Kërko

pope-francis-during-the-flight-from-skopje-to-1557256142749.JPG

Papa, në kthim nga vizita apostolike: “Përshpirtëria e respektit kundër kulturës së fyerjes”

Në takimin me gazetarët, në avionin që nga Shkupi po e binte në Romë, Papa Françesku theksoi se në Maqedoninë e Veriut u prek nga ëmbëlsia me të cilën i ndihmojnë të varfërit motrat e Nënë Terezës, “sikur të ishin Jezusi”. I kënaqur nga biseda me patriarkun Neofit, Ati i Shenjtë i cilësoi të gjithë patriarkët ortodoksë si “njerëz të Zotit”. Për kanonizimin e kard. Stepinac, nënvizoi, ka rëndësi të dalë e vërteta. Për Papën, puna e komisionit për diakonatin femëror është ende e gjatë. Pohoi më pas, se forca që gjen në këto udhëtime është “dhuratë e Zotit”.

R.SH. - Vatikan

Siç është traditë, në fund të çdo udhëtimi apostolik, në avionin me të cilin kthehej për në Romë nga udhëtimi i tij i 29-të apostolik në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, Papa Françesku u takua me gazetarët, që e ndiqnin.

Dhembshuria e motrave të Nënë Terezës

         Mesazhi i Atit të Shenjtë ishte veçanërisht domethënës në fund të konferencës për shtyp, kur nënvizoi se kohët, në të cilat jetojmë, karakterizohen nga “kultura e fyerjes”, e “shpifjes”, e “përgojimit”. Por ka një ilaç kundër saj e ai është “dhembshuria” e Zotit dhe e Kishës, që është nënë. Nuk ishte përgjigjja ndaj pyetjes së ndonjë gazetari, ishte një mendim, një emocion, që Papa deshi t’ua besojë të pranishmëve. E shprehu, ndërsa gati po largohej nga takimi me ta, pasi avioni po fillonte fazën e uljes në aeroportin romak të Ciampinos.

         “Më preku shumë diçka: dy përvoja, njëra, me të varfërit në Maqedoni në Shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës. Kishte kaq shumë të varfër, por… të shihje butësinë e atyre murgeshave: ato i trajtonin të varfërit pa paternalizëm, sikur të ishin fëmijët e tyre. Një dhembshuri e një aftësi e pashoqe për t’i përkëdhelur të varfrit… Në kohën tonë, ne jemi mësuar veç ta fyejmë njëri-tjetrin: politikani fyen tjetrin, fqinji fyen tjetrin, madje edhe në familje, e fyejmë njëri-tjetrin. Nuk guxoj të them se kemi kulturën e fyerjes, por fyerja është kthyer në armë, madje, edhe përgojimi i të tjerëve, shpifja, thashethemet. T’i shihje këto motra, që kujdeseshin për çdo njeri, si të ishte Krishti. Më bëri përshtypje… M’u afrua një djalë e nëna eprore më tha: “Ky është djalë i mirë: lutuni për të, se pi shumë!”. E përkëdheli me dhembshurinë e nënës. Kjo më bëri ta ndjej se Kisha është nënë. E falenderoj Maqedoninë për këtë thesar. E pastaj, Kungimi i parë në Bullgari: u emocionova, sepse më shkoi mendja në 8 tetorin e vitit 1944, tek Kungimi im i parë… Pashë ata fëmijë, që i hapin sytë për jetën përmes Sakramentit. Kisha i ruan fëmijët…janë akoma të vegjël, janë një premtim, duhet të rriten. Në atë çast, ndjeva se ata fëmijë janë e ardhmja e Kishës dhe e Bullgarisë”.

Për çështjen e kard. Stepinac, duhet të dalë në shesh e vërteta

Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisoti, ftoi një e nga një gazetarët t’i bëjnë pyetje Atit të Shenjtë. Gazetari kroat nuk mund të mos e pyeste për kanonizimin e kardinalit Stepinac, procesi i të cilit akoma nuk ka përfunduar. “Në Kishën kombëtare ortodokse – tha ai – nuk janë gjithnjë dakord ndërmjet tyre: për shembull, nuk e kanë njohur Kishën maqedonase. Por, kur është fjala për të kritikuar Kishën Katolike, merren vesh gjithnjë: për shembull, nuk e duan shenjt kardinalin Stepinac”.

E Papa, me të butë, u përgjigj se, në përgjithësi, “marrëdhëniet janë të mira, ka vullnet… Sinqerisht, mund t’ju them se ndërmjet patrikëve, takova njerëz të Zotit. Neofiti është njeri i Hyjit. E pastaj, Elia II, që e kam për zemër, kam një lloj preference për patrikun e Gjeorgjisë: është njeri i Zotit, që më ka bërë shumë mirë. Edhe Bartolomeu është njeri i Zotit e, edhe Kirilli… por ju mund të më thoni: ky ka këtë difekt, ai është tepër politik… Po të gjithë kemi të meta, edhe unë vetë. Të gjithë jemi njerëz të Zotit. Pastaj, ka gjëra historike në Kishë e disa, edhe shumë të vjetra: sot, presidenti më thoshte se skizma e Lindjes filloi në Maqedoni. E tani vjen Papa për ta kthyer mbrapsht atë skizmë? Nuk e di. Jemi vëllezër, nuk mund ta adhurojmë Trininë Shenjte pa i shtrënguar duart me të gjithë vëllezërit. E përsa i përket kanonizimit të Stepinac: ai ishte njeri virtuoz, prandaj Kisha e ka shpallur të lum. Por, në një pikë të procesit, pati disa gjëra për t’u sqaruar. E unë, që duhet ta nënshkruaj kanonizimin, pashë se duhej t’i kërkoja ndihmë patriarkut serb Ireneut e ai më ndihmoi. Ngritëm një komision historik së bashku: e vetmja gjë, që na intereson, si atij, ashtu edhe mua, është të mos gabojmë, na intereson e vërteta. Tani, po studiohen pika të tjera, që e vërteta të dalë haptas në shesh. Unë s’kam frikë nga e vërteta. Kam frikë vetëm nga gjykimi i Zotit”.

