Kërko

Françesku: dëshmitarë e kumtues të Krishtit të ngjallur

“Të jemi dëshmitarë të ngjarjes më tronditëse të historisë njerëzore, Ngjalljes së Krishtit, që vërteton fitoren e Dashurisë së Zotit mbi mëkatin e mbi vdekjen”: kjo, ftesa e Papës Françesku sot, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në të Hënën e Engjëllit. Papa rikujtoi se Ungjilli i sotëm na çon përsëri tek Varri i zbrazët, ku gratë nuk takojnë e as nuk prekin ndonjë fantazmë, por Krishtin e gjallë!

“Ashtu si gratë, të parat që e takuan Jezusin e ngjallur, edhe ne jemi të thirrur ta takojmë personalisht e të bëhemi kumtues e dëshmitarë të Tij, duke e jetuar gëzimin e Pashkëve, të çliruar nga frika e trishtimi. Sepse fjala ogurzezë varr e humbi tashmë peshën që rëndonte mbi jetën e tonë!”.  Këto, fjalët, drejtuar nga Papa të krishterëve sot, gjatë Mbretëreshës Qiellore të së Hënës të Engjëllit:

“Ajo, që mendja njerëzore nuk mund as ta përfytyronte, ndodhi! Krishti u ngjall! E ngjallja e Tij është ngjarja, që e ktheu përmbys gjithë historinë njerëzore, duke vërtetuar fitoren e Dashurisë së Zotit mbi mëkatin e mbi vdekjen e duke i dhuruar shpresës sonë për jetë, një bazë të patundur, si shkëmbi”.

Ungjilli i sotëm rrëfen takimin e Jezusit me gratë e na çon, kështu, edhe një herë, pranë varrit:

“Na bën mirë të shkojmë me mendime tek varri i zbrazur i Jezusit. Gratë, të pushtuara nga droja e nga gëzimi njëherësh, nisen pa frymë për t’ua çuar lajmin e madh, gati-gati të pabesueshëm, dishepujve: e pikërisht në këto çaste, shikojnë Jezusin. I afrohen, ia rrokin këmbët dhe e adhurojnë. E prekin, sidomos. Nuk është fantazmë, është Ai vetë, Krishti. Eshtë i gjallë, me mish e eshtra. Jezusi e dëbon frikën  nga zemrat e  tyre, u jep guxim e i nxit t’ua kumtojnë vëllezërve çka panë me sy e prekën me dorë: ngjalljen e të vdekurit!”.

Të gjithë ungjijtë e vënë në dukje rolin e grave, të Marisë Magdalenë sidomos, por edhe të të tjerave, që mbeten në historinë e njerëzimit si dëshmitaret e para të Ngjalljes. Edhe të parat, që e kumtuan, ndërsa burrat, të kapërthyer nga frika, qenë mbyllur në çenakull.

“Sot, të dashur vëllezër e motra, na përkasin edhe ne fjalët e Jezusit drejtuar grave: ‘Mos kini frikë: shkoni e kumtoni…!’. Pas Triditëshes të Pashkëve, tri ditë, që na bënë ta rijetojmë misterin e vdekjes e të ngjalljes së Zotit tonë, tani, me sytë e fesë, e kundrojmë të ringjallur, të gjallë! Edhe ne ftohemi ta takojmë personalisht e të bëhemi kumtuesit e dëshmitarët e Tij. E këto ditë, me Sekuencën e Pashkëve, të përsërisim: ‘Krishti, shpresa ime, u ngjall’. E në të, u ngjallëm edhe ne. Kaluam nga vdekja, në jetë; nga skllavëria mëkatit, në lirinë e dashurisë”.

Pranë Krishtit - pranë vëllezërve!

Kur e lëmë Zotin të na mbështjellë me dritën e Tij të lumnueshme,  errësira e frikës dhe e trishtimit davaritet. Davaritet e zhduket. Duhet, prandaj, t’i mbushim duart plot me paqen e qetësinë, dhuratat e të Ngjallurit, e t’i ndajmë me vëllezërit, posaçërisht me kë ka më shumë nevojë për shpresë e ngushëllim:

“Jezusi i ngjallur ecën pranë nesh. Ai u duket atyre, që e thërrasin e që e duan. Para së gjithash, në lutje, por edhe në gjestet e vogla, të jetuara me fe e mirënjohje. Mund ta ndjejmë pranë edhe duke jetuar bashkë çaste përzemërsie, mikpritjeje, miqësie, kundrimi të natyrës. Kjo ditë feste, në të cilën shijohen çaste prehjeje, na ndihmoftë ta ndjemë praninë e Jezusit”.

E në këtë javë, me të cilën zgjatet gëzimi i Pashkëve të Ngjalljes, edhe pas Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku përsëriti ftesën:

 “Ta shfrytëzojmë çdo rast për ta dëshmuar gëzimin dhe paqen e Zoti të ngjallur”.

22 prill 2019, 13:43