Kërko

Papa, në audiencën e përgjithshme Papa, në audiencën e përgjithshme 

Veprimtaria javore e Papës Françesku

Lutja e Engjëllit të Tënzot, vizita në famullinë romake të Shën Julit Papë, audienca përgjithshme e së mërkurës, ndjeti i lutjes së muajit prill etj.: kwto. disa nga veprimtaritë javore të Papës.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku tha sot lutjen e Engjëllit të Tënzot bashkë me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ungjilli i ditës, të cilin e komentoi Ati i Shenjtë, flet për gruan, që deshën ta vrisnin me gurë si kurorëthyese dhe, për Krishtin, që e fal, duke i kërkuar të mos mëkatojë më.

Hapet para sysh skena, në të cilën të gjithë bërtasin, ose pëshpërisin me njëri-tjetrin kundër gruas, që është kapur në flagrancë. Vetëm Jezusi hesht e shkruan përtokë. Ç’do të ketë shkruar vallë? Për të hamendësuar dhe interpretuar ato fjalë janë harxhuar lumenj me bojë shkrimi. Por vetëm një gjë është e sigurtë: ato fjalë mbetën të ngulitura në zemrën e atyre, për të cilët u shkruan, pasi mëshira e Zotit nuk mbërrin masivisht e njëlloj për të gjithë. Hyji i jep secilit përqafimin e vet personal, që ka të bëjë me atë situatë të veçantë, me atë gjendje shpirtërore karakteristike për një njeri të vetëm, siç ndodhi edhe me gruan, të cilën nuk e dënoi, pasi u bëri të kuptojnë të tjerëve se askush nuk ishte i denjë ta dënojë. Por i tha edhe “shko e mos mëkato më”: ky është kushti që mëshira e Zotit të prekë vërtet zemrën.

Sot pasdite, Ati i Shenjtë shkon për vizitë në famullinë romake të Shën Julit Papë, e cila u është besuar rregulltarëve kanonikë të Zojës së Papërlyer. Rasti është përfundimi i punimeve për konsolidimin e sallës liturgjike.

Papa takohet me grupet e ndryshme të bashkësisë famullitare: së pari të sëmurët, në një dhomë në katin përdhes. Pastaj, ndalet me ata, që kanë kontribuar në inskenimin e Betlehemit me njerëz, i cili, dy vitet e fundit, ka shërbyer për grumbullimin e fondeve të restaurimit. Ati i Shenjtë takohet edhe me të sapomartuarit e me të fejuarit, që ndjekin kurse përgatitore martese. Më tej, bisedon me vullnetarët e Karitasit dhe me nevojtarët, që ndihmohen prej tyre, ndër të cilët, edhe katër të pastrehë, strehuar në famulli gjatë emergjencës së të ftohtit. Në orator, Papa takohet me anëtarët e Zyrës së ndërtimit për kultin në Vikariatin e Romës, si edhe me firmën, që ka kryer punimet. Ati i Shenjtë gjen fjalë inkurajuese për grupet e katekizmit, që përgatiten për Pagëzimin, Kungimin dhe Krezmimin, gjithsej mbi treqind vetë, fëmijë e familje. Përshëndet meshtarët, rrëfen disa besimtarë e së fundi, kryeson meshën, me ritin e kushtimit të altarit. Pikërisht sot, përkujtohet edhe 6-vjetori i hyrjes së Papës Françesku në katedrën e papëve në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Ati i Shenjtë deshi ta kremtojë me besimtarët e famullisë së shën Julit në Romë.

Papa ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës shtegtimit në Marok me temë: “Shërbëtor i shpresës”. “Në botë ka shumë fe e të gjitha ‘shikojnë qiellin, shikojnë Zotin’. Ati qiellor e lejon këtë, ndaj ne nuk duhet të trembemi nga ‘ndryshimet’, por  të luftojmë për ‘vëllazërim’, në mënyrë të posaçme me myslimanët, bij të  Abrahamit, si ne”, theksoi Ati i Shenjtë.

Në videomesazhin për ndjetin e lutjes së muajit prill, realizuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës e paraqitur të enjten e kaluar, Françesku kërkon të lutemi për gjithë personelin humanitar, që ndihmon njerëzit e përfshirë në konflikte dhe rrezikon jetën për t’i shpëtuar.

Të premten, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, njoftoi se motër Eugenia Bonetti, kryetarja e shoqatës “Slaves no more”, do të jetë autorja e teksteve të Udhës së Kryqit, të Premten e Madhe, në Koloseum.

Po javën e kaluar, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë komunikoi se të enjten, më 18 prill, në orën 16.30, Papa Françesku do të shkojë në burgun e Veletrit, pranë Romës, për kremtimin e meshës “in Coena Domini” (mesha e Darkës së Mbrame).

07 prill 2019, 15:18