Kërko

2019-04-25-giovani-diocesi-di-aire-ed-dax-1556187233725.JPG

Papa, të rinjve francezë: Kisha ka nevojë për fenë tuaj

Papa priti sot paradite, në Sallën e Koncistorit, rreth 100 të rinj nga dioqeza e Aire et Dax, në Francë. I nxiti ta bëjnë të dukshme dashurinë e Zotit, me entuziazëm dhe guxim, duke kujtuar edhe se kuadri aktual nuk është i lehtë, sidomos, për shkak të çështjes së dhimbshme dhe të ndërlikuar të abuzimeve, megjithëse jo më i vështirë se në epoka të tjera të Kishës.

R.SH. - Vatikan

Kisha “ka nevojë për fenë tuaj”. E drejtpërdrejtë, kërkesa e e Papës Françesku për të rinjtë e dioqezës së Aire et Dax, në jug-perëndim të Francës, të cilët ndodhen në Romë, në shtegtim për “Ditët e Rinisë së Landes”, shoqëruar nga ipeshkvi i tyre, imzot Souchu. Rruga, që u tregon Papa gjatë audiencës në Sallën e Koncistorit, është të jenë “ndërtues urash” për të kontribuar në vëllazërimin njerëzor, për t’u qëndruar pranë të vegjëlve dhe të varfërve, për t’u bërë dëshmitarë të Ungjillit, duke e ditur se njerëzit vazhdojnë të kërkojnë një përgjigje mbi kuptimin e jetës. Ati i Shenjtë u kërkon të rinjve të ndjekin shembullin e Shën Vinçenc de Paulit, i lindur pikërisht në Landes. Ai ia kushtoi jetën përkujdesjes për të varfërit, prandaj është Pajtor i të gjitha shoqatave bamirëse.

Kuadri aktual nuk është i lehtë, por jo më i vështirë se në epoka të tjera

Papa thekson rëndësinë e shtegtimit të tyre në Romë, pranë varreve të apostujve Pjetër e Pal dhe pranë martirëve. Një aspekt i rëndësishëm ky, vëren Bergoglio, sepse disa njerëz mendojnë se sot është më e vështirë të jenë të krishterë dhe ta jetojnë fenë. E nganjëherë, vështirësitë kthehen në sprova, të cilat, edhe ju, u thotë të rinjve, “i kaloni me siguri”:

“Në fakt, kuadri aktual nuk është i lehtë, edhe për shkak të çështjes së dhimbshme dhe të ndërlikuar të abuzimeve, kryer nga anëtarët e Kishës. Megjithatë, dëshiroj t’ju përsëris se sot nuk është më vështirë se në epokat e tjera të Kishës: është ndryshe, por nuk është më vështirë”.

Papa i nxit të rinjtë francezë të përfitojnë nga ky shtegtim që të rizbulojnë se Kisha ecën prej dy mijë vitesh, duke ndarë gëzimin dhe ankthin e njerëzve. Ati i Shenjtë sheh pikërisht tek rinia “veprën e Zotit, që nuk e braktis Kishën e tij”, duke bërë që ajo të rinohet falë entuziazmit dhe talenteve të të rinjve.

Të zhvillojmë kulturën e takimit

Prandaj, Papa shpreson që në këtë Kishë mëkatare, të rinjtë të mund ta kuptojnë mesazhin, që Jezusi dëshiron t’i japë botës, përmes jetës së tyre. Duke kujtuar shën Vinçenc de Paulin, i nxit të pranishmit që të dëshmojnë dashurinë e Zotit, në mënyrë që Kisha të duhet kudo ku ata jetojnë:

“Po, lejojeni Shpirtin Shenjt t’ju shndërrojë e t’ju përtërijë, për ta çuar Krishtin në çdo ambient, duke dëshmuar gëzimin dhe rininë e Ungjillit! E, duke ndjekur shembullin e Shën Vinçenc de Paulit - nga Landes si ju - bëjeni të dukshme dashurinë, me të cilën ju ka mbushur Zoti, duajini të tjerët ‘me forcën e krahëve dhe me djersën e ballit!’ Jini gjithmonë ndërtues urash ndërmjet njerëzve, duke u përpjekur të zhvilloni kulturën e takimit dhe të dialogut, për të kontribuar në ardhjen e vëllazërimit të vërtetë njerëzor”.

Njerëzit, e kërkojnë akoma kuptimin e jetës

Një mision, të cilin Papa e përshkruan me pamjen e yjeve, që ndriçojnë natën e të sprovuarve, që e kthejnë vëmendjen drejt më “të vegjëlve dhe më të varfërve”:

“Ju mund të tregoni, me gjeste dhe fjalë, se ‘Hyji është gjithmonë i ri… na çon atje, ku njerëzimi është më i plagosur dhe ku njerëzit, nën dukjen e konformizmit, vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për kuptimin e jetës’. Kam shpresë tek ju. Kisha ka nevojë për hovin, intuitën, fenë e guximin tuaj!”

25 prill 2019, 14:28