Kërko

Papa Françesku, në konferencën për shtyp, gjatë kthimit nga Maroku Papa Françesku, në konferencën për shtyp, gjatë kthimit nga Maroku 

“Kush ndërton mure, burgoset brenda tyre. Ndërtuesit e urave ecin përpara”

Duke folur me gazetarët, në udhëtimin e kthimit nga Maroku, Papa Françesku përmendi dialogun me myslimanët. Deklarata e Jeruzalemit ishte hap përpara, bërë nga vëllezër. Përsa u përket migrantëve, thirrje për Evropën, duke cituar Tsipras: të drejtat e njeriut vijnë para marrëveshjeve. Për lirinë e ndërgjegjes: sot ka rrezik që në disa vende të krishtera, mjekëve kundër eutanazisë, t’u hiqet e drejta për të kundërshtuar.

R.SH. - Vatikan

Përfundoi mbrëmë, vizita 28-të ndërkombëtare dyditore e Papës Françesku në Marok. Në avionin Boeing 737 të kompanisë marokene Royal Air Maroc, gjatë kthimit në Romë, Ati i Shenjtë, si zakonisht në fund të udhëtimeve apostolike, bisedoi për më se gjysëm ore me gazetarët, që e shoqëruan në Rabat. Dialogu me myslimanët, deklarata për Jeruzalemin, migrantët dhe Evropa, rasti i kardinalit Barbarin, liria e ndërgjegjes në rrezik edhe në vendet me traditë të krishterë e çështja e djallit: këto ishin temat kryesore të kësaj konference për shtyp.

         Gazetari Siham Toufiki i agjencisë Map e pyeti Papën cilat mund të jenë rrjedhojat e vizitës së tij historike në Marok për të ardhmen, për paqen në botë, për bashkëjetesën e dialogun ndërmjet kulturave. E Ati i Shenjtë u përgjigj:

         “Unë them se tani çelën lulet, frytet do të vijnë më vonë. Por lulet janë premtuese. Jam i kënaqur, sepse në dy udhëtime munda të flas për argumentet, që i kam shumë për zemër: paqja, uniteti, vëllazërimi. Me vëllezërit myslimanë dhe me motrat myslimane i vumë vulën këtij vëllazërimi në dokumentin e Abu Dabit, ndërsa në Marok pamë liri, vëllazërim, mikpritje e respekt shumë të madh për gjithë vëllezërit. Kjo lule e bukur e bashkëjetesës premton të japë fryte. Nuk duhet të heqim dorë prej saj! Është e vërtetë se do të ketë ende vështirësi, shumë vështirësi, sepse, fatkeqësisht, ka grupe që s’lëvizin nga qëndrimi i tyre. Por një gjë dua ta them qartë: çdo fe ka gjithmonë një grup fundamentalist, që nuk dëshiron të ecë përpara dhe jeton me kujtimet e hidhura, me luftrat e së kaluarës, e kërkon luftën e mbjell frikë. Por ne e dimë se është më mirë të mbjellësh shpresë, të ecësh dorë për dore, gjithmonë përpara. Edhe në dialogun me ju këtu në Marok, pamë se nevojiten ura, prandaj ndiejmë dhimbje kur shohim njerëz, që parapëlqejnë të ndërtojnë mure. Pse ndiejmë dhimbje? Sepse ata, që ndërtojnë mure, do të përfundojnë të burgosur brenda tyre. Përkundrazi, ata që ndërtojnë ura, do të shkojnë shumë përpara. Për mua, ndërtimi i urave është diçka që gati e kapërcen njerëzoren, kërkon përpjekje shumë të madhe. Më ka prekur një frazë e romanit të Ivo Andriçit, “Ura mbi Drin”: ai thotë se urën e ka krijuar Zoti me krahët e engjëjve, që njerëzit të komunikojnë... që njerëzit të kenë mundësinë për të komunikuar. Ura është për komunikimin njerëzor. Kjo është diçka shumë e bukur, që e pashë këtu në Marok. Përkundrazi, muret janë kundër komunikimit, janë për izolim. Mbeten të burgosur brenda tyre edhe ata që i ndërtojnë. Pra, frytet nuk shihen ende, por shihen shumë lule, që do të japin fryt, le të vazhdojmë kështu”.

         Një gazetare tjetër i vuri në dukje Papës takimin me mbretin e Marokut dhe vullnetin e tij për dialog. Çfarë duhet bërë konkretisht për forcimin e dialogut? – e pyeti ajo.

