Kërko

 Karvan migrantësh Karvan migrantësh 

Ndihmat e Papës për migrantët qendramerikanë bllokohen në kufi

Mijëra migrantë qendramerikanë janë bllokuar në Meksikë, me shpresë se do të mund të kalojnë në SHBA-të, kufiri i të cilave mbetet i mbyllur. Kanë nevojë për asistencë, por ndihmat janë pakësuar ndjeshëm. Mbetet vetëm angazhimi i Kishës: dioqeza e kongregata rregulltare po mikpresin në strukturat e tyre, me mijëra njerëz.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku ka dhuruar 500 mijë dollarë për asistimin e migrantëve në Meksikë. Kjo shifër - lexohet në kanalin e Obolit apo Lëmoshës së Shën Pjetrit - do të përdoret për 27 projekte, në 16 dioqeza e kongregata rregulltare meksikane, që kanë kërkuar ndihmë, për të vijuar t’u japin migrantëve strehë, ushqim e mjete të tjera të domosdoshme për jetesën.

Kufiri i SHBA-ve, i mbyllur për migrantët

Muajt e fundit - sipas një komunikate - mijëra migrantë arritën në Meksikë, pas një udhëtimi prej më se 4.000 kilometrash në këmbë e me mjete të rastit, nga Hondurasi, El Salvadori e Guatemala. Burra e gra, shpesh me fëmijë të vegjël, ikin nga varfëria e përdhuna, me shpresë se në SHBA-të do të mund të jetojnë më mirë. Larg viseve të veta, gjithnjë të nëpërkëmbura nga një mori diktaturash. Po kufiri i SHBA-ve mbetet i mbyllur…

Pakësohen ndihmat dhe jehona mediatike

“Në 2018-tën hynë në Meksikë gjashtë karvane migrantësh, me 75 mijë vetë. Flitet për arritjen e grupeve të tjera. E gjithë kjo masë njerëzish, duke mos mundur të hyjë në SHBA-të, ka mbetur e bllokuar, pa strehë, pa asnjë mjet jetese. Kisha katolike po mikpret mijëra vetë në bujtinat e dioqezave ose të kongregatave rregulltare, duke u siguruar “të treturve” edhe ushqimin e veshmathjen. Ndërkaq jehona mediatike për këtë emergjencë – nënvizohet - po vjen duke u zbehur gjithnjë më shumë e, si pasojë,  pakësohen edhe ndihmat për migrantët nga ana e qeverive dhe e privatëve.  Vetëm falë përpjekjeve, bamirësisë e solidaritetit të krishterë - pohohet në një komunikatë - Ipeshkvijtë meksikanë shpresojnë se do të mund të vazhdojnë t’i ndihmojnë  vëllezërit e motrat që migrojnë nga vendet e tyre, ku jeta është bërë krejtësisht e padurueshme.

27 prill 2019, 14:03