Kërko

Youcat for kids Youcat for kids 

Katekizëm për fëmijët dhe prindërit. Papa: Ungjilli të bëjë gjithnjë pjesë në jetën familjare

Doli sot në librari, botuar nga Edizioni San Paolo, “YOUCAT for Kids. Katekizmi katolik për fëmijët dhe prindërit”. Parathënia e tij është shkruar nga Papa Françesku.

R.SH. - Vatikan

“‘YOUCAT for Kids’ është katekizëm shumë i ndryshëm nga ai që kam përdorur unë. Është i përshtatshëm për fëmijët dhe për prindërit, që ta kalojnë kohën së bashku, duke e lexuar dhe duke zbuluar gjithnjë e më tepër dashurinë e Zotit”. Këto fjalë janë të Papës Françesku, i cili shkruan parathënien e vëllimit 240 faqesh, realizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Austriake e miratuar nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillizimit të Ri.

Të favorizohet dialogu mbi fenë

Është fjala për Katekizmin e ri, i cili shpjegon çështjet themelore të fesë me figura plot ngjyra dhe me një gjuhë të përshtatshme e joshëse për fëmijët e moshës 8-12 vjeç, që përgatiten të marrin Kungimin dhe Krezmimin. Teksti është shkruar në formën e pyetje-përgjigjeve për të lehtësuar kuptimin. Në fund të faqes, në një sfond me ngjyrë, jepen informacione për prindërit, katekistët dhe edukatorët, si edhe stimuj të menduar për favorizimin e dialogut me fëmijët.

Prindër, ndërmjetësues e dëshmitarë të palodhur

Në hyrje të vëllimit, Papa vë theksin pikërisht mbi këtë dialog. “Duke shfletuar ‘YOUCAT for Kids’”, shkruan Françesku, “gjej pyetjet, që fëmijët ua bëjnë me miliona herë prindërve dhe katekistëve. Mendoj se ky libër është po aq i dobishëm sa Katekizmi për të rriturit, në të cilin gjejmë përgjigjet për pyetjet më të rëndësishme të jetës: nga vjen bota? Pse ekzistoj? Si dhe për çfarë qëllimi duhet të jetojmë në këtë tokë? Çfarë ndodh pas vdekjes?”

Prandaj, me urimin që nga leximi i bazave të fesë të lindë një shkëmbim i vazhdueshëm dhe i pasur ndërmjet të rriturve dhe të vegjëlve, Ati i Shenjtë u drejtohet prindërve, duke i ftuar t’i kushtojnë kohë këtij qëllimi:

“Faqe pas faqeje, mister pas misteri të fesë, pyetje pas pyetjesh. Ndihmojini fëmijët tuaj të zbulojnë dashurinë e Jezusit! Kjo do t’i bëjë të fortë dhe të guximshëm. Jua besoj juve ‘YOUCAT for Kids’. Mos u lodhni kurrë të pyesni e ta dëshmoni fenë. Mos rrini në heshtje kur ju bëjnë pyetje fëmijët, por me forcë bëhuni ndërmjetësues të fesë, që e keni marrë nga prindërit tuaj. Formoni një zinxhir njerëzor, që nga brezi në brez, siguron praninë e përhershme të Ungjillit në familje, bashkësi dhe në Kishë”.

24 maj 2019, 12:06