         “Gjithnjë, kur ka dialog vëllazëror, kemi marrëdhënie në nivele të ndryshme – u përgjigj Françesku. - Më lejoni të përdor një përfytyrim: dialogu nuk mund të bëhet në laborator, duhet të jetë njerëzor e, nëse është njerëzor bëhet me mendje, me zemër dhe me duar. Kështu nënshkruhen paktet. Për shembull: thirrja e përbashkët për Jerusalemin ishte një hap përpara, që nuk u bë nga një autoritet i Marokut dhe nga një autoritet i Vatikanit, por nga vëllezër besimtarë, që vuajnë duke parë këtë ‘Qytet të shpresës’, i cili ende nuk është aq universal sa e duam të gjithë: hebrenj, myslimanë dhe të krishterë. Të gjithë e duam këtë. Prandaj, kemi vënë firmën për këtë dëshirë. Sepse është dëshirë, është thirrje për vëllazërimin fetar, që simbolizohet nga ky qytet, i cili na përket të gjithëve. Ne, besimtarët, jemi qytetarë të Jerusalemit”.

         I dërguari i gazetës katolike franceze “La Croix” vuri në dukje se mbreti i Marokut theksoi vullnetin për t’i mbrojtur hebrenjtë marokenë dhe të krishterët e vendeve të tjera, që jetojnë në Marok. Ndërkaq, në vende të tjera myslimane, besimtarët e fesë islame që kthehen në të krishterë rrezikojnë edhe jetën. Gazetari i kërkoi Papës një koment për këtë. Gjithashtu, e pyeti edhe për kardinalin Barbarin, kryeipeshkvin e Lionit, që ka dhënë dorëheqjen, i akuzuar se ka heshtur në rastin e nje prifti pedofil. Ja përgjigjja e Atit të Shenjtë:

         “Mund të them se në Marok ekziston liria e kultit, ka liri fetare, ka liri për manifestimin e përkatësisë fetare; pastaj, liria gjithnjë zhvillohet, rritet. Mendoni për ne të krishterët para 300 vjetëve: a e kishim këtë liri fetare, që gëzojmë sot? Feja rritet së bashku me vetëdijen, me aftësinë për ta kuptuar vetveten. Një murg francez i shekullit V, Vincenci i Lerins, ka përdorur një shprehje të mrekullueshme për të shpjeguar si mund të rritet njeriu në fe, si i shpjegon më mirë gjërat, si rritet edhe moralisht, gjithnjë, duke iu qendruar besnik rrënjëve. Ai ka përdorur tri fjalë, që tregojnë udhën: thotë se aftësia për ta kuptuar e për t’u vetëdijësuar për fenë e moralin duhet konsoliduar në vite dhe zgjeruar në kohë, por është po ajo fe, që lartohet e fisnikërohet me kalimin e viteve. Kështu për shembull, jemi në gjendje ta kuptojmë pse e kemi hequr sot dënimin me vdekje nga Katekizmi i Kishës Katolike. Para 300 vjetësh, heretikët i digjnin të gjallë. Pra, Kisha është ndërgjegjësuar moralisht. Rritet edhe respekti për njeriun e për lirinë e kultit. Edhe ne vetë, duhet të vijojmë të zhvillohemi. Ka katolikë, që nuk i pranojnë fjalët e Koncilit II të Vatikanit për lirinë e kultit e të ndërgjegjes. Pra, edhe ne e kemi këtë problem, jo vetëm vëllezërit myslimanë, të cilët – edhe ata – ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë, pavarësisht se disa vende nuk kuptojnë mirë e nuk zhvillohen njëlloj si të tjerët. Në Marok, e kemi këtë zhvillim. Në këtë kuadër, hyn edhe problemi i kthimit në fe tjetër, që disa vende nuk e pranojnë. Vende si Maroku nuk kanë probleme me këtë, janë më të hapur, tregojnë më tepër respekt dhe kërkojnë mënyrën për të ecur me maturi. Vende të tjera, me të cilat kam folur, thonë: ne s’kemi problem, por është më mirë që pagëzimin ta bëjnë jashtë territorit e të kthehen si të krishterë. Janë edhe këto, mënyra për të bërë hapa përpara në lirinë e ndërgjegjes e në lirinë e kultit. Mua më shqetëson diçka tjetër: kthimi mbrapsht i ne të krishterëve, që kemi filluar ta pakësojmë lirinë e ndërgjegjes. Le të mendojmë për mjekët dhe për institucionet spitalore të krishtera, që nuk kanë të drejtën e kundërshtimit, për shembull, në rastet e eutanazisë. Po si kështu? Kisha shkon përpara e ju, vende të krishtera, ecni mbrapsht? Mendojeni këtë, sepse është e vërteta. Sot, ne të krishterët rrezikojmë që disa qeveri të na e heqin lirinë e ndërgjegjes, hapi i parë për lirinë e kultit. Përgjigjja nuk është e lehtë, por të mos akuzojmë vetëm myslimanët, t’i akuzojmë edhe këto vende, ku ndodhin këto gjëra. Është për t’u ardhur turp”.

