Kërko

 Papa puth këmbët e liderëve të Sudanit të Jugut, duke u bër thirrje për paqe Papa puth këmbët e liderëve të Sudanit të Jugut, duke u bër thirrje për paqe 

Editorial i Andrea Torniellit, mbi domethënien e gjestit të jashtëzakonshëm të Papës Françesku

Editorial i Andrea Tornielli-t mbi domethënien e asaj, që bëri Papa Françesku në përfundim të takimin, në formë ushtrimesh shpirtërore, për paqen në Sudanin e Jugut.

R. SH. - Vatikan

Gjesti i jashtëzakonshëm e prekës i Françeskut, në përfundim të takimit dyditor, në formë ushtrimesh shpirtërore, për paqen në Sudanin Jugor,  që Papa e mikpriti në shtëpinë e vet, ka një shije të fortë ungjillore. Ndodhi pikërisht një javë para se ky gjest të përsëritet në kishat e mbarë botës, për të kujtuar Darkën e Mbrame, kur Jezusi, tashmë në prag të Mundimeve, duke u larë këmbët apostujve, u mësoi atyre udhën e shërbimit!

Në Shtëpinë e Shën Martës, pasi i pati kërkuar liderit të Sudanit të Jugut “të rrinte në paqe”, Françesku, me vuajtjen që i lexohej në të gjitha lëvizjet e gjestet, u përkul përpara tyre, për t’u puthur këmbët. Ishte përkulje para presidentit të Republikës së Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardit dhe zëvendës-presidentëve të pranishëm, ndërmjet të cilëve, Riek Machar e Rebecca Nyandeng De Mabio, që do ta nisin detyrën më 12 maj.

Gjest i fuqishëm, që nuk mund të kuptohet ndryshe, përveçse në atmosferën e faljes së anasjelltë, e cila u ndje fort gjatë dy ditëve të  këtij takimi, shoqëruar me gjestin e jashtëzakonshëm të Papës. Nuk ishte takim diplomatik i rangut të lartë, por përvojë lutjeje e reflektimi të përbashkët ndërmjet liderëve që, pasi e kanë vulosur marrëveshjen e paqes, përpiqen tani që të respektohet.

Paqja, për besimtarët, kërkohet para Zotit.  E lypet, duke u lutur edhe më shumë, kur kujton flijimin e viktimave të panumërta, të pafajshme, të urrejtjes e të luftës. Diçka e jashtëzakonshme duhet të ketë ndodhur ato orë në Shën Martë, posaçërisht ndërmjet liderëve të Sudanit të Jugut, që pranuan ftesën e Ipeshkvit të Romës,  i cili  mban edhe titullin “Shërbëtori i shërbëtorëve të Zotit”. Duke u ulur me vështirësi në gjunjë për t’u  puthur këmbët, Papa u përkul para vetë Zotit, që e frymëzonte këtë takim lutjeje.

Gjeste të ngjashme, ikonë ungjillore e shërbimit, nuk janë të reja në historinë e vonë të Papnisë. Më 14 dhjetor 1975, Shën Pali VI, në Kapelën Sikstine, duke kremtuar dhjetëvjetorin e shlyerjes së shkishërimeve reciproke ndërmjet Kishës së Romës e asaj të Kostantinopojës, zbriti nga altari në përfundim të Meshës, me paramentet kishtare akoma në trup, e u hodh në këmbët e përfaqësuesit të Patrikut Dimitrios, metropolit i Melitonit të Kalçedonisë. Gjest, ky, që  kujtonte, përveç larjes së këmbëve nga Jezusi, edhe ngjarjet e Koncilit të Firences kur, më 1439, patrikët ortodoksë nuk pranuan t’i puthin këmbët Papës Eugjeni IV.

Në lidhjet me vëllezërit e tjerë të krishterë, ashtu si përballë kujt e lë zemrën të preket e pranon gjeste pajtimi e paqeje, Papët, Shërbëtorë të shërbëtorëve të Zotit, nuk kanë pikë frike të përulen, për t’i përngjarë, kështu, Mësuesit të vet!”.

12 prill 2019, 15:30