Kërko

Papa Françesku në Ditën Botërore të Rinisë, në Panama Papa Françesku në Ditën Botërore të Rinisë, në Panama 

Papa të rinjve: Zoti ju do e Kisha ka nevojë për ju

Nxitja Apostolike pas-sinodale “Christus vivit” e Papës Françesku drejtuar “të rinjve dhe gjithë popullit të Zotit” u bë e njohur sot paradite. Paraqitet në formën e një Letre dhe përbëhet nga 9 kapituj të ndarë në 299 paragrafe. Nga analiza e realiteteve rinore deri te ftesa për ta përjetuar plotësisht rininë, përmes miqësisë me Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Në tekstin e dokumentit, Papa shpjegon se është frymëzuar “nga pasuria e reflektimit dhe dialogut të Sinodit” mbi të rinjtë, që u mbajt në Vatikan, në tetor 2018. Fjalët me të cilat fillon Nxitja Apostolike – që, si zakonisht në dokumentet papnore, përbëjnë edhe titullin “Christus vivit” (Krishti jeton), – japin përmbledhtas mesazhin e saj pozitiv: “Krishti jeton. Ai është shpresa jonë dhe rinia më e bukur e kësaj bote... Prandaj, fjalët e para që dua t’i drejtoj çdo të riu të krishterë janë: Ai jeton dhe dëshiron të ndihesh i gjallë!”. Por le të përshkojmë faqet, sipas kapitujve:

Kapitulli I - Çfarë thotë Fjala e Zotit për të rinjtë?

Teksti fillon nga Fjala e Zotit për të rinjtë, nga mënyra si i sheh Hyji. Sjell shembuj të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re për të provuar vlerën e tyre në epoka, kur ata vlenin vërtet shumë pak. Papa vë në dukje se “Jezusit nuk i pëlqente kur të rriturit i shihnin të rinjtë me përbuzje ose kur i mbanin në shërbim të tyre me zor. Përkundrazi, thoshte: ‘Kush prej jush është më i madh, le të bëhet si më i riu’. Njëkohësisht, Shkrimi Shenjt këshillon respektin për të moshuarit. Rinia nuk është vetëm çështje moshe. Vërtet, Jezusi takon të riun pasanik, por ‘shpirti i tij nuk ishte aq i ri - shkruan Papa – sepse, tashmë, ishte lidhur me pasurinë dhe rehatinë’”. Gjithashtu, në Ungjill, ka disa vajza të reja “të gatshme dhe të vëmendshme”, ndërsa të tjera janë “të hutuara dhe gjumashe”. Të rinjve që e kanë humbur gjallërinë, Zoti u drejtohet me ftesën: “Djalë, të po të them, çohu!”.

Kapitulli II - Jezu Krishti gjithmonë i ri

Sinodi pohoi se rinia është një periudhë plot stimuj e asaj jete, që e pati jetuar edhe vetë Krishti. Por si flet Ungjilli për këtë? Nuk duhet të mendojmë, shkruan Françesku, se “Jezusi ishte një adoleshent i vetmuar… Marrëdhëniet e tij me njerëzit ishin ato të një të riu, që e ndante jetën me një familje të integruar mirë në fshat”, “askush nuk e konsideronte si të çuditshëm, ose veç të tjerëve”. Baritoria rinore duhet t’i ketë parasysh këto aspekte të rinisë së Jezusit “që të mos bëhen projekte, të cilat i izolojnë të rinjtë nga familja dhe bota, ose i shndërrojnë në një pakicë të zgjedhur, larg çdo kontakti, që mund t’i infektojë”. Nevojiten “plane, që i forcojnë, i shoqërojnë dhe i projektojnë ata drejt takimit me të tjerët, drejt shërbimit bujar e misionit”.

