Kërko

Papa në audiencë: të gjithë i kemi borxh Zotit, edhe shenjtorët

Papa Françesku ia kushtoi edhe audiencën e sotme të përgjithshme “Atynës”, duke u ndaluar në çastin kur i lutemi Zotit: “Na i fal fajet tona”. “Borxhet tona!”. Jemi borxhlinj, sepse jeta është hir, hir i Zotit, që na do, që na deshi i pari!

R. SH. - Vatikan

“O Atë, ki mëshirë për ne të gjithë, sepse edhe më shenjti ndërmjet nesh, të ka borxhe, e shumë”. Papa Françesku i shtoi këtë lutje “Atynës”, të cilën po na ndihmon ta njohim më mirë përmes katekizmit të audiencës së përgjithshme të së mërkurës. Meditimin e 12-të ia kushtoi çastit, kur i drejtohemi Zoti me fjalët: “Na i fal fajet tona!”.

Kemi nevojë për  faljen, si për bukën e përditshme

Kështu - komentoi Françesku - lutja “hyn në fushën e lidhjeve tona me të tjerët”. Siç kemi nevojë për bukën e përditshme, të cilën ia kërkuam Atit pak më parë, “ashtu kemi nevojë edhe për faljen, për ndjesën e Zotit”. Për çdo çast. Për çdo ditë. Për gjithë jetë. Sepse - sqaroi Papa - “i krishteri  që lutet, i kërkon kryesisht Zotit t’i falen borxhet, domethënë, fajet e mëkatet”. Edhe nëse do të ishim njerëz të përkryer, shenjtorë të kulluar si kristali, që nuk shkelin kurrë në shtigjet e errta të jetës - kujtoi Papa - mbetemi përherë bij të Atit, të cilit i detyrohemi gjithnjë e për gjithçka:
“Sjellja më e rrezikshme e çdo jete të krishterë është kryelartësia. Sjellje e njeriut, që e vë veten para Zotit, duke menduar se i ka në rregull të gjitha hesapet me Të: ngaqë njeriu kryelartë  beson se është i panjollë para Zotit”.

Mëkati i mendjemadhësisë

Beson, ashtu si ai farizeu i shëmbëlltyrës, - kujtoi Françesku - që shkon në tempull e mendon se po lutet, ndërsa rri para Zoti duke lëvduar veten: “Të falënderoj, o Zot, sepse unë nuk jam si të tjerët”. Është një nga ata, që  besojnë se janë të përsosur, që nuk e shikojnë veten, por vetëm tjetrin, që dinë vetëm të kritikojnë. E edhe të shajnë! Janë mendjemëdhenj! Harrojnë  se asnjëri nga ne nuk është i përkryer, asnjëri! Natyrisht, as farizeu. E as publikani. Por ky i fundit, mëkatar e i përbuzur nga të gjithë, ndalohet në prag të tempullit, sepse e quan veten të padenjë të shkelë në atë truall shenjt. E ia beson plotësisht vetveten mëshirës së Zotit. Prej këndej, Jezusi komenton:

 “Ky, në ndryshim nga ai tjetri, u kthye në shtëpi i shfajsuar, domethënë, i falur. Sepse nuk ishte mendjemadh, i njihte mirë kufizimet  e  i pranonte mëkatet e veta”.

Një mëkat, që mund edhe të mos shihet: mendjemadhësia

Ka mëkate, që shihen e mëkate, që nuk shihen. Mëkate të fshehura në skajet e skutat e shpirtit njerëzor. Më i keqi prej tyre është “mendjemadhësia”:

“Kemi folur për kryelartësinë, për mendjemadhësinë, sepse pak a shumë është e njëjta gjë. Por mendjemadhësia është më e keqe. Sëmundje e rëndë, e cila mund t’u ngjitet edhe njerëzve, që jetojnë një jetë të thellë fetare. Ishte një herë, aty nga vitet 1600-1700, në kohën e zhansenizmit, një kuvend i famshëm murgeshash. Përsosurisht të përkryera. Të pastra, si engjëjt, por mendjemëdhaja, si dreqnusha. E kjo është një gjë tepër e keqe”.

Gënjen veten, po të thuash se nuk ke mëkat

Mëkati i ndan deri vëllezërit - nënvizoi Papa - ngaqë na bën të mendojmë se jemi më të mirë se të tjerët, na bën të besojmë se i ngjasim Zotit. Ndërsa para syve të Atij të Lumit jemi të gjithë mëkatarë e kemi arsye të rrahim gjoksin. Nëse dëshiron të gënjesh vetveten, thuaj se je pa mëkat:

“Jemi të gjithë borxhlinj, kryesisht sepse morëm shumë: morëm jetën e shëndetin, babën e nënën, miqësinë e mrekullitë e krijimit. Edhe pse të gjithë mund të kalojmë ditë të vështira, duhet të mendojmë gjithnjë se jeta është hir, është mrekulli, që Zoti e nxori nga mosgjëja”.

Borxhi i aftësisë për të dashur

Së dyti - kujtoi Papa në katekizëm - jemi borxhlinj sepse, edhe në qofshim të aftë të duam, asnjë nga ne nuk mund ta bëjë këtë me forcat e veta. Mund të duam, por jo pa hirin e Hyjit. Është misteri, që teologët e lashtë e quanin “mysterium lunae”, jo vetëm në identitetin e Kishës, por edhe në historinë e secilit prej nesh:

“Po ç’do të thotë ‘mysterium lunae’? Është si puna e hënës, që nuk ka dritën e vet, por reflekton atë të diellit. Edhe ne nuk kemi dritën tonë: drita që kemi, është pasqyrim i hirit të Zotit, i dritës së Zotit. Nëse do, kjo ndodh sepse ndokush, jashtë teje, të buzëqeshi kur ishte fëmijë, duke të mësuar t’i përgjigjesh buzagazit me buzagaz. Nëse do, do sepse ndokush pranë teje të zgjoi me dashuri, duke të bërë të kuptosh se në të gjindet vetë kuptimi i jetës”.

Misteri i hënës: falim, sepse u falëm

Nëse dëgjojmë historinë e ndokujt, që gaboi, të ndonjë të burgosuri, të dënuari a të droguari - kujtoi Françesku - pyesim menjëherë: “Kush duhet fajësuar për gabimet e tij, përveç ndërgjegjes, historisë së urrejtjes a të braktisjes, që e ka në shpirt?”. E ky është misteri i hënës! “Duam kryesisht, sepse u deshëm; falim, sepse u falëm. E nëse ndokush nuk është shndritur nga drita e diellit, ngrihet akull, si toka në dimër":

“E si mund të mos e njohim, në zinxhirin e dashurisë, që na parapriu, edhe praninë providenciale të dashurisë së Zotit? Asnjëri prej nesh nuk mund ta dojë Zotin, më shumë se na deshi, se na do Ai. Mjafton të rrimë para një Kryqi, për ta kuptuar menjëherë shpërpjestimin. Ai na deshi e na do gjithnjë i pari. Gjithnjë më shumë!”.

Pashkët janë pranë: t’i jetojmë plotësisht

Gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane, Papa kujtoi se udha e Kreshmëve po i afrohet fundit. Drita e ngushëllimi i Pashkëve të Zotit janë tashmë fare pranë.

“Të përgatitemi, prandaj - ishte ftesa e fundit e Papës - për t’i bërë tonat ndjenjat e Krishtit e për t’i jetuar plotësisht ditët e mundimeve e të lumnimit të Zotit”.

10 prill 2019, 13:40