Papa e paqja ndërmjet Koreve: “durim në përpjekjet për ta kapërcyer ndarjen”

Papa Françesku kujton, në një videomesazh, kryevjetorin e nënshkrimit të deklaratës së Panmunjon “për paqen, prosperitetin dhe bashkimin e Gadishullit Korean”, më 27 prill 2018, duke uruar “një ardhmëri të bazuar mbi unitetin, dialogun e solidaritetin vëllazëror

R. SH. - Vatikan

Një vit pas takimit historik të liderit verikorean Kim Jong-un me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në fshatin Panmunjon, buzë kufirit ndërmjet dy shteteve, Papa Françesku, në një videomesazh, dërgon përshëndetjet e tij të përzemërta, duke kujtuar edhe “Deklaratën për paqen, prosperitetin dhe unifikimin e Gadishullit Korean”, nënshkruar në Shtëpinë e paqes, ku qe nënshkruar edhe armëpushimi i vitit 1953, që i jepte fund Luftës së Koresë:

“Uroj që ky kremtim t’i mbushë të gjithë me shpresën se ardhmëria, e bazuar mbi unitetin, mbi dialogun e mbi solidaritetin vëllazëror, do të jetë me të vërtetë e mundshme. Përmes përpjekjeve durimtare e ngulmuese, kërkimi i harmonisë dhe i pajtimit do të mund t’i kapërcejnë përçarjet e kundërvëniet”.

Një epokë e re paqeje, për të gjithë koreanët

Françesku e përfundon mesazhin me një lutje. Lutet që kryevjetori i Deklaratës së Panmunjon t’u sjellë një epokë të re paqeje të gjithë koreanëve. E i kërkon Zotit, për mbarë banorët e Gadishullit “begati bekimesh hyjnore”.

Paqe ndërmjet dy Koreve: sfida e shpresa

Mesazhi i Papës arrin në gadishullin e Koresë pikërisht ditën e kryevjetorit  të takimit historik të dy liderëve koreanë, shoqëruar me përqafime, buzëqeshje e shtrëngime duarsh: ishte  27 prilli i vitit 2018, kur ky takim i shumëdëshiruar, u bë realitet në Panmunjon, zonë e çmilitarizuar qysh nga viti 1953, që ndan dy Koretë, e me ta, edhe dy popujt, të cilët flasin një gjuhë, i përkasin një familjeje të vetme, të ndarë më dysh nga kufiri, gjithnjë në rrezik të shkelet, sepse i themeluar vetëm mbi një armëpushim i brishtë.

Shumë ndryshime, që asokohe…

E megjithatë, që asokohe shumë gjëra kanë ndryshuar. Hapat përpara nuk kanë pasur të njëjtën bujë, si takimi, por janë bërë! Kanali i dialogut është hapur, e me të, shpresa për takime të tjera. Gjë e pamendueshme deri një vit më parë! Takim, nga i cili lindi shpresa për shpejtimin e bashkimit të dy pjesëve të një Gadishulli të vetëm, atij Korean!

27 prill 2019, 14:00