Kërko

 Notre-Dame pas shuarjes së zjarrit Notre-Dame pas shuarjes së zjarrit 

Papa: rindërtimi i Katedrales së Shën Marisë të jetë vepër korale

Në audiencën e përgjithshme, duke përshëndetur shtegtarët francezë, Papa Françesku shprehu dhimbjen e tij të thellë për zjarrin e rënë në Katedralen e Parisit, i falënderoi të gjithë ata, që u përpoqën ta shpëtojnë, “edhe duke vënë në rrezik vetveten” dhe uroi bashkëpunim koral në rindërtim, “për lavd e lumni të Zotit”.

R. SH. - Vatikan

Duke përshëndetur shtegtarët francezë, të pranishëm në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku u shpreh kështu për rënien e zjarrit në Katedralen e Shën Marisë së Parisit, për angazhimin e zjarrfikësve dhe për punën e rindërtimit:

“Shfrytëzoj rastin për t’i shprehur bashkësisë dioqezane të Parisit, të gjithë parizianëve dhe mbarë popullit francez dashurinë time të madhe dhe afërsinë, pas rënies së zjarrit në Katedralen Notre-Dame. Të dashur vëllezër e motra, mbeta thellësisht i hidhëruar dhe ndjehem shumë pranë jush! Atyre, që u përpoqën, duke rrezikuar edhe vetveten, për ta shpëtuar Bazilikën, Kisha mbarë u shpreh mirënjohjen e saj. Virgjëra Mari ju bekoftë e ju ndihmoftë në punën e  rindërtimit: qoftë vepër korale, për lavd e lumni të Zotit”.

17 prill 2019, 15:27