Cerca

Vatican News
 Bekimi Urbi et Orbi - Romës e Botës Bekimi Urbi et Orbi - Romës e Botës  (Vatican Media)

Papa, Urbi et Orbi: ura, jo mure e as indiferencë, përballë padrejtësive në botë!

Gjatë bekimit tradicional Urbi et Orbi, në ditën e Pashkëve, Papa kujtoi të gjitha vuajtjet e kohës e të botës sonë: nga Lindja e Mesme, tek vendet afrikane, nga shtetet e kontinentit amerikan, që jetojnë në situata të “vështira” politike dhe ekonomike, tek përdorimi i armëve, pa i harruar të varfërit e të nëpërkëmburit.

R. SH. - Vatikan

Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Pashkët!

Sot Kisha përsërit kumtin e dishepujve të parë: “Jezusi u ngjall!”. Gojë më gojë e zemër më zemër jehon ftesa për lavdërim: “Alleluja!... Alleluia!”. Në këtë ag Pashkësh, rini e përjetshme e Kishës dhe e mbarë njerëzimit, do të dëshiroja t’i arrinin secilit nga ju fjalët e para të Nxitjes së fundit Apostolike, kushtuar posaçërisht të rinjve:

“Krishti jeton. Ai është shpresa jonë e më e bukura rini e kësaj bote. Gjithçka prek dora e Tij, rinohet, mbushet me jetë. Prandaj, fjalët e para që dëshiroj t’i drejtoj  çdo të riu (e çdo) të krishteri, janë: Ai gjallon e të do të gjallojë! Ai është në ty. Ai është me ty e nuk do të largohet kurrë më. Sado që ti të largohesh, pranë teje është i Ngjalluri, që të thërret e të pret, për të rifilluar. Kur të ndjehesh i plakur nga trishtimi, mëllefi, droja, dyshimet a dëshpërimet, Ai do të jetë aty, për të ta rikthyer forcën e shpresën”(Christus vivit, 1-2).

         Të dashur vëllezër e motra, ky mesazh i drejtohet njëkohësisht çdo njeriu e mbarë botës. Ngjallja e Krishtit është zanafillë e jetës së re për çdo burrë e çdo grua, sepse përtëritja e vërtetë nis gjithnjë nga zemra, nga ndërgjegjja. Por Pashkët janë edhe fillesë e botës së re, të çliruar nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes: bota, më në fund, hapet për Mbretërinë e Zotit, Mbretëri e dashurisë, e paqes, e vëllazërimit!

         Krishti jeton e mbetet me ne. Ai na tregon fytyrën e Tij të gjallë e nuk na braktis në provë, në dhimbje, në mort. Ai, i Gjalli, qoftë shpresë për popullin e  dashur sirian, viktimë e një konflikti pa fund, që rrezikon  të na gjejë gjithnjë më të nënshtruar e deri indiferentë. Ndërsa është çasti ta përsërisim angazhimin për një rrugëzgjidhje politike, që t’u përgjigjet aspiratave të drejta për liri, paqe, drejtësi, t’i bëjë ballë krizës humanitare e të favorizojë rikthimin e sigurt të të shpërngulurve, ashtu si edhe të refugjatëve në vendet fqinje, posaçërisht në Liban e Jordani.

         Pashkët na nxisin t’i drejtojmë sytë nga Lindja e Mesme, e copëtuar  nga përçarjet dhe tensionet e vazhdueshme. Të krishterëve në rajon mos u mungofshin mundësitë për ta dëshmuar me ngulm durimtar Zotin e Ngjallur dhe fitoren e Tij mbi vdekjen. Kujtoj posaçërisht popullsitë e Jemenit, e sidomos fëmijët e kapitur  nga uria e nga lufta. Drita e Pashkëve i shndritët të gjithë qeveritarët dhe popujt e Lindjes së Mesme e, duke nisur nga Izraelitët e Palestinezët, i nxitët t’i lehtësojnë vuajtjet e shumta e të kërkojnë  një ardhmëri paqeje e stabiliteti.

