Papa Fraçesku: vizitë baritore në Asizi Papa Fraçesku: vizitë baritore në Asizi 

Françesku sipërmarrësve të rinj: së bashku, për rigjallërimin e ekonomisë!

Përmes një letre, Papa Françesku i fton të rinjtë ekonomistë, sipërmarrës e sipërmarrëse të mbarë botës, në takimin “Economy of Francesco”, për të nxitur procesin e ndryshimit global, përmes një “pakti të përbashkët”.

R. SH. - Vatikan

Koordinatat janë: Asizi, 26 e 28 mars 2020. Objektivi: “Të takosh atë, që sot po formon, po nis të studiojë e të praktikojë një ekonomi të ndryshme: ekonominë, që të ndihmon të jetosh e nuk të vret; që të përfshin, nuk të përjashton; të fisnikëron, nuk të çnjerëzon; kujdeset për krijimin, nuk e plaçkit! Ngjarje, që na ndihmon të rrimë bashkë, të njihemi! E na prin drejt paktit për ta ndryshuar ekonominë aktuale e për t’i dhënë shpirt ekonomisë të së nesërmes”. Kështu shkruan Papa Françesku, në letrën, përmes së cilës i fton “të rinjtë ekonomistë, sipërmarrës e sipërmarrëse të mbarë botës” në një takim  të ri, për një njerëzim të ri!

Pse në Asizi?

Seli e takimit do të jetë qyteti i Shën Françeskut, Asizi, të cilin Shën Gjon Pali II e shndërroi në ikonë të kulturës e të paqes. Shkruan Papa Bergoglio:

“Këtu, Françesku u zhvesh nga çdo mendësi e botës, për të zgjedhur Zotin si yll polar të jetës së tij, duke u bërë i varfër me të varfërit e vëlla universal. Zgjodhi varfërinë, e nga kjo zgjedhje buroi një vizion i ri mbi ekonominë, që vijon të jetë tejet aktual. Ai mund t’i japë shpresë së nesërmes sonë, në dobi jo vetëm të të varfërve, por të mbarë njerëzimit. Eshtë i nevojshëm, madje, edhe për fatet e Planetit, shtëpisë sonë të përbashkët, ‘Nënës Tokës sonë’, siç e quan Shën Françesku në ‘Këngën e Kreatyrëve’”.

Shën Françesku, shembull i shkëlqyer

Papa kujtoi, në vijim, fjalët e mirënjohura: “Shko, Françesk, e ma ndreq shtëpinë time”. Janë fjalët, që ia pati thënë Krishti Shenjtit të Asizit, në Kishën e vogël të Shën Damianit:

“Kjo shtëpi, që pret të  meremetohet, na përket të gjithëve. Ka të bëjë me Kishën, shoqërinë, zemrën e secilit prej nesh. Ka të bëjë gjithnjë më shumë edhe me ambientin, i cili ka nevojë urgjente për ekonomi të shëndoshë e  zhvillim të qendrueshëm, që t’ia shërojë plagët e t’i sigurojë një ardhmëri të denjë. Françesku i Asizit është shembull i shkëlqyer i kujdesit për të ligshtit e për ekologjinë e gjithanshme”.

Besimi tek të rinjtë

Me besimin e tij të pamungueshëm në aftësitë e të rinjve “për të dëgjuar zemrën” e “për të dëshiruar një ardhmëri të bukur”, Papa Françesku shpjegon pse e bën këtë ftesë:

“Mendova t’ju ftoj në mënyrë të veçantë ju, të rinj sepse, me dëshirën tuaj për një ardhmëri të bukur e të gëzueshme, ju jeni që tani profecia për  ekonominë e vëmendjes ndaj njeriut e ambientit (…). Jeni të aftë për t’i dëgjuar me zemër britmat gjithnjë më të pushtuara nga ankthi, të tokës e të të varfërve të saj, në kërkim të ndihmës dhe të përgjegjësisë së dikujt, që ‘përgjigjet’ e nuk e kthen kokën mënjanë”.

Kantiere shprese

Universitetet, ndërmarrjet e organizatat rinore, Papa i quan “kantiere shprese, të afta për të propozuar stile të reja jete” e për të krijuar “vëllazërimin universal”. Ja pra, pse ky takim i shumëpritur:

“Prandaj dëshiroj t’ju takoj në Asizi: për të nxitur, përmes ‘një pakti’ të përbashkët, procesin e ndryshimit global, në të cilin bashkohen jo vetëm ndjetet e atyre, që kanë dhuratën e fesë, por edhe të të gjithë njerëzve vullnetmirë, përtej ndryshimeve të besojmës e të kombësisë, në një ideal të vetëm vëllazërimi, plot me vëmendje, sidomos, për të varfërit e të përjashtuarit”.

Në përfundim të letrës, Papa përsërit ftesën për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe dëshirën për të bashkëpunuar me specialistët më të mirë, tashmë të impenjuar në nivel botëror, në këtë proces shndërrimi:

“Të gjithë jemi të thirrur t’i rishikojmë skemat tona mendore e morale, që të përkojnë më shumë me Urdhërimet e Tënzot e edhe me këkesat e së mirës së përbashkët”.

11 maj 2019, 14:12