Kërko

Nata e Pashkëve: mos ta varrosim shpresën, mjaft me psikologjinë e varrit!

Mbrëmë, në Bazilikën e Vatikanit, Papa kryesoi kremtimin e Natës së Madhe të Pashkëve. Pas bekimit të zjarrit të ri, në treme, procesioni me klerin, himni Exultet, Liturgjia e Fjalës, Liturgjia e Pagëzimit dhe Liturgjia Eukaristike. Morën sakramentet e para të krishtera 8 rishtarë, ardhur nga Italia, Ekudaori, Peruja, Shqipëria dhe Indonezia,

R. SH. - Vatikan

Shtjellohet mbi një paralelizëm, që të nxit për meditim - homelia e Papës - mbajtur gjatë Meshës të Natës së Pashkëve. Ecin paralelisht gratë, që çojnë aroma tek Varri, të cilin e gjejnë të hapur e të zbrazur - me ne, që vijojmë të njëjtën udhë, atë të shëlbimit.

Gjithçka lidhet me një gur varri!

Shpesh herë, duke vijuar udhën e jetës, na duket sikur gjithçka lidhet me një gur varri. E sikur hapat tonë nuk do të arrijnë kurrë tek caku. Mund të na tundojë, kështu, ideja se fshikullimi i shpresës është ligj i errët i jetës.

Po sot zbulojmë se udha jonë nuk është e kotë, se nuk rrogomiset pas një guri varri. Një frazë i trand gratë e ia ndryshon rrjedhën historisë: “Pse e kërkoni ndër të vdekur, atë që është i gjallë?”. E ne na drejton pyetjen: “Pse mendoni se gjithçka është e kotë, se askush nuk mund ta hapë më grykën e varrit tuaj? Pse ju lëshon zemra e ju duket se keni marrë fund? Pashkët janë festë e flakjes së gurëve. Zoti flak gurët më të rëndë, pas të cilëve shkapeten ëndrra e shpresa: “flak vdekjen, mëkatin, frikën, mendësinë e botës”. Historia e  njerëzimit nuk merr fund para  gurit të varrit, sepse zbulon sot “gurin e gjallë, Jezusin e ngjallur!”. Ne si Kishë, themelohemi mbi Të. E edhe kur e humbasim guximin, kur tundohemi ta gjykojmë gjithçka mbi bazën e mossukseseve tona, Ai vjen e i bën të reja të gjitha sendet. E na nxit ta pyesim veten: “Cila është rrasa e varrit, që sonte duhet ta flak tutje?”.

Mos e varrosni, pra, shpresën!

E Papa foli - në vijim të Meshës të natës së Pashkëve - për rrasën e mosbesimit, që na e mbush mendjen se gjithçka shkon keq e se e keqja nuk ka fund! Se vdekja është më e fortë se jeta! Atëhere gur mbi gur ndërtojmë në shpirtin tonë një muranë pakënaqësie, i hapim vetes varrin e shpresës. Duke u ankuar gjithnjë për jetën, e bëjmë jetën të varet nga ankimet, të sëmuret. Na mbërthen, kështu, psikologja e varrit. Ku zbresim pa ardhur akoma ora jonë! Ja, pra, pse na drejtohet pyetja e Pashkëve: “Pse e kërkoni në varr, atë që është i gjallë?”. Zoti nuk banon në kujë e lot. Nuk është Zoti i të vdekurve, por i të gjallëve. Mos e varrosni, pra, shpresën!

Guri i dytë, që mbyll zemrën

Por - shtoi Papa në homelinë e Meshës të Natës së Pashkëve - është edhe një gur tjetër, që e mbyll zemrën. Guri i mëkatit. Mëkati josh, premton fitime të lehta, mirëqenie e sukses, por të lë pas vetëm vetmi e vdekje!  Domethënë, e pengon dritën të depërtojë në zemër. Pse nuk ia kundërvëmë Jezusin vezullimeve të parasë? Të karrierës? Të fodullëkut? Të dëfrimeve pa fre? - pyeti Papa. Pse nuk u themi kotësive të botës se nuk jetojmë për to, po për Krishtin?

Zoti larton

Duke kujtuar poteshën e famshme amerikane Emily Dickinson, Papa  citoi vargjet e saj simbolike:

“Shtatlartësinë tonë s’e njohim dot në jetë

Der’sa për t’u lartuar ne të mos jemi rrekë!

Po nëse do të jemi besimtarë të vërtetë

Me shtatin tonë qiellin kemi me prekë!”

(E. Dickinson, We never know how high we are)

Zoti na fton të lartohemi, të  ringjallemi mbi Fjalën e Tij, të shikojmë lart e të besojmë se jemi bërë për qiellin, jo për tokën; për lartësirat e jetës, jo për ultësirat e vdekjes. Pse e kërkoni ndërmjet të vdekurve, atë që jeton?

Zoti na fton të shikojmë me sytë e Tij…

Zoti na kërkon ta vështrojmë jetën me syrin e Tij, që shikon në ne bërthamën e bukurisë. Në mëkat, shikon bij për t’u ringritur në këmbë. Në vdekje, vëllezër për t’u ngjallur. Në dëshpërim, zemra për t’u ngushëlluar. Mos ki frikë, pra, Zoti e do jetën tënde. Për Pashkë të tregon sa të do: aq sa t’i bjerë pash më pash ferrit, për të dalë fitimtar e për të të thënë: “Nuk je vetëm. Besomë!”. Varet nga ti ta dëgjosh. Të mos shikosh më gurin e varrit tënd, por të  të Gjallin!

Mos e kërko, pra, ndër të vdekur, atë, që jeton!

21 prill 2019, 10:58