Kërko

Takimi i Papës Françesku me Federatën Biblike Katolike Takimi i Papës Françesku me Federatën Biblike Katolike 

Papa: Bibla është Fjala e jetës, jo përmbledhje librash kishtarë

“Të lutemi e të punojmë që Bibla të mos mbetet në bibliotekë, në mesin e librave të shumtë, por të vrapojë nëpër udhët e botës, aty ku jetojnë njerëzit”. Kështu, Papa Françesku, për pjesëmarrësit e Kongresit të Federatës Biblike Katolike (CBF), që përfundoi sot në Romë.

R.SH. - Vatikan

“Bibla nuk është thjesht, përmbledhje e bukur librash kishtarë për t’u studiuar, është Fjala e jetës, që duhet mbjellë, dhuratë që Zoti i Ringjallur na kërkon ta pranojmë e ta përhapim, që të kemi jetë, në emër të Tij”. Kështu tha sot Papa Françesku, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e Kongresit ndërkombëtar, organizuar nga Federata Biblike Katolike (CBF), në 50-vjetorin e themelimit. Për tri ditë me radhë, në Vatikan, u mblodhën studiues të Biblës nga e gjithë bota, për të reflektuar mbi temën: “Bibla dhe jeta: frymëzimi biblik në gjithë jetën baritore e në misionin e Kishës – Përvoja dhe sfida”.

Bibla e jeta të mos ndahen kurrë

         Këto dy fjalë të temës “Bibla dhe jeta” përshkuan edhe meditimin e Papës Françesku për pjesëmarrësit e Kongresit, të cilët e filluan ditën e sotme me meshën dhe me vizitën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Bibla dhe jeta, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë binom i pandashëm, sepse Fjala e Zotit është jetë, mbetet gjithnjë e re dhe i bën të jenë gjithnjë të rinj ata, që e zbatojnë:

         “Është e rëndësishme të kujtojmë se Shpirtit Shenjt, Atij që gjallëron, i pëlqen të veprojë përmes Biblës. Fjala sjell në botë frymën e Hyjit, dikon në zemra ngrohtësinë e Zotit. Të gjitha kontributet akademike, vëllimet që publikohen, janë e s’mund të mos jenë, veçse në shërbim të kësaj”.

Kujdes homelitë!

         Studimet, vijoi Papa, janë druri, që ushqen zjarrin, por flaka është Shpirti Shenjt e Ai e bën Biblën të ndezë zemrat e të shndërrojë jetën. Françesku u kërkoi anëtarëve të Federatës Biblike Katolike të kenë kujdes predikimet e homelitë, që duhet të nisen nga ndjenjat e predikatarit, të prekur prej Fjalës hyjnore:

         “Predikimi nuk është ushtrim retorike e as shuma e dijeve njerëzore… Kisha që jeton, duke dëgjuar Fjalën e Zotit, nuk kënaqet kurrë me siguritë e veta, por tregohet e gatshme për risitë e paparashikueshme të Shpirtit Shenjt. Nuk lodhet së kumtuari, nuk mposhtet nga zhgënjimi, nuk tërhiqet e promovon bashkimin në çdo nivel, sepse Fjala e Hyjit na bën thirrje për bashkim dhe e fton secilin ta dëgjojë tjetrin, duke kapërcyer veçoritë vetjake”.

Kisha jeton për të kumtuar Fjalën

Fjala e Zotit, theksoi Papa Françesku, është si shpata, që ndan mendimet e ndjenjat, duke nxjerrë në dritë të vërtetën. Na mëson të heqim dorë nga vetvetja, për të kumtuar Krishtin. Fjala, që lexojmë në Bibël, nuk na lë të qetë, por na nxit ta vemë gjithnjë në diskutim vetveten:

“Kisha, që ushqehet me Fjalën hyjnore, jeton për ta kumtuar Atë. Nuk flet për veten, por ecën udhëve të botës: jo pse i pëlqejnë, ose janë më të lehta, por sepse ato janë vendet e kumtimit”.

Fjala e Zotit “të vrapojë” udhëve të botës

Në fund, Papa i nxiti anëtarët e Federatës Biblike Katolike që të mos e ndajnë kurrë Biblën nga jeta e të punojnë që Fjala e Zotit “të ngarendë” nëpër udhët e botës, ashtu siç kërkon Shën Pali në Letrën e dytë drejtuar Selanikasve:

“Të lutemi e të punojmë që Bibla të mos mbetet në bibliotekë, në mesin e librave të shumtë, por të rendë nëpër udhët e botës, aty ku jetojnë njerëzit, që e presin. Ju uroj të jeni bartës të denjë të Fjalës, me të njëjtin entuziazëm, për të cilin lexojmë këto ditë në tregimet e Pashkëve, ku të gjithë vrapojnë: gratë, Pjetri, Gjoni, dy dishepujt e Emausit… Vrapojnë për ta takuar e për ta kumtuar Fjalën e gjallë”.

26 prill 2019, 14:27