          Armët pushofshin s’e gjakosuri Libinë, ku njerëz të pambrojtur  rifilluan të vdesin këto javët e fundit e ku shumë familje detyrohen t’i braktisin shtëpitë e tyre. I nxis palët e interesuara të zgjedhin rrugën e dialogut e jo të dhunës, duke e shmangur rrezikun që të rihapen plagët e një dekade konfliktesh e pasigurie politike.

         Krishti i Gjallë i dhuroftë paqen e tij Kontinentit të dashur afrikan, ende të mbjellë me tensione shoqërore, konflikte e, nganjëherë, edhe me ekstremizma të dhunshme, që lënë mbrapa pasiguri, shkatërrim e vdekje, posaçërisht në Burkina Faso, Mali, Niger, Nigeri e Kamerun. Mendimi im shkon edhe në Sudanin, që po kalon një çast paqartësie politike e ku uroj  që të gjitha instancat të mund të kenë zë e që secili të përpiqet  për t’i siguruar vendit  lirinë, zhvillimin e mirëqenien, që e dëshiron prej kohe.

Zoti i ngjallur i shoqëroftë përpjekjet e bëra nga autoritetet civile e fetare të Sudanit të Jugut, të ndihmuara nga frytet e ushtrimeve shpirtërore, mbajtur këto ditë në Vatikan. U haptë një faqe e re në historinë e vendit, në të cilën të gjithë përfaqësuesit politikë, shoqërorë e fetarë të angazhohen aktivisht për të mirën e përbashkët dhe pajtimin e Kombit.

Në këto Pashkë, u ngushëlloftë popullsia e rajoneve lindore të Ukrainës, që vuan përsëri për shkak të konfliktit, ende në vijim. Zoti  i inkurajoftë nismat humanitare si dhe ato që synojnë sigurimin e  një paqeje afatgjatë.

Gëzimi i Ngjalljes i mbushtë zemrat e të gjithë atyre që, në Kontinentin amerikan vuajnë nga pasojat e situatave të vështira politike dhe ekonomike. Mendoj posaçërisht për popullin venezuelan: për një mori njerëzish, të cilëve u mungojnë edhe kushtet më të nevojshme për një jetë të denjë e të sigurtë, nga shkaku i krizës së zgjatur, që vijon të  thellohet. Zoti i ndihmoftë të gjithë ata, që kanë përgjegjësi politike, për t’u dhënë fund padrejtësive shoqërore, shpërdorimeve e dhunës e për të bërë hapa konkrete, që krijojnë mundësitë për t’i kapërcyer përçarjet e për t’i dhënë popullit ndihmat aq të nevojshme.

         Zoti i ngjallur i ndriçoftë përpjekjet, që po bëhen në Nikaragua për të gjetur sa më shpejt rrugëzgjidhje paqësore, të bazuar mbi bisedime në të mirën e të gjithë nikaraguensëve.

         Përballë vuajtjeve të shumta të kohës sonë, Zoti i jetës  mos gjetët  njerëz të akullt e indiferentë. Na bëftë  ndërtues urash, jo muresh. Ai, që na jep paqen e tij, bëftë të pushojë vringëllima e armëve, si në viset ku luftohet, ashtu edhe në qytetet tona e i frymëzoftë liderët e kombeve  të përpiqen për t’i dhënë fund garës së armatimeve dhe përhapjes shqetësuese të armëve, posaçërisht në vendet ekonomikisht më të zhvilluara. I Ngjalluri, që hapi dyert e varrit, i haptë edhe zemrat tona për t’iu pëgjigjur kërkesave të nevojtarëve, të pambrojturve, të varfërve e të papunëve, të emigrantëve e të atyre që trokasin në portën tonë në kërkim të bukës, të strehës e të njohjes së dinjitetit të tyre.

Të dashur vëllezër e motra, Krishti jeton! Ai është shpresa e rinisë për secilin prej nesh e për botën mbarë. Ta lëmë ta rinojë! Gëzuar Pashkët! 

21 prill 2019, 12:58