Diakonati i grave është akoma në studim

Një gazetar amerikan i “Internet National Catholic Reporter” vuri në dukje se në Bullgari, Papa Françesku vizitoi një bashkësi ortodokse, e cila e ka për traditë të shugurojë diakone gratë. Pas pak ditësh, Ati i Shenjtë do të takohet me Bashkimin ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme. “Çfarë del nga raporti i komisionit mbi shërbimin e grave në vitet e para të Kishës? A keni marrë ndonjë vendim për diakonatin femëror?”, e pyeti gazetari.

“Komisioni u ngrit, - u përgjigj Ati i Shenjtë - punoi gati dy vjet. Gjithkush mendonte ndryshe, por punuan së bashku dhe ranë dakord. Deri në një farë pike. Pastaj, secili prej tyre ka këndvështrimin e vet, që nuk pajtohet me atë të të tjerëve, prandaj aty u ndalën si komision. Përsa i përket diakonatit femëror: ka një konceptim të ndryshëm nga ai i diakonatit mashkullor. Për shembull, formulat e shugurimit diakonal, të gjetura deri tani, nuk janë të njëjta me atë të shugurimit të diakonit mashkull, por i ngjajnë më shumë atij, që sot do të ishte bekimi abacial i një abateshe. Ky është rezultati. Të tjerë thonë jo, kjo është formulë diakonale ... Ka pasur diakonesha në fillim. Por a ishte sakramentor shugurimi i tyre? Ato ndihmonin. Për shembull, në liturgjinë e pagëzimeve. Pastaj u gjet një dokument, nga ku del se diakoneshat thirreshin nga ipeshkvi kur kishte mosmarrëveshje martesore, për shpërbërjen e martesës. Diakoneshat thirreshin për të parë plagët e trupit të gruas, së rrahur nga bashkëshorti. Por nuk ka siguri që shugurimi i tyre të ketë qenë i njëjtë, në formë e qëllim, me atë të meshkujve. Disa thonë: nuk ka dyshim. Le të vazhdojmë studimin. Por deri tani, nuk kemi gjë. Pastaj, për çudi, diakoneshat kanë qenë gjithnjë në një zonë të caktuar gjeografike, veçanërisht në Siri... Të gjitha këto gjëra i mora nga komisioni, i cili ka bërë punë të mirë, që mund të shërbejë për të ecur përpara e për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Jemi në pikën ku secili prej anëtarëve po studion tezën e vet”.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut: dy vende të ndryshme

Dy gazetarët nga vendet, që vizitoi Papa Françesku, natyrisht, e pyetën për përshtypjet që pati. E Ati i Shenjtë nënvizoi se janë të ndryshme. “Bullgaria – tha Bergoglio - është komb me traditë shekullore. Edhe Maqedonia ka një traditë shekullore, por jo si vend: si popull… Për ne të krishterët, Maqedonia është simbol i hyrjes së Krishtërimit në Perëndim. Një maqedonas e thirri shën Palin, i cili kishte ndërmend të shkonte në Azi… Ndërsa, Bullgarisë i është dashur të luftojë shumë si komb: në vitin 1877, 200.000 ushtarë rusë humbën jetën për pavarësinë nga osmanët. Shumë beteja për pavarësi, shumë gjak, shumë përshpirtëri për të konsoliduar identitetin. Në të dyja vendet ka bashkësi ortodokse, katolike e, edhe myslimane. Përqindja ortodokse është mjaft e madhe në të dyja. Myslimanët, më pak. Katolikët, në Bullgari më shumë se në Maqedoni. Në të dyja kombet ka marrëdhënie të mira ndërmjet besimeve të ndryshme. Kjo është normale për bullgarët: secili ka të drejtën ta shprehë fenë e vet dhe të respektohet: kjo më bëri përshtypje. E biseda me patrikun Neofit më pëlqeu, është njeri i Zotit! Në Maqedoni, më preku fraza e presidentit: ‘Këtu nuk kemi tolerancë fetare, kemi respekt për fenë’. Feja respektohet. E sot, në një botë ku mungon respekti për të drejtat e njeriut, për fëmijët, për të moshuarit, më erdhi mirë kur dëgjova se përshpirtëria e një vendi është respekti”.

Papa: e marr forcën nga Zoti

E duke iu përgjigjur gazetarit bullgar, që e pyeste për forcën e për lodhjen e udhëtimeve, Ati i Shenjtë, duke qeshur, theksoi se nuk shkon tek ndonjë shtrigë. Është Zoti, që e ndihmon dhe i jep forcë të përballojë udhëtimet apostolike, prandaj nuk lodhet aty për aty. Lodhjen e ndjen më vonë. “I lutem Zotit t’i qëndroj besnik, t’i shërbej, që këto udhëtime të mos jenë turizëm”, përfundoi Papa Françesku, i cili para se të fliste me gazetarët pati kujtuar themeluesin e Arkës, që vdiq pikërisht dje. Njeri, që ua kushtoi jetën të fundmëve, të harruarve, të sëmurëve. Ishte një kujtesë për mënyrën e dëshmimit të Krishtit nga çdo i krishterë, ashtu si Nënë Tereza, protagoniste, sidomos gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut.

08 maj 2019, 15:27