Cerca

Vatican News
E Enjta e Madhe e Shenjtë e Pashkëve E Enjta e Madhe e Shenjtë e Pashkëve 

Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve, na ftojnë të ndërtojmë, me Zotin, një botë më të mirë

Treditëshi është, këtë javë të madhe të Pashkëve, në qendër të vëmendjes në kremtimet liturgjike të Kishës, kremtime që janë kulmi i tërë vitit liturgjik, sepse përkujtojnë e kremtojnë mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit - Shëlbuesit të njerëzimi. Treditëshi Pashkëve i nxisin të krishterët të pendohen e të ndërtojnë një botë më të mirë.

R.SH. - Vatikan

Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Jezu Krishtit, të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur e për të dashur.

Me të Enjten e Madhe e të Shenjtë, e njohur edhe si e Enjtja e Mistereve, filloi Treditëshi i Pashkëve, që arrin kulmin në vigjiljen, natën e Pashkëve dhe pastaj përfundon me Mbrëmësoren e dytë të së Dielës së Ngjalljes së Krishtit, të Dielën e Pashkëve. Dita e Enjtes së Shenjtë të Pashkëve është e rezervuar për dy kremtime të veçanta, kremtimi parë bëhet në Kishat katedrale të dioqezave, sot paradite, për shugurimin Vajrave të Shenjta, bekimi i vajit të të sëmurëve, bekimi i vajit të katekumenëve dhe shugurimi i Krizmës që do të përdoret gjatë gjithë vitit të ardhshëm për Sakramentet e Pagëzimit, Krezmimit apo Përforcimit dhe Urdhrit të Shenjtë, dhe tre vajrat e tjera që përdoren për pagëzimin, vajosjen e të sëmurëve dhe për vajosjen e katekumenëve. Kremtimin e kësaj liturgjie solemne e kryeson ipeshkvi dioqezan, rreth të cilit mblidhen priftërinjtë dhe diakonët, të cilët në pasdite kthehen në famullitë e tyre  kishtare për të kremtuar Meshën e mbrëmjes të Enjtes së Pashkëve, Meshën "in Coena Domini" – “Meshën e Darkës së Zotit Jezu Krishti me apostujt”.

Pra, Treditëshi është, këtë javë të madhe të Pashkëve, në qendër të vëmendjes në kremtimet liturgjike të Kishës, kremtime që janë kulmi i tërë vitit liturgjik, sepse përkujtojnë e kremtojnë mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e Jezu Krishtit - Shëlbuesit të njerëzimit. Kisha, që do të kremtojë, si çdo vit, ritet qendrore të Javës së Madhe të Pashkëve, na fton të reflektojmë mbi tri ditët e shenjta që – siç nënvizuam – përbëjnë thelbin e vitit liturgjik.

Janë 72 orët në të cilat, më shumë se kudo, feja e krishterë gjen arsyen më të thellë të qenies së vet. Ngjarjet e Treditëshit të Pashkëve, janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe e mirësi.

E Enjtja e Madhe, me Jezusin që na e dhuron plotësisht vetveten, duke na lënë Eukaristinë; e Premtja e Madhe, me dramën e Udhës së Kryqit e të Kalvarit të Jezu Krishtit; e Shtuna e Madhe, me heshtjen e thellë të varrit të Jezu Krishtit.

Secila nga tri ditët e mëdha të kësaj Jave të jashtëzakonshme të Pashkëve, na sjell kuptimin e thellë të jetës dhe të veprës shëlbimprurëse të Jezu Krishtit, si për shembull Mundimet e Krishtit me simbolin e tyre, Kryqin, që na flet për vdekjen dhe për shëlbimin. 

Në misterin e Krishtit të Kryqëzuar, përmbushet ai kthim i Zotit kundra vetvetes, në të cilin ai dhurohet për ta ngritur përsëri njeriun e rrëzuar e për ta shpëtuar, dashuri kjo, e shprehur në formën e saj më rrënjësore. “Kryqi i Krishtit, shkruan Shën Leoni i Madh, është burim i të gjitha bekimeve, është shkaku i të gjitha hireve”.
Në se e Premtja është dita e Kryqit, e Enjtja mbyllet me Adhurimin që i çon të krishterët pranë Jezusit, i cili lutet në kopshtin e Gjetsemanit, i vetëm. Kjo ishte për Të ora e braktisjes dhe e vetmisë, në sa nxënësit nuk qenë të zotët të rrinin zgjuar e të ruanin Mësuesin Hyjnor.

Edhe sot Zoti na thotë: “Rrini zgjuar e ruani me mua”, në sa shikojmë se edhe ne, nxënësit, besimtarët, shpesh të flejmë. Jehon në këtë ditë në veshët tonë fjala e Krishtit Zot: “Rrini zgjuar e vigjiloni së bashku me mua!”. Pak ditë para Pashkëve, rruga pendestare që përshkon çdo i krishterë, duke rijetuar skenat e Mundimeve të Krishtit, duhet ta çojë në një çast pendese e pajtimi me Zotin, përmes Sakramentit të Rrëfimit a të Pajtimit.

Të përgatitesh për Pashkë me një rrëfim të mirë mbetet detyrë e rëndësishme, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Ngjallurit e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti i Ngjallur. Falja e tij, që na dhurohet përmes Sakramentit të pendesës, është burim i paqes së brendshme e të jashtme e na bën apostuj të paqes në një botë ku, për fat të keq, vijojnë përçarjet, vuajtjet, dramat e padrejtësisë, të urrejtjes e të dhunës, të paaftësisë për t’u pajtuar e për të rifilluar jetën e re me faljen e sinqertë.

Ngjallja e Tij na jep sigurinë se pavarësisht nga errësira e dendur e së keqes në botë, fjala e fundit nuk i takon së keqes. E, të mbështetur në këtë siguri, ne mundemi, me guxim e entuziazëm, të impenjohemi për të ndihmuar në lindjen e një shoqërie dhe të një bote më të drejtë e më njerëzore këtu, në tokë.

18 prill 2019, 12:04