Kërko

Papa: Jezusi nuk përdor gurë, por hap rrugë të reja

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa reflektoi mbi episodin ungjillor të gruas së pabesë, në të cilin vihen ballë për ballë dy sjellje krejt të kundërta: sjellja e skribëve dhe e farizenjve e sjellja e Jezusit, që personifikon mëshirën e Zotit e u hap edhe mëkatarëve, mundësi e rrugë të reja!

R. SH. - Vatikan

“Nuk  jemi të thirrur t’i gjykojmë e t’i dënojmë të tjerët, por të pranojmë se jemi mëkatarë e t’i kërkojmë falje Zotit, që dëshiron të na japë mundësinë për të nisur një jetë të re”. Kjo, porosia e sotme e Papës për të krishterët, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së dieleje të pestë të Kreshmëve. Reflektimi i Françeskut, përqendruar mbi mëshirën e Zotit, u nis nga Ungjilli i sotëm, ai i gruas së pabesë, që u zu në mëkat, duke thyer kurorën. Para syve tanë, që e rijetojnë këtë skenë të Ungjillit, ndeshen dy forca kundërshtare. Vihen përballë dy mënyra sjelljeje. Skribët e farizenjtë duan ta dënojnë gruan, Krishti, ta shpëtojë. Ungjilltari saktëson se e gjithë skena u krijua nga kundërshtarët e Zotit, për ta vënë në provë. Mund të hamendësojmë se mospranimi i Jezusit për ta mbytur gruan me gurë, do t’u shërbente për ta akuzuar se nuk i bindej ligjit. Pranimi, për ta paditur tek autoritet romake, që i ndalonin mbytjet publike me gurë, në mes të shesheve. Shpirtligj siç ishin, e të mbyllur në ngushticat e legalizmit, mendonin ta vinin Krishtin ndërmjet dy zjarreve - shpjegoi Papa - Jezusi i dëgjon, e  hesht. E pastaj përkulet e shkruan me gisht për tokë, “gati-gati si të donte të kujtonte se i vetmi Ligjvënës e Gjyqtar është Zoti, që e shkroi ligjin mbi dy rrasa guri”. Hesht Zoti, e pastaj thotë: “Kush është pa mëkat, ta flakë gurin e parë!”. Ishte thirrje, e cila i bëhej ndërgjegjes së këtyre burrave, që e ndjenin veten “kreshnikë të drejtësisë”, duke u kujtuar se ishin të gjithë mëkatarë. E atëhere ata ikin njëri pas tjetrit. E mbeten vetëm Zoti e gruaja:

“Kjo skenë na fton të gjithë të pranojmë se jemi mëkatarë e se duhet t’i lëmë të na bien nga duart gurët e denigrimit, të dënimit, të përgojimit, të cilët shpesh duam t’i flakim kundër të tjerëve. Kur i marrim të tjerët nëpër gojë, s’bëjmë tjetër, veçse të flakim gurë kundër tyre e të bëhemi si farizenjtë”.

Ata ikin. E mbeten aty, në mes të rrugës, vetëm dy vetë: Krishti e gruaja, “mjeranja e mëshira” - thotë Shën Agostini. E i vetmi, që mund ta hidhte gurin, ndahet nga gruaja duke e porositur të mos mëkatojë më. Domethënë, i krijon një mundësi të re, i hap një rrugë të re, me ndjesën dhe dashurinë e tij përdëllyese:

“E kështu Jezusi hap para saj një udhë të re, të krijuar nga mëshira, një udhë, që kërkon gatishmërinë për të mos mëkatuar më. Është ftesë, që vlen për ne të gjithë. Kur na fal, Jezusi, na hap gjithnjë edhe rrugën e re, për të ecur përpara. Në këtë Kohë Kreshmësh, jemi të thirrur t’i pranojmë mëkatet tona e t’i lypim falje Zotit. E falja, ndërsa na pajton e na jep paqe, na ndihmon edhe të nisim një jetë të re, jetë të bukur, jetë të çliruar nga mëkati, jetë bujare. Nuk duhet të kemi frikë t’i kërkojmë falje Jezusit, që na hap portën për një jetë të re”.

Më pas Papa iu lut Virgjërës Mari të na ndihmojë t’ia dëshmojmë të gjithëve dashurinë përdëllyese të Zotit që, në Jezusin, na fal e na e përtërin jetën, duke na ofruar gjithnjë mundësi të reja.

Në përfundim të lutjes mariane, Françesku përshëndeti disa studentë, ndërmjet të cilëve, ata të shkollave lasaliane të Torinos e të Vercellit, që përkujtojnë treqindvjetorin e vdekjes së Shën Gjonit Battista della Salle. Një mendim, edhe për adoleshentët e Krezmimit nga Settignano, Scandicci e Saluzzi, duke i nxitur "të jenë dëshmitarë guximtarë të Jezusit e të Ungjillit”. 

07 prill 2019, 14:07