Kisha mbetet e re kur është vetvetja

Më pas, Papa Françesku flet për rininë e Kishës dhe shkruan: “T’i lutemi Zotit ta lirojë Kishën nga ata që duan ta plakin, ta lënë në të kaluarën, ta frenojnë, ta bëjnë të palëvizshme. T’i kërkojmë edhe ta lirojë nga një tundim tjetër: të besojë se është e re, sepse bën lëshime për gjithçka ofron bota”, duke e maskuar veten si të tjerët. “Jo. Ajo është e re kur është vetvetja”. E nëse për shumë të rinj feja dhe Kisha janë fjalë të zbrazëta, Papa vëren se “ata janë të ndjeshëm ndaj figurës së Jezusit, kur paraqitet në mënyrë tërheqëse”. Për ta bërë këtë, Kisha duhet të jetë e gatshme të ndryshojë disa gjëra konkrete.

Ndjenjat e ndryshme të të rinjve për Kishën

Në Nxitjen Apostolike, pranohet se ka të rinj për të cilët Kisha është “e bezdisshme dhe madje, irrituese”, për arsye, që nganjëherë duhen respektuar, shkruan Papa, si “shkandullet seksuale dhe ekonomike; meshtarët e papërgatitur… roli pasiv, që u jepet të rinjve në bashkësinë e krishterë; vështirësia e Kishës për të arsyetuar qëndrimet e saj doktrinore dhe etike përballë shoqërisë”. Të rinj të tjerë dëshirojnë “një Kishë që dëgjon më shumë, që nuk e dënon vazhdimisht botën. Nuk duan një Kishë të heshtur dhe të ndrojtur, por as një Kishë gjithmonë në luftë”. Papa Françesku e shpjegon këtë duke nënvizuar se një Kishë tepër e ndrojtur, për shembull, mund të jetë vazhdimisht kritike “ndaj të gjitha përpjekjeve për mbrojtjen e të drejtave të grave”, temë e trajtuar nga Sinodi, ndërsa një “Kishë e gjallë mund të reagojë duke i kushtuar vëmendje arsyeve të ligjshme… pa u pajtuar me gjithçka propozojnë disa grupe feministe”. Françesku paraqet Marinë, vajzën nga Nazareti, dhe “po”-në e saj, karakteristike për “ata që duan të rrezikojnë”, duke pasur parasysh premtimin e Hyjit. Të rinjve, Ati i Shenjtë u thotë se në Kishë ka shumë shenjtorë të rinj të guximshëm, që kanë dhënë jetën për Krishtin.

Kapitulli III - Ju jeni e tashmja e Zotit

Në kapitullin e tretë të Nxitjes Apostolike, Papa thekson se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja e botës, por e tashmja e saj, prandaj, duhen dëgjuar, duke iu kundërvënë tundimit për “përgjigje dhe receta të gatshme”, duke parë ç’ka pozitive në ta, me aftësinë “për të gjetur udhë aty ku të tjerët shohin vetëm mure”. Realitetet e të rinjve janë të ndryshme, vijon më tej teksti. Ati i Shenjtë kujton të rinjtë, që jetojnë në vende lufte, ata, që shfrytëzohen nga krimi, nga trafiku i njerëzve, që skllavërohen e shfrytëzohen seksualisht. Ata, që “ideologjizohen, instrumentalizohen dhe përdoren si mish për top”. Të shumtë janë të rinjtë e mënjanuar për arsye fetare, etnike apo ekonomike. Papa përmend vajzat që mbeten shtatzënë, plagën e abortit, përhapjen e virusit HIV, format e ndryshme të varësisë, gjendjen e fëmijëve të rrugës dhe përfundon: “Ne nuk mund të jemi Kishë, që nuk derdh lot para këtyre dramave të bijve të saj më të rinj”.

Kolonizimi ideologjik në temën e seksualitetit

Papa Françesku nënvizon edhe fenomenin e kolonizimit ideologjik, i cili në shumë vende të varfra, në këmbim të ndihmës ekonomike, imponon propozime perëndimore për jetën, që dëmtojnë veçanërisht të rinjtë. Në lidhje me seksualitetin, Papa thotë se “në një botë që thekson ekskluzivisht seksualitetin, është vështirë të ruash marrëdhënie të mira me trupin dhe të jetosh qetësisht marrëdhëniet dashurore”. Edhe për këtë arsye, morali seksual është shpesh shkak “keqkuptimi dhe largimi nga Kisha”, e cila perceptohet si “hapësirë gjykimi dhe dënimi”.