         “Pastaj, përsa i përket kardinalit Barbarin… Ai, si njeri i Kishës, ka dhënë dorëheqjen, por, moralisht, unë s’mund ta pranoj, sepse juridikisht – e kjo është e njohur edhe nga jurisprudenca klasike – ekziston presupozimi i pafajësisë gjatë gjithë kohës, që vijon procesi. Ai ka apeluar e çështja është akoma e hapur. Pastaj, kur gjykata e nivelit të dytë do të marrë vendimin, të shohim ç’do të ndodhë. Ama gjithnjë, duhet ta presupozojmë pafajësinë. Kjo ka rëndësi, sepse shkon kundër dënimit sipërfaqësor mediatik. Çfarë thotë jurisprudenca botërore? Nëse çështja është e hapur duhet të presupozojmë pafajësinë. Ndoshta nuk është i pafajshëm, por akoma nuk mund të shprehemi për këtë. Një herë, kam folur edhe për një rast në Spanjë, në të cilin dënimi i mediave ua shkatërroi jetën disa meshtarëve, që dolën të pafajshëm. Prandaj, mendojeni mirë para se t’i dënoni njerëzit në media. Kardinali Barbarin, me ndershmëri, preferoi të tërhiqej: ‘po largohem vullnetarisht e po lë vikarin e përgjithshëm në kryedioqezë deri sa gjykata të japë vendimin përfundimtar’”.

         Cristina Cabrejas nga agjencia spanjolle Efe e pyeti Papën mbi fenomenin e migracionit. Spanja ka ndërtuar një barrierë mbi të cilën ka tehe thikash, që mund t’i plagosin migrantët. Edhe presidenti amerikan Trump, këto ditë, ka deklaruar se do t’i mbyllë kufijtë dhe do të pezullojë ndihmat për tre vende latinoamerikane. Gazetarja i kërkoi Françeskut të shpjegojë qëndrimin e tij ndaj këtyre qeveritarëve...

         “Para së gjithash – sqaroi Papa – siç e thashë më parë, ndërtuesit e mureve, qofshin me brisqe a me thika apo me tulla, do të burgosen brenda tyre. Së pari: ç’do të thotë historia. Së dyti: Jordi Évole, kur më bëri intervistën, më tregoi një pjesë të atij muri me tehe thikash. Sinqerisht, m’u mbushën sytë me lot e kur ai iku, qava, sepse nuk më hyn në kokë e në zemër kaq shumë mizori. Nuk m’i duron as koka e as zemra mbytjet në Mesdhe; le të ndërtojmë ura nëpër porte. Kjo s’është mënyrë për zgjidhjen e problemit të rëndë të migracionit. E kuptoj: një qeveri me këto probleme ka një patate të nxehtë në duar, por duhet të gjejë një zgjidhje humane. Kur pashë atë mur me thika, s’mund ta besoja. Një herë tjetër, kam pasur rastin të shoh një video me refugjatët, që i kthejnë mbrapsht e i fusin nëpër burgje. Burgje jo zyrtare, burgje trafikantësh. Të bëjnë të vuash… Gratë e fëmijët i shesin, mbeten burrat e, torturat, që shihen në video, janë të pabesueshme. Është video, që e kanë bërë fshehurazi shërbimet sekrete. Ja pra, një vend nuk i lë të hyjë, sepse nuk mundet, por ka vende të tjera, është humaniteti i Bashkimit Evropian, që duhet të flasë me një zë të vetëm. Nuk i lë të hyjnë e i lë të mbyten, ose i kthej mbrapsht, duke e ditur se shumë prej tyre do të bien në duart e këtyre trafikantëve, të cilët shesin gratë e fëmijët, vrasin e torturojnë burrat, për t’i bërë skllevër? Kjo video është në dispozicionin tuaj. Kam folur me një politikan, njeri që e respektoj… po e them edhe emrin, është Alexis Tsipras [kryeministri grek]. Duke folur për këto marrëveshje, që nuk i lënë njerëzit të hyjnë, ai m’i shpjegoi vështirësitë, por, në fund të fundit, më foli me zemër e më tha: ‘të drejtat e njeriut vijnë para marrëveshjeve’. Kjo frazë meriton çmimin Nobel”.

