Kërko

Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell 

Nesër do të kremtojmë “Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell”

Nesër, “Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell”. Miqtë e Zotit nuk janë kurrë vetëm!

R. SH. - Vatikan

Nesër do të kremtojmë “Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell” - kujtoi  sot Papa  Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme“Ashtu si Apostujve, edhe ne sot, Zoti na rikujton: ‘Nuk ju lë jetimë, unë do të jem me ju përgjithëditë, deri në fund të fundit (Gjn 14,17-18)”. E, më pas, Papa shtoi: “Nëse do të jeni miqtë e Jezusit, Ai do t’ju bëjë ta ndjeni praninë e tij  në jetën tuaj e nuk do të ndjeheni kurrë vetëm, a të braktisur”.

Solemniteti i Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, pati pohuar Papa Françesku më 8 maj 2016, na kujton se çdo i krishterë ka mundësi ta jetojë e ta dëshmojë fenë kudo, sepse nga të gjitha qytetet e botës mund të lartohen sytë plot shpresë drejt qiellit, ku banon Zoti i bërë njeri.

Në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, dyzet ditë pas Pashkëve, kundrohet misteri i Jezusit, që del nga hapësira tokësore, për të hyrë në përsosurinë e mbretërisë së Zotit, duke marrë me vete natyrën tonë njerëzore. Dishepujt - vërejti Papa - nuk trishtohen nga mendimi se Jezusi s' është më fizikisht mes tyre, por kthehen me gëzim në Jeruzalem, në qytetin që nuk e kishte pranuar Mësuesin:

“Që nga kjo ditë për Apostujt e për çdo dishepull të Krishtit, u bë e mundur të banojë në Jeruzalem e në të gjitha qytetet e botës, edhe në më të tronditurat nga padrejtësitë e dhuna, sepse mbi çdo qytet është i njëjti qiell e çdo banor i tokës mund t’i lartojë sytë plot shpresë. Jezusi, Zoti, është njeri i vërtetë e me trupin e tij njerëzor është në qiell! Kjo, shpresa jonë, nëse shikojmë qiellin. Në këtë qiell banon Ai, Zoti, që u dëftua aq i afërt, sa të marrë fytyrë njerëzore, Jezusi i Nazaretit. Ai mbetet gjithnjë Zoti-me-ne - ta kujtojmë këtë: Emmanueli, Zoti-me-ne - e nuk na lë kurrë vetëm”.

29 maj 2019, 13:10