Kujdes ndaj botës dixhitale dhe të rinjve emigrantë

Nxitja Apostolike “Christus vivit” nuk mungon të flasë edhe për mjedisin dixhital, i domosdoshëm për të arritur tek të rinjtë. Por ai është edhe “një territor vetmie, manipulimi, shfrytëzimi dhe dhune”, ku gjen vend cyber-bullizmi, përhapja e pornografisë, shfrytëzimi i njerëzve për qëllime seksuale ose nëpërmjet lojërave të fatit, qarkullimi i lajmit të rremë, që nxit urrejtje. Fenomen “që prek edhe Kishën dhe barinjtë e saj”. Si të mos kujtojmë pastaj, vazhdon Papa Françesku, edhe shumë të rinj emigrantë? “Në disa vende të mbërritjes së tyre - shkruan ai - fenomenet migratore nxisin alarm dhe frikë, shpesh të shfrytëzuara për qëllime politike. Përhapet kështu, një mendësi ksenofobe”. Ati i Shenjtë u kërkon të rinjve të mos i dëgjojnë ata, që i nxisin kundër të rinjve të tjerë.

Tema e abuzimeve, mundësi ripërtëritjeje për Kishën

Papa trajton edhe çështjen e abuzimit të fëmijëve dhe ripohon angazhimin e Sinodit për miratimin e masave parandaluese rigoroze, duke u shprehur mirënjohje “atyre, që kanë guximin ta denoncojnë menjëherë të keqen”. Për Kishën, me ndihmën e të rinjve, ky çast i errët “mund të jetë vërtet mundësi për një reformë me rëndësi historike, deri në Rrëshajë të reja”. Françesku u kujton të rinjve se “ka rrugëdalje” nga të gjitha situatat e dhimbshme dhe se shumë të rinj, sidomos në jetën rregulltare, kanë arritur të mos bien në kurth e ta jetojnë lirisht rininë si “kohë për t’u dhuruar bujarisht, për ta ofruar sinqerisht” vetveten.

Kapitulli IV – Kumti i madh për gjithë të rinjtë

Në kapitullin e katërt, Papa Françesku u drejton të rinjve, kumtin më të rëndësishëm, përmes tri të vërtetave të mëdha: Së pari: “Zoti të do”; së dyti: “Krishti të shëlbon”, sepse dashuria e Tij “është më e madhe se të gjitha kontradiktat e dobësitë tona”. E vërteta e tretë: “Ai jeton!” E nëse “Ai jeton, atëherë, me të vërtetë mund të jetë i pranishëm në jetën tënde, në çdo çast, për ta mbushur me dritë”. Në Nxitje lexojmë: “Nëse e çmon me zemër bukurinë e këtij kumti dhe e lejon Zotin të të takojë; nëse e lë të të dojë e të të shpëtojë; nëse lidh miqësi me Të dhe fillon të bisedosh me Krishtin e gjallë rreth gjërave konkrete të jetës, kjo do të jetë… përvoja themelore, që do ta mbështesë jetën tënde të krishterë. Kjo është edhe përvoja, që mund t’ua komunikosh të rinjve të tjerë”.

Kapitulli V – Rrugë rinore

Pyetja, me të cilën nis kapitulli i 5-të është: “Si jetohet rinia, kur e lejojmë kumtin e madh të Ungjillit të na shndrisë e të na shndërrojë?” Për Papën Françesku, kjo është pyetje e rëndësishme, sepse të jesh i ri “është dhuratë, që mund ta shpërdorojmë kot, ose mund ta marrim me mirënjohje dhe ta jetojmë plotësisht”. Rinia, vazhdon ai, nuk mund të mbetet “kohë pezull”, sepse “është koha e vendimeve”, e zgjedhjeve të rëndësishme të jetës. Ati i Shenjtë i fton të rinjtë të mos jetojnë me ankth, sepse “ëndrrat më të bukura realizohen me shpresë, durim dhe përkushtim, duke hequr dorë nga nxitimi”, por i këshillon edhe të mos kufizohen ta shohin jetën nga ballkoni, ose para ndonjë ekrani, duke u bërë thirrje: “Ngrijeni zërin! Dëbojeni frikën, që ju paralizon… jetoni!”. Dhe mos e privoni rininë nga miqësia me Jezusin, që e plotëson mënyrën për të qenë të rinj, duke ju bërë të ndiheni gjithmonë në shoqëri me Të, si dishepujt e Emausit.

