni falas, atë që falas e morët’. Kremtimi i Eukaristisë është kulmi i dhurimit të Zotit. Ju lutem, mos e ndotni me interesa meskine!”.

Të mëshirshëm, gjithmonë

Me sakramentin e Pendesës - vijoi të kujtonte Papa - zgjidhini mëkatet në emër të Zotit, të Krishtit, të Kishës:

“E këtu, ju lutem, ju kërkoj të jini gjithnjë të mëshirshëm. Të mëshirshëm, si Ati, si Jezusi, që pati mëshirë për ne, për ne të gjithë. Me vajin shenjt  lehtësojini të sëmurët. Humbeni pak kohë edhe për të vizituar të sëmurët e të lodhurit nga jeta”.

Gjithnjë pranë Zotit

Papa, në përfundim, i nxiti mesharët e rinj ta ushtrojnë me gëzim e dashuri veprimtarinë meshtarake të Krishtit, me një dëshirë të vetme: t’i pëlqejnë Zotit e jo vetvetes. Gëzimi meshtarak gjindet vetëm në këtë udhë,  duke u përpjekur për t’i pëlqyer Zotit, që ju zgjodhi. Meshtari - shtoi Papa - duhet të jetë pranë Zotit në lutje, pranë ipeshkvit, pranë presbiterit, pranë meshtarëve të tjerë e Popullit të Zotit:

“Ta keni gjithnjë parasysh shembullin e Bariut të Mirë, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të shpëtuar çka ishte e humbur”.

Meshtarët e rinj

Janë 19 diakonët e shuguruar meshtarë nga Papa Françesku. Ndërmjet tyre,  8 i përkasin Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit; një, familjes së Dishepujve, dy studiuan në Seminarin e Madh Romak; tetë, në Kolegjin dioqezan Redemptoris Mater. Një meshtar vjen nga Japonia, dy të tjerë, nga Haiti e Kroacia, por shumica janë romakë. Ritin e shugurimit e gjallëroi kori i Kapelës Muzikore Papnore Sikstine, nën drejtimin e imzot Marco Frisinës. Ndërmjet bashkëkremtuesve, ishin edhe mëkëmbësi i Papës, kardinali Angelo De Donatis, si dhe rektorët e seminareve të kandidatëve.

Dita e lutjes për thirrjet

Në mesazhin e Ditës së 56-të Botërore të Lutjes për thirrjet, Papa nënvizon se:

“...thirrja e Zotit na bën mbartës të një premtimi e, njëkohësisht, kërkon guximin të rrezikojmë me Të e për Të. “Thirrja e Zotit - lexohet në mesazh - nuk është ndërhyrje në lirinë tonë; nuk është kafaz, as barrë e rëndë, që na ngarkohet mbi shpinë. Përkundrazi. Është nisma plot dashuri, me të cilën vjen të na takojë Zoti. Ai na fton të marrim pjesë në një plan të madh, i cili ia vlen, duke na treguar horizontin e një deti më të hapur e të një peshkimi tejet të begatë”.

12 maj 2019, 16:09