Kërko

Papa: kush shet armë, ka mbi ndërgjegje vdekjen e shumë fëmijëve

Kultura e dialogut, bazuar mbi identitetin dhe dëshirën për t’ia hapur zemrën tjetrit, sistemet ekonomike të padrejta dhe shitja e armëve, që shkaktojnë vdekjen e një mori njerëzish, bullizmi, “zemra raciste” dhe kultura e indiferencës... Të shumta, temat e prekura nga Papa në fjalimin drejtuar studentëve e pedagogëve të Kolegjit San Carlo të Milanos, të cilët i priti sot në audiencë.

R. SH. - Vatikan

Ishte një takim festiv, plot gëzim, siç janë gjithnjë takimet e Papës Françesku me të rinjtë, gjatë të cilave krijohet një lidhje e fortë, tejet e dëshiruar nga të dyja palët. Duke pritur, në Sallën Pali VI, studentët edhe pedagogët e Kolegjit San Carlo të Milanos, rreth 2.600 vetë, Papa e shtjelloi fjalimin e tij në formën e përgjigjeve dhënë katër pyetjeve, që iu drejtuan nga të rinjtë.

Instituti, i themluar në vitin 1869, është shkollë katolike, e barabartë me shkollat e tjera. Në bankat e saj sot ulen 1.950 nxënës të të gjitha moshave e japin mësim 220 mësues. Diploma e tij njihet në shkallë ndërkombëtare. Që nga viti 1985 aty mësojnë edhe vajzat. Numri i nxënësve, që dolën nga kjo shkollë, është tejet i madh. E ndërmjet tyre, ka shumë emra të shquar, të njohur botërisht. Mjafton të kujtojmë se në këtë shkollë u përgatit Achille Ratti, i cili më pas do të bëhej Papa Piu XI, e edhe Ludovico Necchi, një nga ata, që themeluan Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit. I pranishëm në audiencë, edhe imzot Paolo Martinelli, ipeshkëv-ndihmës i Milanos. Rektori, don Alberto Torriani, kujtoi, me emocion të thellë, në fillim të takimit, frytet e kësaj shkolle.

Zoti nuk bën dallime ndërmjet njerëzve, jemi ne që i bëjmë, me armët e sistemet e padrejta

Ishte i gjatë dhe i pasur me mendime nga fusha të ndryshme, fjalimi i Papës, i lidhur me pyetjet, që i bënë të rinjtë. Që nga pyetja e parë: “Pse duket sikur Zoti bën dallime”, Papa hyri me guxim në misterin e vuajtjes. Zoti nuk bën dallime - theksoi - jemi ne, që i bëjmë, si me sistemet ekonomike të padrejta, ashtu edhe me armët. Jemi ne, që i bëjmë fëmijët të vdesin nga uria! Ah - do të më thotë ndonjëri - s’e dija se Papa qenka komunist… Jo! Këtë nuk ta mëson Papa. Papa s’bën tjetër, veçse të kujtojë mësimin e Jezusit i cili, kur të shkojmë tek Ai, do të na thotë: “Faleminderit, se kisha uri e më dhe të ha!”.

E pse, o atë ka kaq shumë lufta?

Pse? Po të mos kishin armë njerëzit, nuk do të luftonin! E bëjmë luftën, sepse ne, Evropa e pasur, Amerika,  shesim armë për të mbytur fëmijët, për të mbytur njerëzit! Jemi ne, që bëjmë dallime. E këtë ju, duhet t’ua flakni në fytyrë atyre, që shesin armë, pa pikë frike!

Edhe bullizmi është deklaratë lufte? - ishte pyetja tjetër. “Këta janë  të rinj guximtarë, për të cilët kemi nevojë - komentoi Papa - që hyri, pastaj, konkretisht në jetën e të rinjve, me shembullin e bullizmit:

“Kush e  shpik dhe e organizon bullying? - kujtoi - Zoti? Apo ju. Që i shpallni luftë tjetrit? Të gjithë e kemi në shpirt farën e shkatërrimit të tjetrit, sepse bëjmë dallime e duam të pasurohemi me varfërinë e tjetrit".

A shërben identiteti për kulturën e dialogut?

A shërben identiteti për kulturën e dialogut - erdhi sakaq pyetja e dytë. - E edhe përgjigjja: “Nuk mund të bëhet kultura e dialogut, nëse nuk kemi identitet. Pa harruar të ruhemi nga 'kultura e mureve'”.

Kujdes nga zemra raciste. Të gjithë mund të jemi kriminelë - përgjigjja që i dha Papa pyetjes së tretë, duke u ndaluar posaçërisht tek migrantët. Migrantë jemi edhe ne - theksoi Papa - Jezusi ishte migrant. Po migrantët janë kriminelë, o atë! - do të thotë ndonjëri!  Pse, ne nuk kemi të tillë? Mafian nigerianët e shpikën? Jo! Jo! Është made in Italia!

Kultura e indiferencës lind integralizmat

Papa vijoi t’u përgjigjet pyetjeve të të rinjve, duke u kujtuar se në botën perëndimore është zhvilluar tepër një kulturë tjetër, ajo e indiferencës. E quajti tirani, që vjen nga relativizmi: “Kultura e indiferencës nuk është krijuese, nuk të lë të zhvillohesh, ndërsa kultura duhet të interesohet gjithnjë për vlerat, në historinë tënde e të të tjerëve. Kujdes nga kultura e indiferencës! Prej saj burojnë integralizmat!".

Kush mund të quhet mësues i mirë?

Më pas, pyetja “Kush mund të quhet mësues i mirë?”. Për të qenë mësues i mirë duhet “ta vësh tërë mishin mbi skarë” - u përgjigj Papa, duke përdorur një shprehje argjentinase.

E, së fundi i nxiti të rinjtë: “Përpara, jo vetëm, por në grup! Pa frikë se mund të rrëzoheni. Nga rrëzimi, mëson të mos rrëzohesh! Rrëzimi nuk është dështim. Eshtë provë e jetës e prandaj duhet të mësohesh për t’u ngritur përsëri në këmbë. “Është çasti i vetëm, në të cilin lejohet ta shikosh tjetrin nga lart poshtë!”.

Në përfundim Papa kujtoi atë, që psikologët e quajnë simptoma e “folesë bosh”, kur fëmijët martohen e ndërtojnë folenë e tyre. “Mos kini frikë nga vetmia - i inkurajoi Papa të pranishmit - kur fëmijët tuaj të bëjnë foletë e tyre, fole kulturore, shkencore, shoqërore. Atëhere edhe foleja e familjes do të mbushet me nipër e mbesa - theksoi Françesku - që e përfundoi këtë fjalim të thellë duke u lutur së bashku me të rinjtë e pranishëm. Jehoi Salla e madhe nga zërat rinore, në lutjen më të përkushtuar: atë për të ardhmen!

06 prill 2019, 18:13