Papa, shurdhëve: ju na ndihmoni për të formuar bashkësi më mikpritëse

Uroj të jeni në gjendje të merrni pjesë gjithnjë e më shumë në jetën e bashkësive tuaja kishtare dhe në shoqëri. Kështu pohon Papa Françesku, në audiencë me Federatën Italiane të Shoqatave të Shurdhëve në Sallën Klementine, sot paradite. Brishtësia pranohet, thekson ai, por jo paragjykimet.

R.SH. - Vatikan

Federata Italiane e Shoqatave të Shurdhëve (FIAS) - lindur në vitin 2018 nga rithemelimi i Federatës Italiane të Shoqatave të Shurdhmemecëve, shoqata më e vjetër e bashkësisë së shurdhëve italianë, e cila daton në 1920 – punon me përkushtim “për t’iu kundërvënë kulturës së hedhurinave, duke favorizuar përfshirjen e shurdhëve në të gjitha ambientet”. Papa Françesku u drejtohet kështu, përfaqësuesve të kësaj Federate, të cilët i priti sot paradite në audiencë, në Vatikan.

Duhen kapërcyer pengesat, që i kufizojnë shurdhët

Punë e rëndësishme, e tyrja, “për të siguruar cilësi më të mirë të jetës” për njerëzit, që nuk dëgjojnë e që, për këtë arsye, përjetojnë gjendje brishtësie. Kjo është pjesë e jetës, nënvizon Ati i Shenjtë, por, fatkeqësisht, kjo brishtësi ndeshet me paragjykime, madje, edhe në bashkësitë e krishtera. Prandaj, si e gjithë shoqëria, ato duhet të përpiqen gjithnjë e më shumë t’i kapërcejnë pengesat dhe “të shfrytëzojnë mundësitë e pranisë aktive” të shurdhëve, që Papa Françesku e sheh si pozitive:

“Ju na mësoni se vetëm duke i provuar kufizimet dhe brishtësinë, mund të jemi ndërtues të kulturës së takimit, së bashku me përgjegjësit dhe me gjithë anëtarët e bashkësisë civile dhe kishtare, në kundërshtim me indiferencën e botës. Kështu, shoqëria dhe bashkësia mund të përmirësohen dhe t’u ofrojnë shurdhëve atë jetë të plotë, që merr parasysh të gjitha aspektet e ekzistencës, në fazat e ndryshme të saj”.

Shurdhët, pasuri për ungjillëzimin

Në Kishë, vazhdon Papa Françesku, “edhe ju shurdhët jeni dhuratë”. Çdo i pagëzuar është misionar, prandaj, “prania e njerëzve, që nuk dëgjojnë, në gjirin e veprimtarëve baritorë të formuar..., mund të jetë me të vërtetë, pasuri dhe mundësi për ungjillëzim”. Bergoglio nënvizon kontributin e tyre të veçantë:

“Prania e Zotit nuk perceptohet me veshë, por me fe; prandaj ju inkurajoj ta gjallëroni fenë, për ta ndierë gjithnjë e më shumë afërsinë e Hyjit, zëri i të cilit jehon në zemrën e secilit e, të gjithë mund ta dëgjojnë. Në këtë mënyrë, ju mund të ndihmoni ata, që nuk e ‘dëgjojnë’ zërin e Zotit, për të qenë më të vëmendshëm ndaj tij”.

Vështrim profetik, që nxit pjesëmarrjen

         Së fundi, mendimi i Papës shkon tek njerëzit e shumtë të shurdhër në Itali e në botë, sidomos tek ata “që jetojnë të mënjanuar e në mjerim”. E siguron:

“Lutem për ta. E lutem edhe për ju që të jepni kontributin tuaj të veçantë në shoqëri, duke qenë se jeni të aftë për një vështrim profetik mbi të, të aftë për të shoqëruar proceset e pjesëmarrjes dhe të përfshirjes, të aftë për të bashkëpunuar në revolucionin e butësisë dhe të afërsisë. Edhe në Kishë nevojitet prania juaj për të kontribuar në formimin e bashkësive, që janë shtëpi mikpritëse e të hapura për të gjithë, duke filluar nga më të fundmit”.

25 prill 2019, 16:09