Kërko

 Për vizitë tek Papa, Shoqata e Muzeumeve Kishtare Italiane  Për vizitë tek Papa, Shoqata e Muzeumeve Kishtare Italiane  

Françesku, për muzeumet kishtare: e bukura u përket të gjithëve, posaçërisht të varfërve

Papa Françesku priti sot paradite, në Sallën Klementine, 400 anëtarët e Shoqatës së Muzeumeve Kishtare Italiane, të cilëve u dorëzoi fjalët shumë të përzemërta për punën e bërë me pasion, profesionalitet e dashuri për Kishën, në muzetë e dioqezave e të instituteve rregulltare në Itali.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot punonjësit, që shërbejnë edhe si vullnetarë, në muzeumet kishtare të Italisë. Por, duke pasur parasysh se më pas e priste  një audiencë tjetër, në Sallën Pali VI, me 5000 vetë, e duke i pëlqyer më shumë t’i përshëndeste një për një të 400 të pranishmit, hoqi dorë nga leximi i fjalimit të përgatitur për ta, duke ia dorëzuar kryetarit të Shoqatës,   që e falënderoi për fjalët e drejtuara. Para përshëndetjes, një foto, të gjithë së bashku.

Në fjalimin e dorëzuar, Papa e kujton si mision veprimtarinë e muzeumeve kishtare në Itali. E kjo, sepse këto muzeume, të mëdha a të vogla,  dokumentojnë dukshëm rrugën e përshkuar në shekuj nga Kisha në kult, në katekizëm, në kulturë e bamirësi. Kujtoi se kjo trashëgimi mund të humbasë, prandaj duhet ruajtur. E duhet bashkëpunuar edhe me  muzetë e bashkësive të tjera fetare, sepse veprat e artit e kujtesa e traditave dhe e stileve të ndryshme të jetës, flasin për një humanizëm, që na bën të gjithëve vëllezër e motra.

Të komunikojnë, me Kishën, Lajmin e mirë

Françesku e njeh mirë pasionin, që i nxit punonjësit të impenjohen në fushën e artit e të kulturës, pasionin për njerëzit e trojeve të veta, por edhe për Kishën e misionin e saj. Prandaj ndalet dhe e përshkruan rëndësinë e tyre:

“Muzeumet, në të cilat punoni, përfaqësojnë fytyrën e Kishës, fekonditetin  artistik e artizanal, thirrjen për të komunikuar Lajmin e Mirë. Mesazh që nuk është vetëm për pak të zgjedhur, por për të gjithë. Të gjithë kanë të drejtë të përvetësojnë kulturën, të takohen me bukurinë. Sepse u përkasin të gjithëve! Posaçërisht të varfërve e të fundmëve, që duhet ta shijojnë si dhuratë të Zotit”.

Të vijojë dialogu me artistët e sotëm

Papa vlerëson, më pas, impenjimin e punonjësve të muzeumeve kishtare për formimin e vazhdueshëm, përmes ditëve e kurseve të veçanta, por edhe përpjekjen për bashkëpunim me mediat si dhe me arkivat e bibliotekat. Nënvizon, pastaj, edhe aspektin e rëndësishëm të dialogut me artistët bashkëkohorë, duke theksuar se “Është punë  e domosdoshme, që duhet vënë në plan të parë, sepse Kisha ka gjithnjë nevojë ta vijojë dialogun me artistët”. E ky dialog, edhe pse arti modern flet me gjuhën, që u pëlqen posaçërisht të rinjve. Gjë që nuk mund të mungojë, sepse arti kishtar modern është udhë e zgjedhur ballafaqimi e dialogu me kulturën e sotme.

Shenjtëria është bukuria e vërtetë e Kishës

Së fundi Françesku i kujton anëtarëve të Shoqatës së Muzeumeve Kishtare Italiane, Nxitjen apostolike “Gaudete et exultate”, në të cilën nënvizohet  se muzeumet kishtare janë pasqyrë e shenjtërisë së Popullit të Zotit . E përfundon me fjalët: “Joshëse, kjo perspektivë! Por, para së gjithash, na kujton se jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë, në gjirin e popullit të shenjtë të Zotit. Shenjtëria është bukuria e vërtetë e Kishës, bukuri, që i jep kuptim e vlerë të plotë jetës dhe shërbimit tonë për Kishën e në Kishën, që ju vlerëson e ju falënderon!”.

 

 

 

24 maj 2019, 15:29