Kërko

 Papa Françesku pret n audiencë  vëllain  Alois të Taizesë Papa Françesku pret n audiencë vëllain Alois të Taizesë 

Vëllai Alois tek Papa Françesku: në zemër të Tezesë, të rinjtë dhe ekumenizmi

Papa priti sot, në Vatikan, eprorin e Tezesë, vëllain Alois. Takim ky, që duke u përsëritur çdo vit, shpreh frymën e bashkimit të Papës me Bashkësinë murgare kushtuar posaçërisht ungjillëzimit të të rinjve dhe dialogut ndërmjet të krishterëve e feve të tjera. Vëllai Alois ishte i pranishëm në Sinodin kushtuar të rinjve.

Vetëm dy ditë pas botimit të Nxitjes apostolike “Christus vivit”, fryt i Sinodit të tetorit të kaluar kushtuar të rinjve, Papa Françesku priti sot paradite Vëllain Alois Löser, epror i Tezesë, dhe grupin e vogël, që e shoqëronte.

Lidhja e ngushtë ndërmjet bashkësisë dhe të rinjve

Murg katolik gjerman, me nënshtetësi franceze, vëllai Alois më 2005 zuri vendin e themeluesit të bashkësisë, vëllait Roger Schutz. Lidhja ndërmjet dy ngjarjeve, audiencës së sotme dhe daljes së dokumentit kushtuar të rinjve, ka shumë mundësi të jetë thjesht rastësore, por gjithsesi të nxit të mendosh gati përnjëherësh për Tezenë, bashkësinë që i kushton vëmendje të dorës së parë universit rinor. Mjafton të kujtosh takimin evropian, që organizohet nga Tezeja që prej 40 vjetësh, në qytete të ndryshme të Evropës, etapë vjetore e  Shtegtimit të besimit mbi Tokë, nisur nga vëllai Roger.

Takimi me Papën, dhuratë për Tezenë

Në përfundim të audiencës së sotme me Françeskun, e intervistuam vëllain Alois, për të ditur diçka më shumë rreth temave, që u prekën gjatë takimit me Papën:

Po, çdo vit kam fatin ta takoj Papën Françesku, e kjo është dhuratë e madhe për ne të Tezesë, sepse e bën të dukshme frymën e bashkimit ndërmjet nesh e Atit të Shenjtë. Tezeja nuk është vend jashtëtokësor: jemi pjesë Kishës. Sot folëm për sinodin mbi të rinjtë, në të cilin mora pjesë edhe unë. E falënderova Papën për praninë e të rinjve gjatë këtij takimi, sepse prania e tyre, ashtu si dhe e përfaqësuesve të Kishave të tjera, e ndryshoi atmosferën.

A patët mundësi ta lexoni Nxitjen Apostolike “Cristus vivit” para se të botohej, apo vetëm të marten?

Nuk kam mundur ta lexoj akoma, po jam i kënaqur që Papa e shkroi këtë dokument. Lexova vetëm disa pjesë. Posaçërisht atë, ku Papa na kujton se të rinjtë nuk duhet të kenë frikë ta kritikojnë Kishën e të bëjnë propozime, që ne mund të na duken paksi të çuditshme. E na kujton edhe se nuk duhet të përgjigjemi menjëherë e të themi se këto kërkesa janë të pamundura. Në nxitje, Papa nënvizon se një Kishë e re mund t’i pranojë këto propozime pa frikë, pastaj e shikojmë ku duam të arrijmë.

Françesku fton për një baritori më elastike, më pak të ngurtë, që mund t’u krijojë të rinjve mundësinë të takohen me gëzim. Ju e bëni prej kohe këtë…

Po, e për ne ka shumë rëndësi të mikpresim të rinj me pak fe. Nuk mund të presim gjithnjë dëshmi të mrekullueshme mbi fenë. Shpesh, e shumë shpesh, ndeshim në të rinj me fe të paktë, por  pikërisht për këtë pak e gjë duhet t’i mirëpresim, të falënderojmë Zotin e t’i shoqërojmë të rinjtë të ecin pikërisht në rrugën e fesë. Duke ua hapur portat, me frymën e ekumenizmit.

Me ç’sy e shikoni angazhimin e Papës në udhën e ekumenizmit e të dialogut, që nganjëherë edhe kritikohet, duke kërkuar të vizitojë katolikët, më parë, pastaj luteranët, ortodoksët e myslimanët, siç e pamë këto ditë në Marok?

Është shumë i rëndësishëm. Dialogu me të krishterët e tjerë, me besimtarët e tjerë, me mbarë botën: është angazhim, që nis me Koncilin II të Vatikanit. Por sot bota ka ndryshuar e duhet ta gjallërojmë përsëri dialogun, edhe me botën e shkencës e me botën moderne. E kjo nuk është thjesht detyrë. Dialogu me të gjithë njerëzit është zemra e Ungjillit, sepse Krishti vdiq e u ngjall për të gjithë, për mbarë njerëzimin.

05 prill 2019, 14:56