Universiteti i Camerino-s Universiteti i Camerino-s 

Papa Françesku më 16 qershor do të jetë ndërmjet të dëmtuarve nga tërmeti, në Marche.

U botua programi i së dielës, 16 qershor, që Françesku dëshiron ta jetojë në Camerino, së bashku me besimtarët e dioqezës markixhane, goditur disa herë nga tërmeti, që lëkundi e rrënoi Qendrën e Italisë më 2016 e 2017.

R. SH. - Vatikan

Papa do të vizitojë zonat e dëmtuara nga tërmeti të Dioqezës Camerino-Sanseverino Marche. Njoftimin e dha Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, duke  botuar edhe programin  e ditës, 16 qershor 2019.

Papa do të niset me helikopter nga heliporti i Vatikanit, të diel, 16 qershor, në orën 8.00. Pas 45 minutash, në orën 8,45 do të zbresë në  Qendrën sportive të Universitetit të Cameri­no-s, në Località Calvie. Do të pritet nga Imzot Francesco Massara, kryeipeshkëv i Camerino-Sanseverino Marche; Doktor Luca Ceriscioli, President i Rajonit Marche;  Doktoresha Iolanda Rolli, Prefekte e Maçeratës; Doktor Antonio Pettinari, President i Provincës së Maçeratës; Doktor Gianluca Pasqui, kryebashkiak i  Camerinos, Profesor Claudio Pettinari, Rektor i Universitetit të Camerinos.

Në orën 9,00 do të fillojë vizitën në Banesat e emergjencës, ku do të takohet me familjet që banojnë në to, në  Lokalitetin Cortine, për të vijuar me vizitën në Katedrale e takimin me kryebashkiakët e Komunave të Dioqezës.

Në orën 10, 30, në Sheshin Cavour, kremtimi i Meshës Shenjte; ndërsa në orën 12,00, lutja e Engjëllit të Tënzot.

Në orën 13,00, pranë Qendrës së Bashkësisë së Shën Palit, dreka me meshtarët e dioqezës.

Në orën 15,00 para nisjes nga Qendra sportive e Universitetit të Camerinos, Ati i Shenjtë do të përshëndesë personalitetet, që e pritën kur arriti.

Në orën 15,45, rikthimi në heliportin e Vatikanit.

06 prill 2019, 13:52