Kërko

Papa Françesku nënshkruan Papa Françesku nënshkruan 

Françesku miraton norma të reja shtesë për “Anglicanorum coetibus”

Dhjetë vjet pas shpalljes së Kushtetutës Apostolike “Anglicanorum coetibus”, Papa Françesku miraton versionin e rishikuar me norma plotësuese.

R.SH. - Vatikan

Kushtetuta Apostolike “Anglicanorum coetibus”, botuar më 4 nëntor 2009 nga Papa Benedikti XVI, përmban norma, që synojnë themelimin e Ordinariateve personale për ata besimtarë anglikanë, “të cilët dëshirojnë të hyjnë si një trup i vetëm në bashkim të plotë me Kishën Katolike”.

Ordinariatet personale

Në Kushtetutë shkruhet se “Ordinariatet personale për anglikanët, që hyjnë në bashkim të plotë me Kishën Katolike, ngrihen nga Kongregata për Doktrinën e Fesë brenda kufijve territorialë të një Konference të caktuar Ipeshkvnore”. Çdo Ordinariat “gëzon personalitet juridik publik” dhe “ligjërisht, asimilohet nga një dioqezë”. Gjithashtu, theksohet se Ordinariati përbëhet nga besimtarë laikë, klerikë dhe anëtarë të Instituteve të jetës rregulltare, ose të Shoqërive të jetës apostolike, që, fillimisht, i përkisnin Bashkimit Anglikan”. Ose nga besimtarët, “që marrin Sakramentet e jetës së krishterë në juridiksionin e vetë Ordinariatit”. Aktualisht, në botë, ka tri Ordinariate: Zoja e Walsingham në Angli, Katedra e Shën Pjetrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zoja e Kryqit të Jugut në Australi.

Azhurnimi i normave plotësuese

Legjislacioni i Kushtetutës “Anglicanorum coetibus” azhurnohet tani nga norma plotësuese, të vendosura nga Selia Apostolike. Papa Françesku miratoi versionin e rishikuar të këtyre rregullave. “Janë marrë parasysh disa sugjerime dhe disa këshilla teologjike, të së drejtës kanonike dhe ekumenike - shpjegon gazeta e Selisë së Shenjtë ‘L'Osservatore Romano’ - për ta bërë zbatimin e normave të përputhet më mirë me frymën e Kushtetutës Apostolike”.

Neni 4

Ordinari ka për detyrë të përfshijë në Ordinariat ata meshtarë anglikanë, që kanë hyrë në bashkim të plotë me Kishën Katolike. Kësaj dispozite të nenit 4 i është shtuar edhe referimi për “ata, që tashmë janë inkuadruar në një dioqezë, sipas rregullave të ‘Pastoral Provision’, si edhe kandidatët, që bëjnë pjesë në Ordinariat e janë promovuar prej tij në Urdhërat kishtare”. Gjithashtu, klerikët që “janë gati të përfshihen në Ordinariat, duhet të çregjistrohen nga dioqeza e tyre e origjinës”.

Neni 5

Normat e reja plotësuese kanë të bëjnë edhe me rastin e një personi të pagëzuar në mënyrë të vlefshme në një bashkësi tjetër kishtare, jashtë Kishës Katolike. Kur kjo bashkësi, thuhet në nenin 5, shpreh vullnetin për të hyrë në bashkim të plotë me Kishën Katolike, mund të pranohet dhe t’i përkasë Ordinariatit, nga çasti kur “hyn në bashkim të plotë dhe merr sakramentet e Krezmimit e të Eukaristisë”.

Neni 10

         Një risi shtohet edhe në nenin 10, që ka të bëjë me klerin. Në paragrafin 2 shpjegohej se kandidatët për meshtar mund ta merrnin formimin meshtarak “sipas një programi të veçantë në po atë seminar, ose në një shtëpi formimi të ngritur enkas, me pëlqimin e Këshillit Drejtues, për transmetimin e trashëgimisë anglikane”. Në normat e reja plotësuese përmenden seminaristët e Ordinariatit, të cilët “do ta marrin formimin e tyre teologjik bashkë me seminaristët e tjerë, në një seminar, ose në një fakultet teologjik, në marrëveshje me ipeshkvin dioqezan, ose me ipeshkvijtë e interesuar”.

Neni 15

Së fundi, një nen i ri në rregullat e reja plotësuese. Është fjala për nenin 15, që i kushtohet kremtimit të Kultit Hyjnor. Pranohet se Meshari i veçantë i Ordinariateve personale, që quhet “Divine Worship”, e ruan “kultin katolik dhe trashëgiminë e denjë liturgjike anglikane, kuptuar si gjithçka e ka ushqyer fenë katolike gjatë gjithë historisë së traditës anglikane dhe ka nxitur aspiratat për bashkimin kishtar”.

09 prill 2019, 14:51