Kërko

Vatican News
 Papa me presidentin Dodik Papa me presidentin Dodik  (ANSA)

Tek Papa, Presidenti i turnit të Presidencës kolegjiale të Bosnjës dhe Hercegovinës, Dodik

Françesku priti Presidentin e turnit të Presidencës kolegjiale të Bosnjës dhe Hercegovinës, Dodik. Gjatë bisedimeve të përzemërta, u kujtuan marrëdhëniet e mira dypalëshe, prania e katolikëve në vend, vlera e dialogut dhe e respektit reciprok edhe në aspektin institucional. U fol edhe për perspektivat e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin perëndimor.

R. SH. - Vatikan

Sot Papa Françesku priti në audiencë, në Pallatin Apostolik, Presidentin e   turnit të Presidencës kolegjiale të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i cili, më pas, u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me imzot Antoin Camillerin, zëvendës-Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

“Gjatë  bisedimeve të përzemërta - lexohet në një notë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - u fol posaçërisht për  marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe praninë e bashkësisë katolike në Bosnjë e Hercegovinë. U kujtua, më pas, situata në vend dhe sfidat ekonomike e shoqërore, që duhen përballuar. U ripohua edhe  kërkesa për t’u garantuar barazinë e pajtimin popujve, që banojnë në këto treva, duke nënvizuar, në mënyrë të posaçme,  rëndësinë e dialogut dhe të respektit reciprok, edhe në kuadrin institucional, për kapërcimin e përçarjeve dhe sigurimin e paqes. Së fundi, u prekën edhe tema të politikës ndërkombëtare me interes të përbashkët, me theks mbi perspektivat e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin perëndimor”.  

26 prill 2019, 14:29