Në Bullgari, gjithçka gati për të pritur Papën
R. SH. - Vatikan
“Jemi tashmë në përfundim të hollësirave: shpresojmë t’i japim një mirëseardhje mrekullisht të bukur Papës, që të gjithë bullgarët po e presin me shumë entuziazëm e me gëzim të madh”. Me këto fjalë Iva Mihailova, përgjegjëse për mediat e Komitetit organizativ të shtegtimit papnor në Bullgari, e përshkruan atmosferën e përgatitjes për vizitën e Papës. Françesku, që do të jetë në Bullgari dhe në Republikën e Maqedosnisë së Veriut më pesë deri më 7 maj. Është vizita e dytë e një Pape në Bullgari, pas asaj të Gjon Palit II, në vitin 2002. E para, në Maqedoni. Ngjarje që nuk ndodhin çdo ditë - kujton - prandaj të gjithë përpiqen të japin ndihmesën e tyre për një pritje të paharrueshme, një festë të mrekullueshme feje, me vlerat e pamohueshme, që na përkasin të gjithëve.
Katërbrinjëshi i paqes
Një nga çastet më domethënëse të shtegtimit, do të jetë ai i 6 majit, kushtuar paqes, në praninë e përfaqësuesve të konfesioneve të ndryshme fetare në Bullgari. Do të mbahet në Sheshin Nezavisimost, në Sofje. “Kjo ngjarje do të jetë shumë e bukur” - vijon në mikrofonet e Vatican News Iva Mihailova. “Bullgaria ka një histori shumë interesante në këtë drejtim, sepse në kryeqytetin tonë, Sofje, ndodhet një katërbrinjësh unik, tepër i veçantë: janë, vetëm pak metra larg njëra-tjetrës, katedralja ortodokse, katedralja katolike, xhamia e madhe e sinagoga. Toleranca dhe dialogu ndërmjet konfesioneve të ndryshme fetare janë karakteristike për Bullgarinë. Ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, ku faqe të tëra historie u shkruan me gjak, në Bullgari nuk ka pasur asnjë krim me sfond fetar. “Kjo paqe, kjo tolerancë - vijon përgjegjsja për mediat e Komitetit organizativ, që nga viti 1925, e pati prekur thellë imzot Angelo Roncalli-n, delegat i asokohshëm papnor e më pas, Papa Gjoni XXIII. Shumë studiues shprehin mendimin se pikërisht këtu, në trojet bullgare, Papa Gjoni XXIII u frymëzua për aspektin ekumenik të Koncilit II të Vatikanit. Kjo kujtohet qartë, pastaj, pikërisht në Letrën enciklike të Papës Roncalli “Pacem in Terris”, nga u mor edhe motoja e shtegtimit të Papës Françesku në Bullgari.
Bullgaria dhe sfidat e saj
Vetëm në dy ditë, Papa Bergoglio do të takohet me presidentin dhe me autoritetet, si dhe me shoqërinë civile e trupin diplomatik; do të kryesojë dy Meshë, një në Sofje, gjallëruar nga kori me 90 këngëtarë, e një tjetër në Rakovsky, me kungimet e para, në kishën e Zemrës së Krishtit; do të vizitojë një kamp refugjatësh e do të takojë patrikun e Sinodit të Shenjtë. Do të lutet, pastaj, privatisht, para fronit të Shenjtorëve Çirili e Metodi, në katedralen patriarkale të Shën Aleksandër Nevsky-t. Iva Mihailova flet edhe për vendin, që do të takojë Papa: një vend i vogël, i cili prej dhjetë vjetësh bën pjesë në Bashkimin Evropian, me sukseset e dështimet e veta, si të gjithë: “Pas së kaluarës komuniste - përfundon - Bullgaria ka bërë shumë hapa përpara; sfidat janë të shumta, por nuk mungojnë as përpjekjet për t’i zgjidhur në mënyrë sa më pozitive”.
Edhe Chiprovsti do të ketë rastin ta përqafojë Françeskun
Në Chiprovtsi, ndërkaq, vend-simbol i katolikëve në Bullgari, ku shpërtheu revolta e parë kundër sundimit otoman, është përfunduar sixhadeja, që do t’i dhurohet Papës Françesku. Kjo komune është e famshme për qilimat me ngjyra e pëlhurat e punuara në tezxhah. Sixhadenë, të cilën do t’ia dorëzojë Papës kryebashkiaku i Chiprovtsi-t, me rastin e Meshës në Rakovsky, e punuan dy endëset më të mira.