Papa: dhurimi i organeve, gjest vëllazërimi e dhuratë për Zotin

Papa Françesku, duke pritur sot 400 vullnetarë të Aido, kujtoi se të dhurosh organet nuk është vetëm akt përgjegjësie shoqërore, por edhe “shprehje e vëllazërimit universal” e gjest i dashurisë bujare, që i kundërvihet kërcënimeve të abortit dhe të eutanazisë, kundër jetës.

R. SH. - Vatikan

Dhurimi i organeve nuk është vetëm “akt përgjegjësie shoqërore”, por edhe “shprehje e vëllazërimit universal, që i lidh të gjithë burrat e gratë e botës”. Për besimtarët, pastaj, është dhuratë bërë vetë Zotit të vuajtur dhe gjest dashurie bujare, që i kundërvihet kërcënimeve të abortit dhe eutanazisë, kundër jetës. Këto, fjalët e Papës Françesku drejtuar 400 vullnetarëve të Shoqatës italiane të dhurimit të organeve Aido, të cilët i priti sot, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, si përfaqësues - kujtoi - të mijëra njerëzve, që i dëshmojnë e i përhapin vlerat e ndarjes së përbashkët e të dhurimit, pa kërkuar asnjë shpërblim.

T’i dhurosh organet, nevojë shoqërore

Pas përshëndetjes së presidentes së Aido (Shoqata Italiane për dhurimin e organeve dhe të indeve”) Flavia Petrin, Papa kujtoi se “zhvillimet e mjekësisë së trapianteve krijuan mundësitë e dhurimit të organeve, pas vdekjes e, në disa raste (siç është, për shembull, rasti i veshkave), edhe më të  gjallë, për të shpëtuar jetë të tjera njerëzore. Por edhe për të ruajtur, për të rifituar e për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të një mori të sëmurësh, që nuk kanë rrugë tjetër. Prandaj - nënvizoi Papa - dhurimi i organeve “i përgjigjet një nevoje shoqërore sepse, pavarësisht nga të rejat në fushën e mjekësisë, kjo nevojë mbetet akoma shumë e madhe”.

Përvojë thellësisht njerëzore, e ngarkuar me dashuri

Dhurimi nuk është vetëm gjest “i nevojshëm”, por - sqaroi Françesku - edhe thellësisht njerëzor, i ngarkuar me dashuri e altruizëm:

“Të dhurosh, do të thotë të shkosh përtej vetvetes, përtej nevojave individuale e ta hapësh bujarisht zemrën për një të mirë më të madhe. Në këtë perspektivë, dhurimi i organeve është jo vetëm akt përgjegjësie shoqërore, por edhe shprehje e vëllazërimit universal, që krijon lidhje të forta ndërmjet burrave e grave”.

Katekizmi: “Akt solidariteti bujar, për t’u inkurajuar”

Më pas Papa citoi Katekizmin e Kishës Katolike, që nënvizon: “Dhurimi i organeve pas vdekjes është akt fisnik, për t’u inkurajuar si shprehje bujare e solidaritetit”. Njeriu jeton në lidhje me të tjerët - shpjegoi Papa - e, prej këndej “secili nga ne e realizon vetveten edhe përmes pjesëmarrjes në realizimin e tjetrit”.

Akt dhurimi,  jo fitimi: të vihet në qendër bukuria e solidaritetit

Papa kujtoi, në vijim, se Gjon Pali II, në enciklikën “Evangelium vitae” sqaron  se “ndërmjet gjesteve, që vlejnë për të ushqyer kulturën e vërtetë të jetës, ‘meriton vlerësim të veçantë dhurimi i organeve’, kryer në forma etikisht të pranueshme” - e kjo duhet nënvizuar - për t’u ofruar mundësinë e shëndetit e deri të vetë jetës,  të sëmurëve, nganjëherë pa asnjë shpresë:

“Ka rëndësi, prandaj, që dhurimi i organeve të  bëhet pa shpërblim. E kjo, sepse çdo formë e tregtimit të trupit, ose të një pjese të tij, i kundërvihet dinjitetit njerëzor. Kur dhurohet gjaku a ndonjë organ, është e nevojshme të respektohet perspektiva etike e fetare”.

Besimtarët ta jetojnë dhurimin si ofertë për Zotin

Për ata, që nuk besojnë - nënvizoi Papa - ky gjest dhurimi ndaj vëllezërve  nevojtarë kryhet “mbi bazën e idealeve të çinteresuara të solidaritetit njerëzor”:

“Besimtarët janë të thirrur ta jetojnë si dhuratë për Zotin, i cili u njëjtësua me ata që vuajnë për shkak të sëmundjes, të aksidenteve rrugore, ose të fatkeqësive në punë. Është gjë e bukur për dishepujt e Krishtit t’i ofrojnë organet e tyre, sipas rregullave të lejuara nga ligji e nga morali, sepse është   dhuratë, që i bëhet Krishtit të vuajtur”.

Kur dhuron një organ - nënvizoi akoma Papa - mos harro se ia dhurove vetë Zotit. Prej këndej, Françesku e nxit kulturën e dhurimit, që duhet ta favorizojë ofrimin e një pjese të trupit, pa rreziqe a pasoja, kur je gjallë, e të të gjitha organeve, pas vdekjes.

Kjo porosia e Papës, që e përfundoi takimin me thirrjen:

“Vijoni ta mbroni e ta promovoni jetën!”.

13 prill 2019, 14:51