Urbi et Orbi: Papa ngushëllon srilankezët Urbi et Orbi: Papa ngushëllon srilankezët 

Papa: trishtim e dhimbje, për atentatet, që tronditën rëndë Sri Lankën

Në përfundim të bekimit Urbi et Orbi - Romës e Botës, Françesku u lut për viktimat e “dhunës mizore” në Sri Lanka dhe i shprehu afërsinë e tij bashkësisë së krishterë vendase, të goditur rëndë nga disa shpërthime, ndërsa ishte e gjunjëzuar në lutje, Ditën e Pashkëve.

R. SH. - Vatikan

Papa, i prekur thellësisht, kujtoi, në përfundim të bekimit Urbi et Orbi,  atentatet kundër kishave dhe hoteleve në Sri Lanka, me pasojë qindra të vdekur e të plagosur. Kështu hyri, në kremtimin gazmor të Pashkëve, ky realitet tejet i hidhur e Papa foli për të në përfundim të bekimit Urbi et Orbi, nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit:

“Mora, me trishtim e dhimbje, lajmin e atentateve të rënda që, pikërisht sot, ditën e Pashkëve, sollën zi e dhimbje në disa kisha e vende publike  të Sri Lankës. Dëshiroj t’i shpreh afërsinë time të përzemërt bashkësisë së krishterë, të goditur ndërsa lutej si dhe të gjitha viktimave të kësaj dhune kaq mizore. Ia besoj Zotit ata, që vdiqën tragjikisht e lutem për të plagosurit dhe të gjithë ata, që vuajnë për shkak të kësaj ngjarjeje dramatike”.

21 prill 2019, 12:54