Qëndroni të bashkuar me Jezusin dhe hapjani zemrën të tjerëve

Papa u këshillon të rinjve ta ruajnë gjithmonë “lidhjen” me Jezusin dhe u propozon “udhë vëllazërimi” për ta jetuar fenë. Pastaj, flet për të rinjtë e impenjuar, të cilët ka rrezik “të mbyllen në grupe të vogla”. I fton ta jetojnë impenjimin e tyre shoqëror në kontakt me të varfërit dhe të jenë protagonistë të ndryshimit drejt një qytetërimi më të drejtë dhe më vëllazëror. Së fundi, i nxit të bëhen “misionarë të guximshëm”, duke e dëshmuar Ungjillin kudo, me jetën e tyre, madje duke shkuar kundër rrymës.

Kapitulli VI - Të rinj me rrënjë

“Nganjëherë kam parë pemë të reja, të bukura, të cilat i lartonin degët drejt qiellit, duke u prirur lart e më lart, dukeshin këngë shprese – shkruan Papa. -Më vonë, pas ndonjë stuhie, i kam gjetur përdhe, pa jetë. Sepse kishin pak rrënjë...”. Françesku shpreh kështu, bindjen e tij se s’ka të ardhme pa rrënjë dhe se botës nuk i shërben prishja e marrëdhënieve ndërmjet brezave. Flet për manipuluesit, që do të dëshironin të rinj pa rrënjë, sepse vetëm kështu mund t’u besojnë premtimeve të tyre. Prandaj, Papa vë theksin mbi marrëdhëniet me të moshuarit, pavarësisht se “kjo – nënvizon – s’do të thotë që të rinjtë të jenë gjithnjë dakord me ç’thonë ata”. Por duhet ecur së bashku.

Kapitulli VII - Kujdesi baritor për të rinjtë

Në kapitullin e shtatë, Papa niset nga fakti se baritoria rinore në Kishë e ka ndierë sulmin e ndryshimeve shoqërore dhe kulturore dhe se “në strukturat e zakonshme, të rinjtë shpesh nuk gjejnë përgjigje për shqetësimet e tyre”. Është e nevojshme që ata vetë të jenë “protagonistë të baritorisë rinore, të shoqëruar dhe të udhëzuar, por të lirë të gjejnë gjithmonë shtigje të reja, me krijimtari dhe guxim”. Baritoria rinore ka nevojë për fleksibilitet, që të nxisë takimin me Zotin. Duhet të ndjekë dy linja kryesore veprimi: kërkimin, pra, të shqyrtojë thirrjen e të rinjve për t’iu kushtuar Zotit, si edhe rritjen e tyre. Për të parën, Ati i Shenjtë nënvizon se duhet privilegjuar “gjuha e afërsisë, gjuha e dashurisë pa interes… që prek zemrën”, duke ofruar çaste, që ndihmojnë “për të thelluar përvojën personale të dashurisë së Zotit dhe të Jezu Krishtit të gjallë”. Të rinjtë duhet të ndihmohen “për të krijuar bashkësi, për t’u shërbyer të tjerëve, për t’u ndenjur pranë të varfërve”. Për sa i përket rritjes, Papa këshillon të mos teprohet me doktrinën për t’u transmetuar, por “të nxiten e rrënjosen përvojat e rëndësishme, që e mbështesin jetën e krishterë”. Institucionet e Kishës duhet të kthehen në ambiente të përshtatshme dhe mikpritëse për të rinjtë.

