Kërko

Mesha in Coena Domini Velletri Mesha in Coena Domini Velletri 

Papa në meshën e Darkës së Mbrame: të jemi vëllezër, pa shkelur të tjerët

Jezusi, me gjestin e larjes së këmbëve, na fton të jemi “shërbëtorë të njëri-tjetrit”, të jemi “vëllezër e të mos ndjekim “ambicien e atij, që mbizotëron, ose shkel të tjerët”. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së Darkës së Mbrame, që e kremtoi sot, në orën 17.00, në burgun e Veletrit, pranë Romës. “Vëllazërimi është gjithnjë i përvuajtur – nënvizoi, duke iu drejtuar më se 500 të burgosurve, 60% e të cilëve janë të huaj – është shërbim” për të tjerët.

R.SH. - Vatikan

Pavarësisht se në burg, atmosfera ishte ajo e festave të mëdha. Papa u prit nga drejtoresha, Maria Donata Iannantuono dhe nga zv.drejtoresha, Pia Palmieri, nga komandatja e policisë, Maria Luisa Abbossida e nga kapelani, don Franco Diamante. Papa i falenderoi të gjithë për mikpritjen. “Pak ditë më parë – tregoi Ati i Shenjtë – mora një letër të bukur nga një grup prej jush, që sot nuk është këtu, por që më thanë gjëra shumë të bukura. I falenderoj ata, që e kanë shkruar. Në këtë lutje ndihem i bashkuar me të gjithë: me ata, që janë këtu e, me ata, që nuk janë”.

         Është hera e pestë që Papa Françesku kremton meshën e Darkës së Mbrame në një burg. E pati bërë këtë në burgun e Casal del Marmo, në Rebibbia, në Paliano dhe në burgun romak të Regina Coeli-t. E gjatë homelisë, u foli të burgosurve për Krishtin, ashtu siç përshkruhet në Ungjillin e sotëm.

         “Dëgjuam ç’bëri Jezusi. Është interesante. Thotë Ungjilli: ‘Duke e ditur se Ati ia kishte lënë gjithçka në dorë’, pra, Jezusi e kishte gjithë pushtetin. E megjithatë, bën këtë gjest, lan këmbët. Është gjest, që e bënin skllevërit e asaj kohe, sepse rrugët nuk ishin të asfaltuara e njerëzit, kur mbërrinin, i kishin këmbët plot pluhur. Kur mbërrinin në një shtëpi për vizitë, ose për drekë, skllevërit u lanin këmbët. E Jezusi bën këtë gjest: lan këmbët. Bën gjestin e një skllavi: Ai, që e kishte gjithë pushtetin; Ai, që ishte Zot, bën një gjest prej skllavi. E pastaj, i këshillon të gjithë: ‘Bëjeni edhe ju këtë gjest ndërmjet jush’, pra, shërbejini njëri-tjetrit, jini vëllezër në shërbim, jo në ambicien e atij, që mbizotëron, ose e shtyp tjetrin… jo: shërbim, shërbim.

         Ti ke nevojë për ndonjë gjë? – pyeti Ati i Shenjtë. – Unë ta bëj. Ky është vëllazërimi. Vëllazërimi është i përvuajtur, gjithnjë: është në shërbim. Edhe unë do ta bëj këtë gjest – Kisha dëshiron që ipeshkvi ta bëjë atë çdo vit, një herë në vit, së paku të Enjten e Madhe – për të imituar gjestin e Jezusit e edhe për t’i bërë mirë vetes me këtë shembull, sepse ipeshkvi nuk është më i rëndësishmi: ipeshkvi duhet të jetë ai, që shërben më shumë. Secili prej nesh duhet të jetë shërbëtor i të tjerëve. Shërbim.

         Një herë, kur apostujt grindeshin ndërmjet tyre, diskutonin ‘kush është më i rëndësishëm prej nesh’, Jezusi mori një fëmijë dhe tha: ‘Fëmija. Nëse zemra juaj nuk është si e këtij fëmije, nuk do të jeni dishepujt e mi”. Zemër fëmije, pra, e thjeshtë, e përvuajtur e shërbëtore. E aty, shton diçka interesante, që mund ta lidhim me gjestin e sotëm. Thotë: ‘Kini kujdes: krerët e kombeve dominojnë. Mbizotërojnë. Ndërmjet jush nuk duhet të jetë kështu. Më i madhi duhet t’i shërbejë më të voglit. Kush ndihet i madh, të bëhet shërbëtor’. Edhe ne të gjithë duhet të jemi shërbëtorë. Është e vërtetë se në jetë ka probleme: grindemi... por kjo duhet të jetë diçka që kalon, diçka e përkohshme, sepse në zemrat tona duhet të kemi gjithmonë këtë dashuri për t’i shërbyer tjetrit, për të qenë në shërbim të tij.

E ky gjest, që do të bëj sot, qoftë për të gjithë ndihmë për të qenë më shumë shërbëtorë të njëri-tjetrit, për të qenë më shumë miq, më shumë vëllezër… vëllezër në shërbim. Me këto ndjenja, të vazhdojmë kremtimin me larjen e këmbëve”.

18 prill 2019, 18:08