Ringjallja Ringjallja 

Pashkёt: Papa, tё kundrojmë varrin e zbrazët tё Krishtit, ёshtё ngjallur!

"Sot tё kundrojmё varrin e zbrazët të Krishtit dhe t’i dëgjojmë fjalët e engjëllit: Mos ki frikë! Ai është ngjallur!". Kёshtu u shpreh Papa Françesku, në një tweet të ri, në faqen e internetit @ Pontifex.

R.SH. - Vatikan

"Sot tё kundrojmё varrin e zbrazët të Krishtit dhe t’i dëgjojmë fjalët e engjëllit: Mos ki frikë! Ai është ngjallur!". Kёshtu u shpreh Papa Françesku, në një tweet të ri, në faqen e internetit @ Pontifex, sot, në ditën kur në Kisha katolike nё Vatikan dhe nё mbarё botёn kremton Solemnitetin e të Ngjallurit të Zotit Jezu Krisht.

Papa, Natën e Pashkëve tё vitit kaluar, Papa Françesku u pati kёrkuar besimtarёve ta kundrojnin varrin e zbrazët, mos kenё frikë, tё ndjekin Jezusin!

Nё homelinё e Natёs sё Shenjtё tё Pashkёve 2018, Papa Françesku, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, mes tjerash, duke shpjeguar domethёnien e kremtimit, u ndal te  kumti “Krishti u ngjall!”,  njё kumt qё na mbush, me shpresë. Pastaj u ndal te kumti i Ungjillit, te fjalёt qё dёgjuan gratё kur shkuan te varri Jezusit: “Nuk është këtu. U Ngjall!” (Mt 28,6).

Feja jonë përtërihet

Jezu Krishti u Ngjall! U ngjall nga vdekja, nga vendi ku askush nuk priste gjë, e na pret - siç priti gratë - për të na bërë pjesëmarrës në veprën e Tij të shëlbimit. Varri i zbrazët na sfidon, na nxit, na inkurajon të besojmë e të shpresojmë në Zotin e në dritën e tij që - siguroi Papa - mund të arrijë deri në skutat më të fshehta të jetës.

Atëhere, ç’ do të thotë t’i  kremtosh Pashkët?

Atëhere, ç’ do të thotë t’i  kremtosh Pashkët? - pyeti Papa - T’i kremtosh Pashkët do të thotë të besosh përsëri se Zoti vërshon vrullshëm në historitë tona, duke i sfiduar determinizmat tona uniformuese e paralizuese. Do të thotë ta lësh Jezusin ta mundë sjelljen, që kërkon të varrosë çdo tip shprese. Guri i varrit e bëri punën e vet, gratë e bënë punën e vet!

Tani ftesa ju drejtohet edhe një herë ju e mua: ftesa për ta rinuar jetën tonë, udhët tona, kohën tonë. Ftesë, që na drejtohet atje ku jemi, në atë që bëjmë e që jemi; sipas takatit, që kemi.

Pashkët, festa më e rëndësishme e fesë sonë

Gjatë audiencës së përgjithshme të 31 marsit 2018 Papa Françesku theksoi  se Pashkët janë festa më e rëndësishme e vitit, qendra e fesë sonë dhe e shpresës sonë, është kerygma, që e ungjillëzon vazhdimisht Kishën e cila, nga ana e saj, dërgohet të ungjillëzojë.

Shën Pali e përmbledh ngjarjen e Pashkëve në këtë shprehje: “Krishti ‑ Qengji ynë i Pashkëve ‑ tanimë u flijua (1 Kor 5,7). Prandaj  “Gjërat e vjetra kaluan e lindën të rejat(2 Kor 5,15). E me një formulë tjetër sintetike, shpjegon se Krishti “u flijua për fajet tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë (Rom 4,25).   

Mos t'i harrojmë fjalët që Ungjilli i Pashkëve na thotë për Krishtin e Kryqëzuar e tv varrosur: Nuk është këtu. U ngjall! E të pret në Galile  - rikujtoi ù Papa -  të fton të kthehesh në kohën e vendin e dashurisë së parë për të të thënë: “Mos ki frikë! Ndiqmë!”.

21 prill 2019, 19:54