         Politika e sotme evropiane, që priret t’u mbyllë kufijtë emigrantëve, është shprehje e zgjedhësve, që e kanë votuar. Shumica e tyre janë katolikë, i tha Papës një gazetar tjetër, gjatë udhëtimit me avion për në Romë, duke i kërkuar një koment.

         “Shoh se shumë njerëz vullnetmirë, jo vetëm katolikë, por njerëz të mirë, kanë pak frikë – vërejti Ati i Shenjtë. – E ky është predikimi i zakonshëm i populizmave: frika. Përhapet frika e pastaj, merren vendimet. Frika është fillimi i diktaturave. Mjafton të shohim shekullin e kaluar, kur ra Republika e Vajmarit… e përsëris shpesh këtë. Gjermania kishte nevojë të dilte nga ajo gjendje e, me premtime e me frikë, eci përpara Hitleri. E dimë rezultatin… Të mësojmë nga historia; kjo, që po ndodh sot, s’është gjë e re: të mbjellësh frikën do të thotë të grumbullosh mizori, mbyllje dhe shterpësi. Mendoni për dimrin demografik në Evropë. Edhe ne që banojmë në Itali: nën zero. Mendoni për mungesën e kujtesës historike: Evropa është bërë nga migracionet, kjo është pasuria e saj. Të mendojmë për bujarinë e shumë vendeve, që sot, trokasin në dyert e Evropës. Pritën migrantë evropianë nga dy luftra: Amerika e Veriut, Amerika Qendrore, Amerika e Jugut. Im atë shkoi aty pas luftës. Pak mirënjohje… Në të vërtetë, puna e parë është të përpiqemi që emigrantët e luftës e të urisë të mos kenë nevojë të ikin nga vendi i tyre. Nëse Evropa kaq bujare i shet armë Jemenit për të vrarë fëmijët, si mund të jetë koherente? Ky është vetëm një shembull, por Evropa shet armë. Pastaj, kemi problemin e urisë, të etjes. Nëse dëshiron të jetë nëna Evropë e jo gjyshja Evropë, ky kontinent duhet të investojë, duhet të përpiqet, me mençuri, të ndihmojë e ta rrisë nivelin përmes edukimit, përmes investimeve. E këtë nuk e them unë, e tha kancelarja Merkel. Është diçka, që ajo e ndien mjaft: të pengohet imigracioni, jo me forcë, por me bujari, me investime në arsim, në ekonomi, etj., e kjo është shumë e rëndësishme. Së dyti, si të veprohet: është e vërtetë që një vend nuk mund t’i presë të gjithë, por është një Evropë e tërë ku mund të shpërndahen imigrantët. Sepse pritja duhet bërë me zemër të hapur, pastaj, njerëzit duhen shoqëruar, promovuar e integruar. Nëse një vend nuk mund të integrojë, duhet të flasë menjëherë me vendet e tjera: ti sa mund të marrësh… për t’u dhënë njerëzve një jetë të denjë. Shembull tjetër, që e kam jetuar personalisht gjatë diktaturës: operacioni Kondor në Buenos Ajres, në Amerikën Latine, në Argjentinë, Kili dhe Uruguaj. Pati qenë Suedia, që priti me bujari mbrësëlënëse. Mësonin menjëherë gjuhën, paguar nga shteti, pastaj gjenin punë e shtëpi. Tani, Suedia ka vështirësi për të pritur imigrantë, por e thotë hapur e kërkon ndihmë. Kur isha atje vitin e kaluar, më priti kryeministri, por në ceremoninë e lamtumirës ishte një ministre e re, besoj e arsimit, që e kishte fytyrën pak të zeshkët, sepse ishte bijë e një suedezeje dhe e një imigranti afrikan. Kështu integron një vend shembullor si Suedia. Por, për këtë, nevojitet bujari, jo frikë. Me frikë e me mure do të mbetemi të mbyllur”.

         Cristina Caricato e televizionit katolik italian Tv2000 vuri në dukje faktin se Papa denoncon shpesh veprimin e djallit në shoqëri dhe e bëri këtë edhe në përfundim të Takimit të shkurtit në Vatikan për mbrojtjen e të miturve. Ç’duhet bërë, pyeti ajo, për t’iu kundërvënë Qoftëlargëtit, sidomos në rastin e shkandujve të pedofilisë?

