Kërko

 Papa takohet me Lidhjen Diletante Italiane Papa takohet me Lidhjen Diletante Italiane 

Papa, Lidhjes së Diletantëve: në qendër të vëmendjes, fryma e solidaritetit

Vlerësimi i të gjithëve, edhe i më të ligshtëve, sipas frymës së skuadrës, është shpresë për njerëzimin. E kujtoi Papa sot, duke pritur në audiencë, në Sallën Klementine, rreth 120 anëtarë të Lidhjes Italiane të Diletantëve. Françesku vuri në dukje edhe vlerën e gëzimit e të përmasës së miqësisë në sport.

R. SH. - Vatikan

Duhet të përpiqeni për të thelluar frymën e solidaritetit dhe të vëmendjes për njerëzit, pa i lënë të ligshtit në skutë e duke kultivuar gëzimin e takimit. Në fjalimin drejtuar sot paradite Lidhjes Italiane të Diletantëve. Papa e përdori lojën e skuadrës së futbollit, si paradigmë të frymës solidare, që çon në vlerësimin e të gjithëve. Rasti ishte 60-vjetori i themelimit të Lidhjes, në të cilën marrin pjesë 12 mijë shoqata, me më se një milion anëtarë. Kjo Lidhje organizon kampionate e kupa për skuadrat mashkullore, duke nisur nga nivelet e katërta të futbollit italian, si dhe kampionate femërore të Serisë C, përveç manifestimeve  të tjera të ndryshme.

Në fjalimin, që u drejtoi, Papa  kujtoi  se ka shumë rëndësi  të luash si bij të një familje e ta ruash përmasën amatoriale të sportit, atë të miqësisë.

Bëhet fjalë për të kontribuar në atë “revolucion kulturor”, i cili synon kapërcimin e mureve, që ndajnë. Kështu lind gëzimi - kujtoi Papa - e gëzimi, shpirti i lojës, nuk duhet të mposhtet nga dëshira e suksesit dhe përbuzja e kundërshtarëve. Papa u kërkoi të pranishmëve të luajnë gjithnjë me frymën e solidaritetit  e me vëmendje ndaj njerëzve:

“Të kesh frymë solidare, përmes pjesëmarrjes aktive në  zhvillimin e jetës shoqërore e kulturore të kolektivitetit (Kodi etik, nenei 2,1), do të thotë t’i shtrish dorën atij, që u rrëzua, atij që e nxori topin jashtë vijës anësore apo që çalon, sepse u vra; do të thotë të mos e përbuzësh atë, që nuk spikat, por ta trajtosh si të barabartë. Do të thotë të kuptosh se kampionati  nuk zhvillohet nga një njeri i vetëm e se në shoqërinë tonë mund të shpëtohet vetëm së bashku, ndërsa mund të pësosh disfatë, nëse e lë më të ligshtin jashtë radhëve, si të ishte hedhurinë”.

T’i shembin muret, që i ndajnë njerëzit, të luajnë me fëmijët e tyre, si prindër të mirë, të kenë objektiva të qarta, të jenë të ndershëm, të respektojnë rregullat e kundërshtarin: këto, porositë kryesore, që i dha Papa Lidhjes,  duke i kujtuar se duhet t’i ketë të qarta objektivat e vërteta, “golat” e vërtetë, që duhen bërë e që janë ndershmëria sportive edhe respektimi i rregullave!".

15 prill 2019, 14:21