Kërko

Këshilli i Kardinajve Këshilli i Kardinajve 

Filloi mbledhja e re e Këshillit të Kardinajve me Papën

Takimi do të vijojë deri të mërkurën më 10 prill. Në qendër të punimeve, Kushtetuta e re Apostolike për Kurien Romake.

R.SH. - Vatikan

Filloi sot në Vatikan, në praninë e Papës Françesku, mbledhja e 29-të e Këshillit të Kardinajve. Punimet do të vijojnë deri të mërkurën, 10 prill.

Kushtetuta Apostolike për Kurien Romake

         Në takimin e fundit, mbajtur nga 18 deri më 20 shkurt, kardinajtë vazhduan të diskutojnë mbi Kushtetutën e re Apostolike të Kuries Romake, e cila përkohësisht, titullohet “Praedicate evangelium”. Në përfundim, drejtori “ad interim” i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, pati deklaruar se dokumenti do të bëhet i njohur gjatë këtij viti, pasi të jetë parë nga konferencat ipeshkvnore, sinodet e Kishave Lindore, dikasteret e Kuries, konferencat e eprorëve rregulltarë dhe nga disa universitete papnore. Aktualisht, Këshilli përbëhet nga 6 kardinaj: kardinali koordinator Óscar Andrés Rodríguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Teguçigalpës; kard. Giuseppe Bertello, kryetar i Guvernatorit të Shtetit të Vatikanit; kard. Oswald Gracias, kryeipeshkëv metropolit i Bombeit; kard. Reinhard Marx, kryeipeshkëv metropolit i Mynihut dhe Fraisingut; kard. Sean Patrick O'Malley, kryeipeshkëv i Bostonit dhe kardinali-Sekretar i Shtetit të Vatikanit Pietro Parolin. Marrin pjesë në Këshill edhe imzot Marcello Semeraro, ipeshkëv i Albanos, sekretar, së bashku me imzot Marco Mellino, ipeshkëv titullar i Krezimës, ndihmës sekretar.

08 prill 2019, 14:09