Kina: Papa “afërsi e posaçme me katolikët, që vijojnë të besojnë

Një mendim i posaçëm i Papës sot, për katolikët në Kinë, në përfundim të audiencës së përgjithshme.

R. SH. - Vatikan

Një mendim i posaçëm i Papës sot, për katolikët  në Kinë, në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë kujtoi se të premten e ardhshme, do të kremtohet festa e Zojës Ndihma e të Krishterëve, posaçërisht e nderuar në Kinë, në shenjtëroren e “Zojës së Sheshanit”, pranë Shangait:

“Me këtë rast të gëzueshëm - vërejti Bergoglio - u shpreh afërsinë dhe përzemërsinë time të veçantë të gjithë katolikëve në Kinë të cilët, ndërmjet mundimeve dhe provave të përditshme, vijojnë të besojnë, të shpresojnë, të duan”.

“Të dashur besimtarë në Kinë - uroi Papa - Nëna jonë Qiellore ju ndihmoftë të gjithëve që të jeni dëshmitarë të vëllazërimit, duke ju mbajtur  përherë në bashkim me Kishën universale. Lutem për ju e ju bekoj”.

22 maj 2019, 14:48