Kërko

 Papa takohet me parukierët e Komitetit të Shën Martinit de Porres Papa takohet me parukierët e Komitetit të Shën Martinit de Porres 

Papa takohet me parukierët: jini të sjellshëm me klientët, larg tundimit të thashethemeve

Françesku priti sot, në Vatikan, parukierët e Komitetit të Shën Martinit de Porres. Gjatë takimit, Papa kujtoi figurën e Shenjtit peruvian, shpallur nga Pali VI Pajtor i berberëve dhe i parukierëve.

R. SH. - Vatikan

“Ushtrojeni profesionin tuaj me stil të krishterë, duke i trajtuar klientët me  njerëzi e mirësjellje, duke u thënë  përherë fjalë të mira dhe inkurajuese e duke u ruajtur nga tundimi i thashethemeve, që i shkon shumë për shtat profesionit tuaj. E dimë të gjithë!”. Për këtë i ftoi Papa parukierët e Komitetit të Shën Martinit de Porres, të cilët i priti sot në audiencë, në Sallën Klementine, me rastin e shtegtimit të tyre në Romë:

“Secili nga ju, në këtë profesion tipik, mund të veprojë gjithnjë me drejtësi, duke sjellë, kështu, një  kontribut shumë pozitiv për të mirën e shoqërisë”.

 Këtë theksoi Papa në takimin me Komitetin, në të cilin bëjnë pjesë parukierët edhe estetistet e që është i pranishëm në shumë zona italiane:

“Figura e përvuajtur e Shën Martinit de Porres, që Papa Shën Pali VI e shpalli Pajtor të kategorisë suaj më 1966, ju ndihmoftë t’i dëshmoni vazhdimisht vlerat e krishtera” - i uroi Papa,  që kujtoi, në vijim, figurën e Shenjtit peruvian:

“Duke qenë metis, u pranua në Urdhërin e Etërve Domenikanë vetëm si terciar e, më pas, edhe si vëlla bashkëpunëtor. E miratoi këtë gjendje, duke kaluar një jetë krejtësisht të përvuajtur, të shndritur nga dashuria e Zotit. U shërbeu me vetmohim të sëmurëve dhe të varfërve, duke u kujdesur për mjekimin e tyre, falë njohurive të marra në një farmaci e, më pas, pranë  një berberi-kirurg, sipas zakoneve të kohës”

Shenjtërimi i Shën  Martinit de Porres

Martini de Porres u shpall shenjt më 6 maj 1962, nga Papa Shën Gjoni XXIII:

 “Me shembullin e jetës së tij - pati nënvizuar gjatë homelisë Papa Roncalli- tregoi se njeriu mund të shëlbohet duke  ecur në atë rrugë, që ia  mëson vetë Jezusi: nëse para së gjithash e duam Zotin me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin e me gjithë mendjen tonë e pastaj, e duam edhe të afërmin si vetveten”.

29 prill 2019, 14:07