Kërko

2019-04-12-venerdi-misericordia-1555079928007.JPG

Të Premtet e Mëshirës: Papa Françesku tek të sëmurët me Alzheimer

Sot pasdite, Ati i Shenjtë, pa paralajmëruar askënd, shkoi në Fshatin Emanuele, në periferi të Romës, strukturë për të sëmurët me Alzheimer, organizuar si një fshat i vërtetë, duke u dhënë mundësi të gjithëve të jetojnë në kushte normale.

R.SH. - Vatikan

Vijon impenjimi baritor i Papës Françesku në të Premtet e Mëshirës. Sot pasdite, Ati i Shenjtë, pa paralajmëruar askënd, shkoi në Fshatin Emanuele, në periferi të Romës, i shoqëruar nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Dikasterit për Ungjillëzimin e Ri.

Ç’është Fshati Emanuele?

         Emanuele është një strukturë për të sëmurët me Alzheimer, organizuar si fshat i vërtetë, duke u dhënë mundësi të gjithëve të jetojnë në kushte normale, sikur të vijonin jetën e tyre të përditshme, por me të gjitha mjetet e nevojshme për të përballuar patologjinë e tyre të vështirë, që dalëngadalë ua mbyll urat me botën e jashtme. E merr emrin nga themeluesi i tij, profesori Emmanuele F.M. Emanuele, kryetar nderi i Fondacionit Roma, që u përpoq me të gjitha forcat të gjente një zgjidhje humane për njerëzit e sëmurë me Alzheimer.

Pritja e Papës Françesku

         Papa u prit nga të sëmurët e personeli, të habitur kur e panë të zbriste nga makina në oborrin e strukturës. Ati i Shenjtë i përshëndeti të gjithë dhe u tha të sëmurëve fjalë ngushëlluese. Prof. Emanuele dhe kryetari aktual i Fondacionit, Franco Parasassi, e shoqëruan në ambientet e ndryshme të Fshatit: disa të sëmurë, që pushonin në dhomat e tyre, u ndodhën papritur para Atit të Shenjtë e shkëmbyen dy fjalë me të; të tjerë, që merreshin me veprimtari argëtuese, të cilat i ndihmojnë për kujtesën, u përpoqën t’i tregonin Françeskut si e kalojnë ditën. Në përfundim të vizitës, Papa la një pergamenë me një mendim të tijin shkruar me dorë, së bashku me një pikturë të bukur të Lindjes së Krishtit. Në orën 17.00, u kthye në Vatikan.

Modeli i Fshatit Emanuele

         Fshati, i vetmi në Itali, lindi nga vetëdija se Alzheimer është bërë përparësi shoqërore, prandaj, është e nevojshme të ngrihen modele shoqëroro-asistenciale, që mund t’u sigurojnë pacientëve një jetë sa më afër normales. Struktura përbëhet nga 14 shtëpi. Secila strehon 6 vetë. Përveç shtëpive, në Fshat ka një dyqan të vogël ushqimor, një bar, një restorant dhe një sallon bukurie. Këto mjedise, të vizituara me durim nga Papa Françesku, janë në dispozicion të banorëve. Në strukturë janë të pranishme figura të ndryshme mjekësore dhe asistenciale, që i ndihmojnë të sëmurët jo vetëm me mjekime, por edhe duke i nxitur të marrin pjesë në veprimtaritë e ndryshme në fushën e artit, muzikës, sportit, si edhe në leximin e librave. Secili e kalon ditën siç dëshiron vetë, pasi në Fshat nuk imponohet asgjë. Asistenca, si për ata që banojnë në srukturë, ashtu edhe për ata që kalojnë ditën në të, ndërsa natën në shtëpinë e tyre, është krejtësisht falas.

12 prill 2019, 16:47