Shoqërimi i të rinjve, duke respektuar lirinë e tyre

Një aspekt vendimtar, sipas Papës, është baritoria e institucioneve arsimore katolike. Papa kritikon shkollat ​​e shndërruara në një lloj “bunkeri”, që mbron nga gabimet e jashtme. Objektivi duhet të jetë formimi i njerëzve të fortë, të integruar, të aftë t’i japin shoqërisë. Ndër fushat e zhvillimit baritor, Papa përmend artin, sportin dhe angazhimin për mbrojtjen e gjithësisë. E më tej: na duhet “një baritori rinore popullore”, pa shumë rregulla dhe korniza. Sepse, duke pretenduar “një baritori rinore asketike, të pastër, të karakterizuar nga ide abstrakte, larg botës dhe të panjollë, e kthejmë Ungjillin në një propozim pa shije, të pakuptueshëm dhe të largët, të ndarë nga kulturat rinore”. Si përfundim, duhet të shoqërohen të rinjtë, duke i lënë të lirë. Të rinjtë e thonë vetë ç’duan të gjejnë tek ata, që i shoqërojnë: vërtetësinë e jetës së krishterë e shoqërore, aftësinë për të mos gjykuar, por për të dëgjuar, mirësinë dhe vetëdijen për kufizimet e vetvetes”.

Kapitulli VIII – Thirrja e të rinjve

Zoti ka një projekt të mrekullueshëm për secilin prej nesh, thekson Papa. Për ta realizuar, duhet të zhvillohemi. Dy, aspektet themelore për këtë: formimi i familjes dhe puna. Françesku shkruan se “të rinjtë e ndiejnë fort thirrjen për dashuri dhe ëndrrojnë të takohen me njeriun e duhur për të formuar familje”. Seksualiteti është dhuratë dhe “ka dy qëllime: ta duash tjetrin dhe të krijosh jetë të re”. Pavarësisht nga vështirësitë, Papa u siguron të rinjve se “ia vlen të vini bast mbi familjen… Besimi se s’ka asgjë, që jeton përgjithmonë, është mashtrim… Ju kërkoj të jeni revolucionarë, ju bëj thirrje të shkoni kundër rrymës”. “Kam besim tek ju, prandaj ju inkurajoj të zgjidhni martesën”.

Mos i braktisni ëndrrat dhe kushtojuni Zotit

Përsa i përket punës, Papa denoncon mënjanimin e të rinjve dhe i bën thirrje politikës të angazhohet kundër papunësisë së tyre. Të rinjve u thotë: “Është e vërtetë që s’mund të jetoni pa punuar dhe ndonjëherë, ju duhet të pranoni punën që gjeni, por kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat, mos e varrosni kurrë thirrjen tuaj”. Ati i Shenjtë e përfundon këtë kapitull, duke folur për mundësinë që të rinjtë t’i kushtohen Zotit, në jetën meshtarake e rregulltare. “Pse ta përjashtosh? Të jesh i sigurt se kur e kupton thirrjen e Zotit dhe e ndjek atë, do ta jetosh jetën me plotësi”.

Kapitulli IX - Shoshitja

Zbulimi i thirrjes është “detyrë që kërkon vetmi dhe heshtje”, është vendim personal, thekson Papa, prandaj, nevojitet shoshitje, që e kapërcen arsyen. Sipas Françeskut, atyre që i ndihmojnë të rinjtë në këtë shqyrtim, u kërkohen tri ndjeshmëri: vëmendja dhe dëgjimi i personit, aftësia për të dalluar hirin nga tundimi, të vërtetën nga mashtrimi dhe, së fundi, aftësia për të kuptuar “ku dëshiron të shkojë vërtet tjetri”. Ati i Shenjtë këshillon: duhet “të nxisim e të shoqërojmë procese, pa e imponuar rrugën”. Nxitja Apostolike “Christus vivit” përfundon me një dëshirë të Papës: “Të dashur të rinj, - shkruan Françesku - do të lumturohem nëse ju shoh të vraponi më shpejt se të ngadalshmit e të frikësuarit… Kisha ka nevojë për hovin, intuitën, besimin tuaj... Kur të mbërrini atje ku nuk kemi arritur ende, kini durimin të na prisni”.

02 prill 2019, 16:28