Papa nxënësve: kur nuk ka liri, nuk ka të ardhme! Celulari nuk duhet të jetë drogë!

Françesku, duke iu drejtuar nxënësve të Liceut “Visconti” të Romës, nënvizoi se “kur nuk ka liri edukimi, nuk ka as të ardhme”. Celulari, shtoi, nuk duhet të shndërrohet në drogë, që e redukton komunikimin e drejtpërdrejtë.

R. SH. - Vatikan

Nxënësve të liceut romak “Visconti”, në bankat e të cilit është ulur edhe Eugenio Pacelli, Papa i ardhshëm Piu XII si dhe Franco Modigliani, Nobel i ardhshëm për ekonominë, Françesku u ngarkoi detyrën që ta çojnë përpara, “në kushtet e reja historike e shoqërore”, pasionin për dije e për kulturë. Shkolla - nënvizoi Papa në fjalimin, mbajtur në Sallën Pali VI - duhet të mbetet farkë për promovimin e “përfshirjes, respektimin e larmive dhe dialogun ndërmjet kulturave”.

Liria dhe ardhmëria

Vlera e vëllazërimit - shtoi Papa - bazohet mbi lirinë, mbi kërkimin e ndershëm të së vërtetës, mbi mbrojtjen e drejtësisë e të solidaritetit, posaçërisht ndaj njerëzve më të ligshtë. Ndërsa atje, ku sundon padrejtësia, mungon ballafaqimi dhe lind e rritet veç urrejtja:

“Kur nuk ka liri, nuk ka edukim, nuk ka ardhmëri. Kur mungon kërkimi i ndershëm i së vërtetës e mbretëron një pseudo e vërtetë e imponuar, që ta zhduk aftësinë për ta kërkuar të vërtetën, nuk ka ardhmëri: merr fund si njeri! E kur nuk ka drejtësi, përfundojmë, pa asnjë dyshim, në një vend ku mbretëron frika dhe egoizmi e ku punohet vetëm pak njerëz”.

Ndërmjet heshtjes dhe komunikimit

Papa i nxiti liceistët ta dëgjojnë zërin e ndërgjegjes së tyre, “për të mos u bërë një copë karte, që luhatet nga fryn era”. E sidomos, të mos kenë frikë nga heshtja: “vetëm në heshtje shpirtërore mund ta dëgjosh zërin e ndërgjegjes e ta dallosh nga zërat e egoizmit e të hedonizmit”. Françesku, më pas, i ftoi të rinjtë të çlirohen nga vartësia e celularit e edhe nga shumë vartësi të tjera. Celulari - shpjegoi Papa - u bë për të komunikuar. Prandaj nuk duhet të shndërrohet në drogë, përndryshe e katandis komunikimin në kontakte të thjeshta. Jeta - shtoi Papa - nuk është bërë për kontakte të thjeshta, nuk është për t’u kontaktuar, por për të komunikuar:

“Celulari është ndihmë e madhe, progres i madh; duhet përdorur, është gjë e bukur të dimë ta përdorim. Por kur ti bëhesh skllav i celularit, e humb fare lirinë. Celulari është për të komunikuar; e është gjë e bukur të komunikojmë. Por, kini mendjen, ruhuni nga rreziku i shndërrimit të celularit në drogë e i komunikimit në kontakte të thjeshta. Sepse jeta është bërë për të komunikuar!”.

Të jesh i aftë për të dashur

Françesku u foli nxënësve për dy përmasa themelore në jetën afektive: cipë e besnikëri. Kur dashuron, duhet të duash me gjithë zemër, çdo ditë, jo në mënyrë të pacipë, e duhet të mbetesh gjithnjë besnik, sepse dashuria nuk është lojë. Dashuria - vijoi Françesku – “është gjëja më e bukur, që na ka dhënë Zoti”. Të duash - pohoi - do thotë të kesh një zemër aq të madhe, sa të zërë gjithë botën. Të duash nuk është vetëm shprehje, që nënkupton lidhjen e dashurisë së çiftit ose miqësinë e fortë:

“Një formë konkrete e dashurisë është edhe ajo e angazhimit solidar ndaj të afërmit, posaçërisht më të varfërve. Dashuria ndaj të afërmit ushqehet nga fantazia e shkon gjithnjë më përtej: shpiken gjëra për të ndihmuar, për të shkuar përpara… fantazia e dashurisë. Mos kini frikë prej saj!”.

Të fitosh në bujari

Françesku e dënoi ashpër plagën e bullizmit dhe kujtoi se vullnetariati është një nga gjërat më të bukura e më të fuqishme, që ka Italia. I ftoi, në përfundim, liceistët e “Viscontit”, të rriten në vullnetariat, të fitojnë gjithnjë vendin e parë në bujari. Edhe një nxitje tjetër e Papës, në përfundim:

“Të dashur studentë të rinj, mos pushoni së ëndërruari punë të mëdha. Kjo është gjë e bukur për të rinjtë: të shikojnë ëndrra madhështore e të dëshirojnë një botë më të mirë e më të bukur, për të gjithë”.

13 prill 2019, 16:20