Cerca

Vatican News
Shtegtim në Medjugorje Shtegtim në Medjugorje  (ANSA)

Medjugorje, feja mariane dhe vendimi i Papës

Autorizimi i shtegtimeve është shenjë e njohjes së gjërave të mira, që ndodhin në famullinë-shenjtërore, ku shumë njerëz u afrohen sërish sakramenteve.

Dje (të dielën), Papa Françesku vendosi të autorizojë shtegtimet në Medjugorje, të cilat, tani e tutje, do të organizohen zyrtarisht nga dioqezat dhe famullitë e jo më vetëm në formë “private”. Ja një koment i drejtorit tonë editorial, Andrea Tornielli, për këtë ngjarje jo të zakonshme.

Andrea Tornielli

         Për të kuptuar arsyet dhe rëndësinë e madhe të vendimit të Papës Françesku për autorizimin e shtegtimeve në Medjugorje, duhen lexuar disa pjesë të Nxitjes Apostolike “Evangelii gaudium”, dokumenti, që përvijon udhën e papnisë së tij. Në këtë tekst, Papa kujton se “në përshpirtërinë popullore mund të kuptohen mënyrat, me të cilat feja mishërohet në kulturë e vijon të transmetohet”. E, duke cituar dokumentin përfundimtar të Konferencës së ipeshkvijve latinoamerikanë në Aparecida, nënvizon se “rruga e përbashkët drejt shenjtëroreve dhe pjesëmarrja në manifestime të përshpirtërisë popullore, duke marrë me vete fëmijët e duke ftuar njerëz të tjerë, është në vetvete, vepër ungjillëzimi”. “Nuk e përcaktojmë e as pretendojmë ta kontrollojmë këtë forcë misionare!”, përfundon Ati i Shenjtë.

         Dihet tashmë se miliona shtegtarë, gjatë këtyre viteve, kanë përjetuar një përvojë të rëndësishme feje në Medjugorje: e dëshmojnë këtë radhët e gjata para rrëfyestoreve dhe adhurimet eukaristike në mbrëmje, në kishën e madhe famullitare, ku ndër besimtarët e gjunjëzuar, s’ke ku të hedhësh kokrrën e  mollës.

         “Mendoj” se “në Medjugorje është hiri i Tënzot. Nuk mund të mohohet. Ka njerëz, që kthehen në udhën e Hyjit”, pati thënë Papa Françesku, në një intervistë me atë Alexandre Awi Mello, në vitin 2013. Në dialogun me mariologun, që sot është Sekretar i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, shndërruar në libër (“Është nëna ime. Takime me Marinë”, botim i Città Nuova), Ati i Shenjtë, sigurisht, paralajmëronte të tregohej kujdes ndaj protagonizmit të vegimtarëve dhe ndaj shumëfishimit të mesazheve e të sekreteve. Por, pa i mohuar kurrë frytet pozitive të shtegtimeve. Në parathënien e librit, teologu argjentinas Carlos Marìa Galli shkruan: “Për Françeskun, gjëja më e rëndësishme është feja mariane e ‘Popullit të shenjtë e besnik të Zotit’, që na mëson ta duam Marinë, përtej reflektimit teologjik. Si çdo bir e anëtar i Popullit të Zotit, Bergoglio – Françesku – merr pjesë në ‘sensus fidei fidelium’ dhe identifikohet me përshpirtërinë më të thellë mariane të besimtarëve të krishterë”.

         Pikërisht për këtë, duke vijuar studimin e fenomenit Medjugorje e pa mbajtur qëndrim për vërtetësinë e dukjeve, Papa deshi të kujdeset për ata, të cilët përballojnë vështirësitë e udhëtimit që të shkojnë për t’u lutur në atë vend. Prandaj, çoi një të dërguar të përhershëm, një ipeshkëv të varur nga Selia e Shenjtë, i ngarkuar me kujdesin baritor për shtegtarët. E gjithnjë, për këtë arsye, tani, vendosi të shkojë përtej deklaratës së Kongregatës për Doktrinën e Fesë, të 20 viteve më parë, që lejonte shtegtimet në Medjugorje, por vetëm “privatisht”. Tani, dioqezat dhe famullitë mund t’i organizojnë e t’i udhëheqin këto shtegtime të përshpirtërisë së Popullit të Zotit.

13 maj 2019, 14:31