Kërko

Vatican News
Papa Françesku - Zoja Guadalupes Papa Françesku - Zoja Guadalupes 

Maria i zgjidh të gjitha nyjet e sherreve tona

Në një tweet të ri, botuar sot në faqen papnore të internetit @Pontifex. Papa Françesku, duke kujtuar Zojën Ndihmëtare, që kremtohet në të gjitha vendet katolike, nga Shqipëria, në Shishan të Kinës, shkruan: “Maria…na mëson të mbahemi në këmbë edhe në mes të stuhive”.

R. SH. - Vatikan

Në tweet-in e sotëm Papa, duke kujtuar kremtimin e Zojës Ndihmëtare në të gjithë Kishat katolike të botës (ndër Shqiptarë, posaçërisht në Prizrenin, që e ka Pajtore) kujton se është Ajo, që me dashurinë amtare, na ndihmon t’i zgjidhim të gjitha nyjet, që i lidhim në jetë me sjelljet tona:

“Maria është grua, që ecën me delikatesën dhe butësinë e  nënës,  i zgjidh të gjitha nyjet e të gjitha sherreve, që s’pushojmë s’i krijuari  e na mëson të  mbahemi në këmbë në mes të stuhive”.

Po kush është kjo Grua? Pse nderohet me emrin Ndihmëtare? E kur nisi të përkujtohet?

Kremtimi i Zojës me këtë emërtim, nisi që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, Piut V (1566-1572).   

Prania ndërmjetësuese dhe ndihmëtare e Zojës së Bekuar për njeriun që i drejtohet me lutje, është e përhershme. Asaj Zoti ia besoi të Birin, nga djepi, në kryq! Asaj ia besoi edhe jetën tonë, nga lindja, në kthimin te Ati

E po Asaj, Papa i pati kërkuar ndihmë për ushtritë dhe fatet e Perëndimit e të Krishterimit, kërcënuar prej shekujsh nga turqit, që tashmë kishin arritur në portat e Vjenës.

 Ishte tetori i vitit 1571, kur ushtritë turke u thyen para këtyre portave e krishterimi shpëtoi, me ndihmën e Marisë!

E pikërisht më 7 tetor të këtij viti, nisi beteja e madhe detare e koalicionit të botës së krishterë kundër flotës turke. Në sa flota turke shpartallohej, duke u mënjanuar kështu rreziku i tmerrshëm i shtrirjes së pushtimit otoman mbi vise të tjera të krishtera, Papa pa në vegim se fitorja ishte siguruar me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Prandaj, në shenjë mirënjohjeje, urdhëroi që ndër litani të shtohej edhe thirrja : “Mari, ndihma e të krishterëve, lutu për ne!”. Prej këndej, edhe titulli “Zoja ndihmëtare”.

Kështu e  kremtja e Zojës Ndihmëtare nisi të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, shën Piut V (1566-1572).  

 Shenjti që pati më shumë devocion në Zojën Ndihmëtare, qe Shën Gjon Bosko, i cili u bë apostull i Saj, së bashku me bijtë e bijat e veta, salezianët e salezianet, që për këtë arsye quhen Bijtë e Zojës Ndihmëtare. 

Për nder të Zojës Ndihmëtare, krishterimi ndërtoi tempuj madhështorë në vise të ndryshme. Ndërmjet tyre, shquhen katedralja e Spoletos edhe e Torinos në Itali. Ndër ne, ajo e Prizrenit të Kosovës, Kishë katedrale kushtuar pikërisht Zojës Ndihmëtare.

 

 

24 maj 2019, 15:13