Kërko

Thirrja e Françeskut për refugjatët në Libi dhe viktimat e Afrikës Jugore

Pas lutjes mariane të Mbetëreshës Qiellore, Papa iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare, duke i kërkuar mbrojtje për refugjatët në Libi dhe ndihma për njerëzit e dëmtuar rëndë nga përmbytjet, në Afrikën Jugore.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore të kësaj së Diele II të Pashkëve, Papa Françesku u kujtoi besimtarëve dhe shtegtarëve të mbledhur në Sheshin e  Shën Pjetrit, lumnimin e djeshëm, në La Rioja të Argjentinës, të të lumëve  Enrique Angel Angelelli, ipeshkëv dioqezan; Carlos de Dios Murias, françeskan konventual; Gabriel Longueville, meshtar francez fidei donum dhe Wenceslao Pedernera, katekist. “Këta martirë të fesë - kujtoi Papa - u persekutuan për shkak të drejtësisë dhe të dashurisë ungjillore. Dëshmia e tyre - uroi akoma - i ndihmoftë posaçërisht ata, që punojnë për një shoqëri  më të drejtë e më solidare”.

Thirrje për refugjatët e burgosur në Libi

Pastaj, një mendim për refugjatët në Libi: “Ju ftoj të bashkoheni me lutjen  time për refugjatët që ndodhen në qendrat e burgimit në Libi, ku situata, edhe kështu e rëndë, po bëhet gjithnjë më e rrezikshme nga konflikti, në vijim. Bëj thirrje që, posaçërisht gratë, fëmijët e të sëmurët të evakuohen sa më shpejt që të jetë e mundur përmes korridoreve humanitare”.

Lutja për viktimat e përmbytjeve në Afrikën Jugore

Së fundi, Papa kërkoi lutje për viktimat e për ata që pësuan dëme të rënda nga shkaku i përmbytjeve që, kohët e fundit, e dëmtuan Jugun e Afrikës:

“Edhe këtyre vëllezërve tanë - përfundoi - uroj të mos u mungojë solidariteti ynë dhe ndihma konkrete e bashkësisë ndërkombëtare”.

 

 

28 prill 2019, 14:26