Imzot Angelo Giuseppe Roncalli (Papa i ardhshëm e shën Gjoni XXIII) në Bullgari Imzot Angelo Giuseppe Roncalli (Papa i ardhshëm e shën Gjoni XXIII) në Bullgari 

Roncalli në Bullgari, diplomacia e hollë e dashurisë

Disa javë para udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Bullgari, kujtojmë gjestet dhe fjalët për të cilat u vlerësua nga autoritetet dhe nga Sinodi Ortodoks, imzot Angelo Giuseppe Roncalli, Papa i ardhshëm Gjoni XXIII, gjatë misionit të tij si Vizitator Apostolik, në vitet 1925-1934.

R.SH. - Vatikan

Mirësia e njeriut - që një ditë do të bëhej universale dhe tepër e dashur nga të gjithë - është edhe një karakteristikë e shkëlqyer që ia lehtëson punën diplomatit me fytyrë të rrumbullt, që arrin në Sofje, më 25 prill 1925. Kur 44-vjeçari Angelo Giuseppe Roncalli vendos këmbën në kryeqytetin bullgar, sjell me vete një listë të gjatë me “udhëzime” të daktilografuara nga Propaganda Fide, e cila i sqaronte si duhej të ishte detyra e tij si Visitator Apostolik. Por në këtë punë delikate, që Papa Piu XI ia kishte ngarkuar një muaj e gjysëm më parë, do të merrnin rëndësi sidomos cilësitë e tij njerëzore. Që nga takimet e para të nivelit të lartë me mbretin Boris III dhe me hierarkinë e brishtë kishtare, Roncalli krijon simpati dhe dallohet për mendjemprehtësi, një çift vetish, ndër të cilat, e para e ndihmon t’i bëjë më bindëse argumentimet e së dytës mbi tema të vështira e mbi probleme të pazgjidhura kurrë. Dhurata të Hyjit, që bashkohen me një zemër plot fe e që 30 vjet më vonë, do ta nxisin atë ipeshkëv të qetë e të ri, të shihte e të dëshironte një Kishë të përtërirë nga një Koncil Ekumenik.

“Bindje dhe paqe”

         Në vitin 2016, Shtëpia Botuese e Vatikanit kremtoi me një libër, 25-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bullgarisë. Në faqet e fundit, bullgari Kiril Plamen Kartaloff, që u kujdes për botimin – korrespondent i Komitetit Papnor të Shkencave Historike dhe ish-pedagod i Universitetit Katolik të Milanos – mbledh një thesar të vogël me dokumente të pabotuara nga Arkivi Sekret i Vatikanit, nga Sekretaria e Shtetit dhe nga Kongregata për Kishat Lindore. Ndër dorëshkrimet autografe dhe kopjet e dokumenteve origjinale, del në pah edhe karakteri i Roncalli-t. Po ai pragmatizëm, i mençur e “i paqtë”, i një burri, që, me dinamizëm, përpiqet ta përmirësojë gjendjen e Kishës lokale dhe të marrëdhënieve ekumenike, pa u mburrur e pa i bërë të bezdisshme këshillat e Kuries Romake me nervozizmin e atij, që dëshiron t’i miratohen menjëherë nga vendasit. Një stil, që shprehet më së miri nga motoja e tij ipeshkvnore “Obedientia et pax”(Bindje dhe paqe). Aty-këtu ndër letra, edhe grimca ironie, tipike të një njeriu, që e zbut pak seriozitetin e ngurtë të korrespondencës protokollare.

Vizitë? Po, por shkurt

         Shembull për këtë, janë negociatat çertozine, me të cilat Roncalli krijon shpejt kushtet për hapjen e një Legate Apostolike, një nga sukseset më të rëndësishme të qëndrimit të tij në Bullgari. Plani është për të pasur një përfaqësi papnore në vend, e cila, megjithëse nuk ka rangun e nunciaturës, është më e qëndrueshme se misioni si Vizitator i vetë prelatit bergamask. Në mars të vitit 1926, Roncalli dërgon relacionin e tij në Kongregatën për Kishat Lindore, ku argumenton nevojën e ngritjes së Legatës. Vizitacioni Apostolik, duhej të ishte “vizitë e shkurtër”, sipas “ligjeve të mirësjelljes”, nënvizon Papa i ardhshëm. Kur, pas një viti, letra ishte akoma pa përgjigje, Roncalli merr kartë e penë e shkruan sërish, duke ngulur këmbë për hapjen e Legatës Apostolike në Bullgari, gjithnjë – ironizon – “nëse dëshirohet vërtet t’i jepet një impuls i frytshëm e i vazhdueshëm veprës së ringjalljes së katolicizmit në këtë vend”.

Pa u ndalur

         Roncalli i përkushtohet me të gjitha forcat kësaj vepre, që ka mbetur në analet e Kishës e të historisë së Bullgarisë. I dërguari i Papës lëviz në një mjedis shoqëror dhe kishtar, ku ndihen pasojat e luftës. Mbi mushkë a mbi qerre, ai shkon në fshatrat dhe në famullitë e harruara, duke folur, para së gjithash, me fjalët e solidaritetit. Bullgaria është një vend krenar për fenë ortodokse, por ai ipeshkëv katolik, konkret dhe njerëzor, vlerësohet dhe respektohet. E jo më pak, edhe nga bashkësia katolike. Roncalli e viziton vendin gjerë e gjatë, duke çuar kujdesin atëror të Papës Piu XI. Më 1931, Legata Apostolike bëhet realitet e imzot Roncalli emërohet në krye të saj. Të gjithë janë të kënaqur, madje, edhe Sinodi ortodoks, që fillimisht pati mbajtur distancë nga Vizitatori papnor. Deri në vitin 1934, ai që do të bëhej Papa i mirë, qëndroi në krye të delegacionit të Selisë së Shenjtë, para se të vijonte udhën, gjithnjë si Legat papnor, për në Stamboll, ku ndodhej selia vatikanase, që mbulonte Turqinë dhe Greqinë. Në letrën, që i shkruan gruas së mbretit Boris III, shenjti i ardhshëm nuk e fsheh “pikëllimin” se po largohej nga Bullgaria, të cilën e quan “shtëpi e dytë”, si edhe nga familja mbretërore, me të cilën kishte marrëdhënie, që i kapërcenin kufijtë e formalitetit.

15 prill 2019, 14:42