Kërko

VATICAN-POPE-AUDIENCE VATICAN-POPE-AUDIENCE 

Papa të rinjve Univ2019: bazoni jetën tuaj në vlerat e fesë

Këtyre ditëve kanë ardhur në Romë mbi 2.000 studentë universiteti nga e gjithë bota, për të përjetuar së bashku Javën e Shenjtë dhe Pashkët bashkë me Papën Françeskun. Konceptuar në vitin 1968 nga Shën Josemaria Escrivà de Balaguer, themelues i Opus Dei, takimi ndërkombëtar ka në program ligjërata, debate, tryeza të rrumbullakëta dhe ekspozita

R.SH. - Vatikan

"Përshëndes përzemërsisht, në audiencë, pjesëmarrësit e takimit Univ 2019. Të dashur të rinj që po jetoni këto ditë vëllazërimi e formimi, duke ndjekur shembullin e Shën Josemarisë, mbështeteni jetën tuaj gjithnjë e më shumë mbi vlerat e fesë, kështu që duke ndryshuar veten sipas shembullit të Krishtit, do të mund ta ndryshoni botën rreth jush".

Kështu Papa Françesku i përshëndeti studentët universitarë të pranishëm në audiencën e përgjithshme, që u mbajt sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, të cilët, siç kujtuam, këtyre ditëve po marrin pjesë në takimin ndërkombëtar, të ideuar që në vitin 1968 nga themeluesi i Opus Dei, Shën Josemaría Escrivà de Balaguer, për t’i jetuar  ditët e Javës Shenjtë dhe Pashkët, në Romë, së bashku me Papën.

Sivjet, në Qytetin e Amshuar, kanë ardhur më shumë se 2000 studentë nga 30 vende dhe 100 universitete të ndryshme për të reflektuar, me takime dhe debate, mbi një temë të veçantë: "Fuqia transformuese e punës".

17 prill 2019, 15:04