         “Një gazetë – kujtoi Ati i Shenjtë – pas fjalimit tim në fund të Takimit për mbrojtjen e të miturve, shkroi: i zgjuar Papa, fillimisht tha se pedofilia është problem botëror, pastaj tha diçka për Kishën e, në fund, i lau duart e ia veshi fajin djallit. Pak si tepër e thjeshtëzuar, apo ajo? Një filozof francez, në vitet ’70, pati bërë një dallim, që mua ma ka shndritur mendjen. Thoshte: ‘për ta kuptuar një situatë, duhen dhënë të gjitha shpjegimet e pastaj, duhet kërkuar kuptimi’. Ç’do të thotë kjo në këndvështrimin shoqëror? Ç’do të thotë nga pikpamja personale, ose fetare? Unë përpiqem t’i jap të gjitha shpjegimet. Por ka një pikë, që nuk kuptohet, pa misterin e së keqes. Mendoni për pedopornografinë virtuale. Kemi pasur dy takime me peshë mjaft të rëndë, në Romë dhe në Abu Dabi. Pyes veten si ka ndodhur që kjo është bërë diçka e përditshme? Pse vallë – e po flas për statistika serioze – për të parë një abuzim seksual me të mitur mjafton të lidhesh me pedopornografinë virtuale e të lënë ta shohësh. Nuk po gënjej. Pyes veten: përgjegjësit e botës nuk mund të bëjnë asgjë? Ne të Kishës do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund kësaj plage, …do të bëjmë gjithçka. Në atë fjalim, dhashë masa konkrete. Ekzistonin edhe para Takimit, kur kryetarët e konferencave ipeshkvnore më dhanë atë listën, që ua shpërndava të gjithëve. Përgjegjësit për këto ndyrësira, a mos janë të pafajshëm vallë? Ata, që fitojnë prej tyre? Në Buenos Ajres, me dy qeveritarë të qytetit, lëshuam një urdhër, një dispozitë për hotelet e luksit, ku thuhej: “shkruajeni në derë: në këtë hotel nuk lejohen raporte me të miturit”. Askush nuk deshi ta vendosë. “Jo po… nuk mundemi, duket sikur këtu bëhen ndyrësi, … dihet se nuk i bëjmë këto punë, edhe pa kartelë’. Qeveria nuk e gjetka se ku filmohen këta fëmijë? Kjo, për të thënë se plaga botërore është e madhe, por edhe se nuk arrijmë ta kuptojmë pa pasur parasysh shpirtin e së keqes. Këshilloj dy publikime: një artikull të Gianni Valente në faqen e internetit Vatican Insider, ku flet për ‘donatistët’. Sot, Kisha ka rrezik të bëhet ‘donatiste’, duke dhënë receta njerëzore e duke harruar përmasat e tjera. Po lutja, pendesa, me të cilat s’jemi mësuar më? Të dyja! Sepse të fitosh mbi shpirtin e së keqes nuk do të thotë ‘të lash duart, duke thënë se këto punë i bën djalli’: jo! Edhe ne duhet të luftojmë me djallin, me gjërat njerëzore. Publikimi tjetër është në revistën ‘Civiltà Cattolica’. Pata shkruar një libër në vitin 1987, ‘Letrat e mundimeve’. Ishin letra të eprorit të përgjithshëm të jezuitëve kur Shoqërinë po e shpërndanin. Pata bërë një prolog e këta bënë një studim mbi letrat, që i pata çuar episkopatit dhe popullit kilian. Si të veprojmë me to, me pjesën shkencore e me pjesën shpirtërore. Kështu bëra edhe me ipeshkvijtë amerikanë: propozimet e tyre ishin tepër metodologjike, pa vullnet, pa përmasë shpirtërore. Dua t’ju them: Kisha nuk është kongrecionaliste, është katolike. Ipeshkvi e Papa duhet t’i marrë në dorë punët si bari. Por si bëhet kjo? Me masa disiplinore, natyrisht, por edhe me pendesë, me lutje, me akuzimin e vetvetes. Do t’ju isha mirënjohës nëse i studioni të dyja anët: atë shpirtërore e atë njerëzore”.

         Pyetja tjetër, që i bëri e njëjta gazetare, kishte të bënte me politikën italiane e me kongresin e familjeve në Verona, por Papa u përgjigj se nuk e kuptonte politikën italiane, e, në veçanti, nuk kishte shumë informacion për Takimin, prandaj nuk e komentoi atë.

01 prill 2019, 14:37